Haradinaj: Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje në dobi të qytetarëve

Aktuale July 24, 2018 - 09:58
Detajet

Aprovimi i projektligjit për ndërtimet pa leje është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës. Këtë gjë e ka deklaruar kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj përmes një postimi në “Facebook”, raporton “Zëri.info”.

Sipas Haradinajt me këtë projektligj secili qytetar mund të operojë lirshëm në pronën e tij.

“Aprovimi në Kuvendin e Kosovës i projektligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e vendit. Tani secili qytetarë mund ta shfrytëzojë të drejtën e tij për ta regjistruar pronën dhe të operojë me të. Me këtë ligj përfitojnë qytetarët dhe ndryshon edhe statusi i komunave, të cilat forcojnë buxhetin e tyre dhe përcaktojnë pronarët legalë”, ka thënë Haradinaj.

LEXO EDHE: Qeveria “Haradinaj”, raste të paprecedente të abuzimit të pushtetit

Ai ka përmendur edhe disa nga përparësitë e këtij projektligji.

“Trajtimi gjithëpërfshirës i ndërtimeve pa leje, thjeshtësimi i procedurave, ulja e kostove për legalizim të pronës, janë vetëm disa nga përparësitë e këtij ligji, të cilat duhet t’i shfrytëzojnë qytetarët e vendit”, ka përfunduar postimin e tij Haradinaj. /ZËRI