Pazari me territore

Aktuale July 21, 2018 - 07:44
Detajet

Në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë mund të hapet edhe tema e shkëmbimit të territoreve në mes dy vendeve. Ndonëse jozyrtarisht si zgjidhje përmendet që Serbia ta marrë veriun e Kosovës, ndërsa kjo e fundit Luginën e Preshevës. Madje në Kosovë ka politikanë të rëndësishëm që e përkrahin një ide të tillë, duke përfshirë këtu nënkryetarin e partisë më të madhe opozitare (LDK) Lutfi Hazirin, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Gjilanit. Për ndarje të Kosovës shpeshherë ka folur edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ambasadori amerikan Greg Delawie gjatë një interviste të enjten në emisionin “Rubikon” të KTV-së u citua nga medie të ndryshme në vend të ketë deklaruar se në dialog çdo gjë është e diskutueshme. Për më tepër, edhe vetë autori i emisionit Adriatik Kelmendi në një status në faqen e tij në “Facebook” shkroi se është për alarm ndryshimi i qëndrimit të prerë amerikan kundër opsionit të ndarjes së Kosovës. “Prej përjashtimit absolut të ‘ndarjes’ si opsion ‘i rrezikshëm’ e deri te relativizimi i skajshëm i kësaj teme nën arsyetimin se ‘kjo u mbetet palëve’”, ka shkruar në mes të tjerash Kelmendi.

Por, të premten (dje) Delawie ka reaguar përmes një postimi në “Twitter”, duke bërë thirrje që të injorohet ky “lajm i rremë”, siç e ka quajtur ai. “Injoroni lajmin e rremë. Ja se çfarë kam thënë: Kosova duhet të kuptojë se cilat janë qëllimet e saj, ajo duhet të përpiqet të arrijë një lloj konsensusi mbi këto qëllime dhe kjo është ajo në të cilën unë po përqendrohem tani”, ka shkruar Delawie.

Në anën tjetër, një marrëveshje të tillë të mundshme e ka komentuar edhe presidenti Thaçi, i cili tha se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të bëhet në dakordim të plotë me SHBA-në. Ndërkohë, kundër një marrëveshjeje të tillë ka dalë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili shkëmbimin e territoreve e ka konsideruar si të rrezikshëm. Edhe partitë opozitare janë shprehur kundër një marrëveshjeje të tillë, mirëpo as ata nuk e përjashtojnë mundësinë që në marrëveshjen finale të ketë edhe shkëmbim territoresh.

LEXO EDHE: Serwer: Nuk ka ndryshim të politikës amerikane, Delawie nuk është dashur të flas për ndarje

Thaçi: Nëse nuk ndodh marrëveshja do të bllokohemi nga Evropa

Presidenti Hashim Thaçi dje ka folur edhe një herë për marrëveshjen përfundimtare me shtetin serb. Ai gjatë gjithë kohës ka thënë se duhet të bëhen kompromise dhe se marrëveshja do të jetë e vështirë, por nuk e ka specifikuar nëse Serbisë do t’i jepet veriu në shkëmbim të kësaj marrëveshjeje.

Thaçi më tutje ka komentuar edhe deklaratën e ambasadorit të SHBA-së Greg Delawie dhe tha se vlerëson deklarimin e sinqertë të ambasadorit.

“Mendoj dhe vlerësoj deklarimin e sinqertë të Delawies, duhet të merret seriozisht nga të gjithë pa dallim. Një gjë ju siguroj, marrëveshja do të jetë e dakorduar me SHBA-në dhe me BE-në, vetëm kjo garanci është besim për ne. Kosova nuk guxon ta marrë 

përgjegjësinë e dështimit, kushdo që e merr këtë përgjegjësi do të jetë e izoluar. Nëse nuk ndodh marrëveshja do të bllokohemi nga Evropa”, ka thënë Thaçi në një konferencë për medie.

Qeveria: Nuk ka shkëmbim të territoreve, është rrezik

Ndërkaq Zyra e Kryeministrit Haradinaj në një përgjigje dhënë gazetës “Zëri” ka thënë se kryeministri Haradinaj nuk ka ndryshuar qëndrim rreth ndarjes së Kosovës. Sipas tyre, nuk do të ketë lëvizje të kufijve. “Ndarja për mua është luftë, unë këtë e them pa hezitim dhe është rrezik të flasim për ndarje. Nuk është mirë të përmendim ndarje. Kushdo që e përmend ndarjen, për çfarëdo arsye, e ka gabim, do t’i sjellë një tragjedi Ballkanit. Nuk ka ndarje, nuk ka shkëmbim territoresh e lëvizje kufijsh, është rrezik, nuk bëhet në këto rrethana”, thuhet në përgjigjen dhënë “Zërit”.

Haziri: Është koha t’u bëhet zgjidhje shqiptarëve në Serbi

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se çështjen e shkëmbimit të territoreve e ka paralajmëruar para katër vjetësh. Sipas tij, tani është koha që të zgjidhet çështja e komunave që kanë mbetur brenda Serbisë.

“Lindja e Kosovës dhe komunat e saj që mbetën ‘brenda’ Serbisë kërkojnë zgjidhje politike. Ka katër vjet që ju kam paralajmëruar për këtë dhe kam paraqitur opsion të përgjegjshëm politik. Ish-kryeministri Thaçi e quajti të rrezikshëm atëherë. Tash ju po e quani shaka e punë votash.

Për ju është edhe e rrezikshme, edhe shaka e edhe punë votash. Por, për mua është vetëm borxh politik dhe padrejtësi historike të mos e zgjidhim këtë proces”, ka shkruar ai.

LVV: Në negociatat e Thaçit me Serbinë çdo gjë është e mundur

Ndërkaq Rexhep Selimi, nga partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje, kur është pyetur në lidhje me mundësinë e marrëveshjes së shkëmbimit të territoreve me Serbinë tha se pikërisht për këtë arsye LVV-ja çdoherë ka qenë kundër negocimit me Serbinë, duke aluduar se çdo marrëveshje që bëhet është në dëm të Kosovës kur dialogohet me Serbinë.

“Për këtë arsye ne në vazhdimësi kemi qenë kundër negociatave, sepse në negociata mund të ndodhë gjithçka, prandaj ne kemi qenë kundër këtyre negociatave me Serbinë, e kur them që mund të ndodhë gjithçka nënkuptoj që gjithçka e keqe për Kosovën”, ka thënë ai.

Më tutje, Selimi tha se presidenti Thaçi që nga fillimi i negociatave me Serbinë e ka diskutuar shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës.  

“Thaçi në vazhdimësi e ka diskutuar pavarësinë dhe shtetin e Kosovës me Serbinë, pra e ka bërë shtetësinë e Kosovës të diskutueshme me Serbinë”, tha Selimi.

 Reagimet në Luginë

Ragmi Mustafa, shef i këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Asamblenë Komunale të Bujanocit, subjekt ky politik që udhëheq me këtë Komunë, ka deklaruar për “Zërin” se shkëmbimi i territoreve mund të ndodhë vetëm me pajtimin e dy palëve, por që, sipas tij, mundësia për të ndodhur një gjë e tillë është shumë e vogël.

“Procesi i shkëmbimit të territoreve është me shumë të panjohura dhe jo i qartë”.

Mustafa thotë se nuk pret që të ndodhë shkëmbimi i Luginës së Preshevës me veriun e Kosovës, por që, siç thotë ai, historia na ka mësuar që jo rrallëherë ndodh e pamundshmja.

Edhe Mehmet Azizi, aktivist politik nga Presheva, thotë se qe disa muaj kanë nisur një fushatë politike që Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e fazës finale të dialogut me Serbinë, duke kërkuar për shqiptarët e Luginës reciprocitet me serbët e Kosovës.

“Ne presim që përfundimi i këtyre bisedimeve t’i zgjidhë problemet shqiptaro-serbe”, është shprehur ai.

Krasniqi: Çështja e kufijve është mbyllur me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se çështja e kufijve në Ballkan duhet të konsiderohet çështje e mbyllur me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Sipas saj, çfarëdo ndryshimi i kufijve ekzistues përbën rrezik, pasi mund të krijojë efekt domino e që prek të gjithë rajonin dhe si pasojë edhe vetë stabilitetin dhe paqen e rajonit.

“Kosova ka përmbyllur çështjen e kufijve të saj me shpalljen e Pavarësisë në 2008-n. Kosova ka bërë kompromise të rënda me pakon e Ahtisaarit, duke i ofruar komunitetit serb të drejta të zgjeruara. Vetë Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja nuk duhet ta pranojnë diskutimin e skenarëve, të cilat mund të cenojnë funksionimin unitar të shtetit të Kosovës, karakterin multietnik të Kosovës, integritetin e saj territorial dhe sovranitetin e saj të brendshëm dhe ndërkombëtar”, ka thënë ajo. /ZERI

Image