Kisha Protestante kërkon vend për varreza

Aktuale July 20, 2018 - 17:29
Detajet

Kisha Protestante e Mitrovicës u ka kërkuar drejtuesve komunalë të Mitrovicës që t'u sigurojnë një vend për varreza për pjesëtarët e këtij komuniteti, raporton  “Zëri.info”.

 Nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, i cili ka biseduar me drejtuesin e Kishes Protestante Ungjillore "Fjala" në Vushtrri, pastorin Banush Elezi, ka thënë se do të shikohet mundësia për gjetjen e një hapësire për varrezat e protestantëve. Pastori Banush Elezi, i cili është përgjegjës edhe për Kishën në Mitrovicë, me nënkryetarin e Mitrovicës, Faruk Mujka, përveç për varrezat ka biseduar edhe për çështje të tjera që e preokupojnë anëtarësinë e kësaj Kishe.

Nënkryetari Mujka, i tha pastorit Elezi se Komuna e Mitrovicës ka bashkëpunim të mirë me të gjitha komunitetet fetare, prandaj edhe e mirëpret edhe bashkëpunimin me Kishën Protestante Ungjillore.Ndërkaq pastori Banush Elezi, duke falënderuar nënkryetarin Mujka për pritje dhe gatishmëri për bashkëpunim dhe mbështetje në zgjidhjen e disa çështjeve që e preokupojnë Kishën protestante dhe anëtarësinë e saj në Mitrovicë, tha se aktualisht problem kryesor për besimtarët e kësaj kishe është hapësira për varreza.

"Ne kemi anëtarësinë tonë, të  cilët kanë problem sa i përket varrimit të familjarëve të tyre, sepse nuk ka një hapësirë të posaçme për t'i varrosur të vdekurit. Do të ishte mirë që Komuna e Mitrovicës të gjej një hapësirë të përshtatshme dhe të na e zgjidh këtë problem që po na mundon shumë", tha pastori Elezi.

Ndërkaq, nënkryetari Mujka siguroi se komuna e Mitrovicës do të shqyrtoj me përgjegjësi këtë kërkesë, raporton tutje “Zëri.info”.

"Besoj se do të gjendet një zgjidhje e kënaqshme për të dyja palët", u shpreh Mujka. Në takim u diskutua edhe çështja e pjesëmarrjes së përfaqësuesit të Kishës Protestante Ungjillore në mbledhjet e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku janë të përfaqësuara edhe bashkësitë tjera fetare.Lidhur me  këtë çështje, nënkryetari Mujka tha se kjo është çështje e zgjidhur, sepse në listën e pjesëmarrësve në takimet  e këtij këshilli gjendet edhe përfaqësuesi i Kishës Protestante Ungjillore, por mund të ketë ndodhur ndonjë lëshim, i cili më nuk do të përsëritet. Nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka dhe  pastori Elezi, drejtues i Kishes Protestante Ungjillore u dakorduan se bashkëpunimi është në interes të të dyja palëve, por edhe të të gjithë qytetarëve të Komunës së Mitrovicës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare apo etnike. /ZËRI