Reagojnë në Luginë, pas deklaratave për ndarje të mundshme të territoreve

Aktuale July 21, 2018 - 11:40
Detajet

Ragmi Mustafa, shef i këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Asamblenë Komunale të Bujanocit, subjekt ky politik që udhëheq me këtë Komunë, ka deklaruar për “Zërin” se shkëmbimi i territoreve mund të ndodhë vetëm me pajtimin e dy palëve, por që, sipas tij, mundësia për të ndodhur një gjë e tillë është shumë e vogël.

“Procesi i shkëmbimit të territoreve është me shumë të panjohura dhe jo i qartë”.

Mustafa thotë se nuk pret që të ndodhë shkëmbimi i Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës, por që, siç thotë ai, historia na ka mësuar që jo rrallëherë ndodh e pamundshmja.

LEXO EDHE: Pazari me territore

Edhe Mehmet Azizi, aktivist politik nga Presheva, thotë se qe disa muaj kanë nisur një fushatë politike që Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e fazës finale të dialogut me Serbinë, duke kërkuar për shqiptarët e Luginës reciprocitet me serbët e Kosovës.

“Ne presim që përfundimi i këtyre bisedimeve t’i zgjidhë problemet shqiptaro-serbe”, është shprehur ai. /ZERI