“Lufta” e partive për drejtorin e Policisë

Aktuale July 26, 2018 - 08:40
Lexoni më shumë detaje

Më 16 korrik është mbyllur konkursi për drejtor të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme nuk jep asnjë detaj rreth këtij procesi. Njohës të çështjeve të sigurisë shprehen të bindur se i pari i Policisë së Kosovës do të përzgjidhet në bazë të kalkulimeve politike, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës është shndërruar në “betejë” të subjekteve politike në pushtet.

Sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, por edhe sipas disa prej kandidatëve për këtë post, përzgjedhja e të parit të Policisë do bëhet sipas kalkulimeve të disa partive politike.

Ata bëjnë thirrje që procesi i përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës të jetë korrekt, pasi vlerësojnë se është një pozitë e rëndësishme, shkruan më tutje "Zëri".

Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, shtatë vjet pas shkarkimit të tij sërish pretendon të vijë në krye të Policisë. Ai pohon se ka aplikuar për këtë pozitë, edhe pse dyshon se po bëhen lojëra me këtë konkurs.

LEXO EDHE: Kuvendi pa kuorum përmbushi 22% të agjendës legjislative

“Jemi informuar që është anuluar konkursi dhe është rishpallur përsëri. Afati ka qenë deri më 16 korrik. Nuk i di arsyet e anulimit të konkursit të parë sepse nuk kanë thënë asgjë. Unë nuk kam qenë i sigurt nëse do të aplikoj prapë, sepse nuk e di çfarë lojëra po bëhen”, ka pohuar Maliqi.

Ai shpreh dyshimet e tij se përzgjedhja e drejtorit të Policisë do të bëhet në bazë të rekomandimeve politike, megjithatë thotë se nuk duhet të ketë zvarritje në këtë proces.

“Ndoshta po presin që dikush ta rekomandojë dikë dhe atëherë është çështje e kotë të aplikosh nëse tashmë ka të rekomanduar nga politika. Unë do ta shpreh vullnetin tim për ta marrë atë pozitë nëse kanë besim të unë, nëse jo le t’ia japin kujtdo, mirëpo dikush duhet zgjedhur sepse zvarritja në këtë kohë nuk është e mirë”, është shprehur ai.

Në anën tjetër njohës të çështjeve të sigurisë shprehen të bindur se i pari i Policisë së Kosovës do të zgjidhet në bazë të kalkulimeve politike.

Ibishi: Përzgjedhja e drejtorit të Policisë do të jetë tërësisht politike

Njohësi i çështjeve të sigurisë Nuredin Ibishi shprehet se përzgjedhja e drejtorit të Policisë ka për të qenë tërësisht politike sikurse ka qenë deri më tash.

Ai thotë se kjo është e pritshme, dihet kush ka për të qenë në krye të Policisë dhe kjo nuk është aspak korrekte.

“Nuk po dua të spekuloj se kush do të jetë, sepse e di saktësisht se kush do të jetë në krye të Policisë së Kosovës, por nuk po dua t’i dekurajoj të tjerët që janë pjesë e konkursit. Me këtë po dua të them se po vazhdon avazi i vjetër dhe nuk ka asnjë ndryshim”, ka pohuar Ibishi.

E vetmja mundësi sipas tij është që kandidati i cili përzgjidhet të jetë një kandidat me përkrahje politike që i plotëson kushtet të cilat janë në konkurs dhe asgjë më shumë, sepse fatkeqësisht nuk do të jetë zgjedhja më e mirë e një kandidati çfarë pritet të bëhet.

Ai thotë se arsyeja kryesore e anulimit të konkursit të parë ishte mosdakordimi i partive politike rreth kalkulimeve të tyre për përzgjedhjen e kandidatit për këtë pozitë.

Shala: Tri subjekte politike pretendojnë t’i kenë personat e tyre në këtë pozitë

Eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala thotë se ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë, Naim Rexha, dhe drejtori i Departamentit të Operacioneve, Rashit Qalaj, janë dy personat emrat e të cilëve janë spekuluar më së shumti për këtë pozitë.

Por Shala thotë se janë tri subjekte politike të cilat pretendojnë në forma të ndryshme që t’i kenë personat e tyre në këtë pozitë.

“Sipas informacioneve, është një numër mbi 10 persona që kanë aplikuar për këtë pozitë, por që Komisioni Vlerësues nuk ka mundur të fillojë më procesin vlerësues për arsye se kemi tri subjektet politike të cilat pretendojnë në forma të ndryshme t’i kenë personat e tyre në këtë pozitë dhe për të mos bërë shkelje eventuale ose ndonjë ankesë nga interesat e grupit Ministria ka anuluar këtë konkurs, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën më pozita të drejtorëve të burgjeve”, ka thënë Shala.

Ai shton se personaliteti i drejtorit të përgjithshëm duhet të jetë i pakomprometuar dhe të këtë një të kaluar të mirë që nga polici patrullues dhe përgjatë vijës menaxheriale që ka pasur.

Organizata e Policisë së Kosovës, sipas Shalës, duhet të ketë më pak formalitet dhe të jetë më fleksibile në bashkëpunimin dhe në bashkërendimin e punëve policore në të mirë të komunitetit dhe të sigurisë së përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Ndërkohë, në konkursin e parë për këtë pozitë kishin aplikuar rreth 15 kandidatë. Disa nga emrat që kishin aplikuar janë: Naim Rexha, Fahredin Verbovci, Rashit Qalaj, Tahibe Canolli dhe Fatos Makolli.

Reshat Maliqi në vitin 2010 ishte emëruar drejtor i Përgjithshëm në Policinë e Kosovës nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.

Pikërisht nga kryeministri Thaçi ishte shkarkuar pas më pak se 9 muajsh, në ditën kur kishte nisur aksioni për marrjen e pikave kufitare në veri, në korrik të vitit 2011.

Pas shkarkimit të Maliqit në krye të Policisë së Kosovës nga viti 2011 e deri në prill të këtij viti ishte Shpend Maxhuni, i cili pas largimit nga kjo pozitë u emërua si drejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Aktualisht ushtrues detyre i drejtorit të Policisë së Kosovës është zëvendësdrejtori Naim Rexha.