Tri parti 'luftojnë' për katër vota

Aktuale July 28, 2018 - 07:53
Lexo detajet

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës po kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por pasi së bashku i kanë vetëm 57 deputetë, ato janë “duke luftuar” që t’i sigurojnë edhe katër vota tjera në mënyrë që të mundë ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj”, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, tash e sa kohë janë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, por asnjëra nga këto dy parti nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret që do të çonte në drejtim të rrëzimit të Qeverisë.

Përkundrazi, pavarësisht se së fundmi partia tjetër opozitare Partia Socialdemokrate ia ka dorëzuar LDK-së 12 nënshkrimet e deputetëve të saj, përfaqësuesit e këtij subjekti nuk kanë bërë të ditur nëse janë duke biseduar me deputetët e tjerë që t’i sigurojnë 61 numra për t’i dhënë fund qeverisë aktuale.

Ndërkohë, zyrtarë të LVV-së kanë bërë të ditur se do ta mbështesin çfarëdo mocioni posa të bëhen 61 vota, porse kanë pohuar se nuk kanë bërë ndonjë punë konkrete aktualisht që do të çonte drejt sigurimit të numrave.

Ndërkaq, deputetët e partive në pushtet janë shprehur të vendosur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.

Ata me këtë rast kanë thënë se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj”, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme në këtë drejtim.

Kurse njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se deklarimet e opozitës janë krejtësisht joserioze, pasi nuk ka kurrfarë veprimi konkret, pos fjalëve boshe.   

Veliu: LDK-ja po angazhohet që sa më shpejt të ketë zgjedhje

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, para dy ditësh ia ka dorëzuar nënshkrimet e 12 deputetëve saj LDK-së për ngritjen e mocionit. Sipas tij, pos deklarimeve, LDK-ja nuk po ndërmerr veprime konkrete në këtë drejtim.

“Këto 12 nënshkrime të PSD-së i ke Lumir Abdixhiku, t’i dorëzoj”, i tha Sjediu deputetit të LDK-së Lumir Abdixhikut në seancën e së enjtes, duke i bërë thirrje që ta nisë mocionin.  

Por nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se kjo parti ende nuk e ka shqyrtuar dorëzimin e nënshkrimeve të deputetëve të PSD-së. Pavarësisht dhënies së nënshkrimeve, Veliu ka thënë se veprimet e PSD-së po bëhen për konsum politik.

“Ende nuk e kemi vlerësuar këtë ofrim që është bërë. Nuk është vlerësuar. Deri më tash ne e kemi pritur Partinë Socialdemokrate, por ata tashmë kanë hyrë në aranzhmane të tjera po më duket. Këtë po e bëjnë më tepër për njëfarë konsumi politik”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

I pyetur nëse LDK-ja është duke biseduar me deputetët e tjerë për sigurimin e nënshkrimeve, Veliu ka thënë se LDK-ja fillimisht do të diskutojë brenda organeve të partisë.

“Ne i diskutojmë gjërat fillimisht në strukturat tona, në organet tona vendimmarrëse, pastaj veprojmë”, ka theksuar ai.

Megjithëkëtë, Veliu është zotuar se shumë shpejt do të ketë zgjedhje të parakohshme, sado që nuk ka pranuar të flasë se kur mund të ketë zgjedhje. “Ne kemi deklaruar dhe qëndrojmë pas atij deklarimi që LDK-ja angazhohet që sa më shpejt të organizohen zgjedhjet e reja, meqë kemi konstatuar se vendi është edhe në krizë politike”, ka potencuar ai.

Haxhiu: S’kemi frikë për rrëzim të Qeverisë, aq më pak prej LDK-së

Megjithëkëtë, nënkryetarja e AAK-së Teuta Haxhiu është shprehur e bindur se opozita nuk i ka numrat për ta rrëzuar qeverinë aktuale.

“Kurse numrat e pozitës dihen, ne nuk është se kemi numra të tjerë, por në fakt jemi shumë të sigurt që me iniciativën e opozitës Qeveria asnjëherë nuk është rrëzuar”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu tutje ka vlerësuar se e tërë kjo zhurmë po bëhet për interesa të brendshme të LDK-së.

“Gjithçka shkon në frymën e LDK-së për t’u promovuar për zgjedhjet e brendshme dhe gara e brendshme mes tyre do të jetë kryetari i LDK-së. Jemi shumë komod dhe absolut nuk e kemi frikën për rrëzimin e Qeverisë, aq më pak prej LDK-së, ku nuk po dihet se kush është kryetari, a është Lutfi Haziri apo Avdullah Hoti?”, ka nënvizuar ajo.

Deputetja e AAK-së tutje ka thënë se as LVV-ja e as PSD-ja nuk janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje pas ndarjes që e kanë pasur si parti politike.

Kurteshi: Mbështesim çdo mocion kur të bëhen 61 vota

Në anën tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë se LVV-ja ofron votat e deputetëve për çdo mocion që mund të ngrihet për rrëzimin e Qeverisë.

“Ne natyrisht që do ta mbështesim çdo mocion në momentin kur do të bëhen 61 vota, sepse është kushti për ta rrëzuar një qeveri. Pa 61 vota ne mund të japim deklarata pompoze në Kuvend, mund t’i japim nënshkrimet, por qeveritë nuk bien. Në momentin që bëhen 61, duke i numëruar edhe votat e LVV-së ne jemi të gatshëm t’i japim”, ka deklaruar ai.

I pyetur nëse LVV-ja është duke punuar për ta siguruar 61-shin e nevojshëm, Kurteshi ka thënë se nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim.

“Nuk po them që ne si subjekt kemi bërë ndonjë punë konkrete në këtë drejtim. Disponimin tonë e dinë të gjithë deputetët”, ka shtuar ai.

Alija: Aktualisht opozita s’mund të nisë kurrfarë mocioni

Në anën tjetër Rasim Alija, hulumtues në organizatën “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka vlerësuar se partitë opozitare nuk mund të ndërmarrin hapa drejt rrëzimit të Qeverisë.

“Subjektet politike opozitare janë të vetëdijshme që ka dallim në mes të dëshirës për ta rrëzuar Qeverinë dhe fuqisë reale për ta bërë këtë. Aktualisht opozita nuk mund të nisë çfarëdo mocioni mosbesimi nëpërmjet të cilit do të rrëzohej Qeveria, janë pa vota të mjaftueshme për ta bërë këtë”, ka deklaruar ai.

Në situatë të tillë sipas Alijës, si opsion i mundshëm mbetet që Qeveria ta rrëzojë vetveten, siç ka ndodhur me dy qeveritë e kaluara.

“Mirëpo skenarë të tillë do të varen nga kalkulimet e subjekteve politike dhe leverdinë e tyre të përkthyer në rezultatet që do të mundë t’i kishin në rast zgjedhjesh të parakohshme”, ka potencuar ai.

Demhasaj: Deklarimet e opozitës për zgjedhje, joserioze

Kurse Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, i ka cilësuar joserioze deklaratat e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

“I kemi tri parti opozitare, që të tria së bashku shumë lehtë mund ta krijojnë një shumicë prej 61 votash për t’i kërkuar votëbesim Qeverisë, një gjë të tillë nuk po e bëjnë, atëherë kjo në njëfarë mënyre po duket shumë joserioze”, ka deklaruar ai.

Sipas Demhasajt, deklarimet për zgjedhje nga ana e opozitës kanë nisur qysh prej konstituimit të institucioneve.

“Nëse me të vërtetë opozita dëshiron që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme duhet të nisë që t’i mbledhë nënshkrimet në bazë të Kushtetutës dhe t’ia kërkojë votëbesimin Qeverisë. Po qe se opozita është e vendosur në këtë drejtim, atëherë nuk është vështirë që të sigurohen 4 vota edhe nga pozita për ta rrëzuar Qeverinë”, është shprehur Demhasaj.

Sipas tij, shumë më lehtë është sot që opozita t’i sigurojë votat për të shkuar drejt mocionit sesa herëve të kaluara.