Kuvendi pa kuorum përmbushi 22% të agjendës legjislative

Aktuale July 26, 2018 - 08:28
Lexoni më shumë detaje

Ndonëse kryetari i Kuvendit Kadri Veseli gjatë seancës së fundit ka thënë se gjatë këtij sesioni deputetët kanë votuar më së shumti projektligje që nga shpallja e pavarësisë, puna nuk është cilësuar shumë produktive nga monitorues të Kuvendit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Sipas monitoruesve të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Kuvendi ka arritur që deri më tani të përmbushë vetëm 22% të agjendës legjislative duke i miratuar 32 ligje.

50 projektligje të tjera janë në procedurë të miratimit, ndërsa në pritje janë edhe 62 të tjera.

LEXO EDHE: S’ka barna në spitale, pacientët i blejnë vetë

Sipas tyre, Kuvendi në këtë sesion është karakterizuar me mungesë kuorumi në shumë seanca, gjë që ka ngadalësuar procesin e punës, shkruan më tutje "Zëri".

Në anën tjetër opozita vlerëson se Kuvendi ka dështuar të mbikëqyrë punën e Qeverisë dhe se ka humbur shumë kohë për shkak të mungesës së deputetëve në seancë.

Ata kanë bërë thirrje që Kuvendi të mos shkojë në pushim, por të kompensohet koha e humbur.

Beqa: Kuvendi ka realizuar objektivat e veta

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komisionit për Legjislacion, Hajdar Beqa, ka thënë se ky vit karakterizohet me numrin më të madh të ligjeve që kanë shkuar në Kuvend dhe të cilat janë miratuar.

“Këtë vit ka pasur më së shumti ligje që kanë ardhur në Kuvend dhe jemi munduar të japim më të mirën edhe si Komision, por edhe në seanca kemi një numër më të madh të ligjeve. Asnjëherë nuk ka pasur më shumë projektligje të miratuara”, ka thënë ai. 

Beqa më tej ka thënë se Kuvendi ka pasur sfida, por që ka arritur t’i realizojë objektivat e veta.

“Kemi pasur sfida që për shkaqe të ndryshme politike në momente të caktuara ka munguar kuorumi, megjithatë Kuvendi ka realizuar objektivat e veta. Ka pasur mundësi të bëhet më shumë, megjithatë janë realizuar”, është shprehur Beqa.  

Nitaj: Mungesa e kuorumit ka ngadalësuar vendimmarrjen

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka vlerësuar se Kuvendi në këtë legjislaturë ka bërë punë të mirë, ndonëse tha se lufta mes pozitës e opozitës ka ngadalësuar punën e Kuvendit.

“Vlerësoj se Kuvendi në përgjithësi ka bërë një punë të mirë në sesionin pranveror. Ajo që më ka lënë përshtypje në këtë sesion ka qenë një luftë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës, përmes interpelancave dhe debateve që jogjithmonë kanë qenë të nevojshme dhe edhe më pak të arsyetuara. Kjo e ka ngadalësuar pak realizimin e agjendës së Kuvendit”, ka vlerësuar ai.

Nitaj ka kundërshtuar refuzimin e deputetëve për të votuar, gjë e cila ka arritur të pamundësojë vendimmarrje.

“Ka pasur edhe njëfarë ‘lufte’ me kuorumin, duke aplikuar një formulë të refuzimit të votimit, as pro, as kundër e as abstenim. Këtë nuk e kam kuptuar asnjëherë, ani se po thonë se edhe refuzimi për të votuar qenka qëndrim. Mirëpo refuzimi i një pjese të opozitës për ta bërë kuorumin, megjithatë nuk ka arritur ta pamundësojë vendimmarrjen në Kuvend”, ka përfunduar ai.

Kollçaku: Kuvendi të mos shkojë në pushim

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku ka thënë se ky vit nuk ka qenë i suksesshëm për Kuvendin, pasi është humbur shumë kohë. Kuvendi sipas saj është karakterizuar me mungesë kuorumi.

“Çdoherë kur janë thirrur seancat plenare është humbur koha duke u dhënë fjala deputetëve të njëjtë dhe pjesët më të rëndësishme kanë mbetur për sesionin e pasdites ku nuk ka pasur interesim të deputetëve dhe seanca është karakterizuar me mungesë kuorumi”, tha ajo.

Ajo po ashtu ka thënë se nuk është koha që Kuvendi të shkojë në pushim, pasi ka ende shumë punë për të bërë.

“Mendoj që është dashur edhe deputetët të jenë më të përgjegjshëm. Nuk shoh që ka vend për pushim. Duke u bazuar në përmbushjen e agjendës legjislative Kuvendi nuk do të duhej fare të shkonte në pushim. E gjitha ajo çfarë nuk është kryer me kohë do të duhej të kompensohej në këtë periudhë”, ka thënë ajo.

Pantina: Kuvendi ka dështuar ta mbikëqyrë punën e Qeverisë  

Ndërkaq deputetja e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, vlerëson se në këtë legjislaturë Kuvendi ka degraduar ndonëse ka pasur numër të madh të seancave.  

“Kuvendi në përgjithësi në këtë legjislaturë ka shënuar më shumë degradim sesa përparim, ndonëse ka pasur një numër të madh të seancave që janë mbajtur dhe puna në komisione kryesisht është kryer mirë. Kuvendi ka ngecur në dy aspekte, e para në miratimin e ligjeve. Shumë ligje nuk janë miratuar ndonëse kanë kaluar nëpër procedura të rregullta për shkak të përplasjeve politike mes pozitës dhe opozitës”, tha ajo.

Pantina po ashtu tha se Kuvendin e ka karakterizuar mungesa e kuorumit. Por sipas saj Kuvendi ka dështuar në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë.

Një pjesë të madhe të fajit për mbarëvajtjen e Kuvendit sipas saj e ka edhe kryetari i Kuvendit për mënyrën si i ka drejtuar seancat, për të cilin tha se ka ngritur polemika me deputetët.

KDI: Kuvendi ka përmbushur vetëm 22% të agjendës legjislative

Agnesa Haxhiu, monitoruese e Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka vlerësuar se në këtë legjislaturë ka pasur numër më të madh të seancave të mbajtura dhe një numër më i madh i projektligjeve që janë miratuar.

Sipas saj, Kuvendi deri më tani ka përmbushur vetëm 22% të agjendës legjislative.

“Nuk është shumë dobët në krahasim me legjislaturën e pestë për periudhën e njëjtë. Numri i seancave këtë sesion është më i madh sesa ka pasur gjatë sesioneve pranverore të legjislaturave të kaluara. Në këtë sesion janë mbajtur 26 seanca, duke i përfshirë këtu edhe seancat e jashtëzakonshme dhe ato solemne. Sa i përket përmbushjes së agjendës legjislative Kuvendi deri më tani ka mbërrituri të përmbushë 22% të agjendës”, ka sqaruar ajo.

Por sa i përket funksionit mbikëqyrës është shumë më mirë sesa legjislatura e pestë. Ajo ka treguar se janë parashtruar 236 pyetje parlamentare nga deputetët, që është një numër shumë më i madh sesa janë parashtruar më herët për periudhën e njëjtë dhe të cilat 60% kanë marrë përgjigje.

“Problematike në këtë legjislaturë ka qenë mungesa e kuorumit, e posaçërisht në votim. Kemi parë që shumë seanca janë duke dështuar për shkak të mungesës së kuorumit dhe se në listat e nënshkrimeve të deputetëve figurojnë më shumë se 90% të deputetëve që janë nënshkruar, por ata nuk po qëndrojnë në sallë”, ka thënë ajo.