Thaçi tregon se çka duhet të sakrifikojë Kosova për ta arritur marrëveshjen me Serbinë

Aktuale July 19, 2018 - 12:54
Lexoni më shumë detaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur para mediave sot edhe për takimin e djeshëm që pati me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq, raporton zeri.info.

Me këtë rast, Thaçi tha se ky takim ishte tejet i shkurtër, por edhe i vështirë njëkohësisht.

“Takimi i djeshëm ka qenë ndër më të shkurtit në 6 vitet e fundit, por edhe më i vështiri dhe më i rëndi. Nuk është lehtë të bisedohet me një president të Serbisë, që mendon se Kosova apo Kaçaniku, është zemra e Serbisë. Ky pozicion i presidentit Vuçiq është larg realitetit”, deklaroi kreu i shtetit.

LEXO EDHE: Thaçi: Edhe 3-4 muaj deri te finalizimi i procesit të vizave (VIDEO)

Ai më tej, tha se të dyja palët duhet të sakrifikojnë për të arritur deri te një marrëveshje finale.

“Edhe dje kemi potencuar se duhet të punojmë për marrëveshje sepse është në interesin e te dyja vendeve dhe se duhet të sakrifikojmë për ta arritur marrëveshjen përfundimtare. Kemi vendosur që të vazhdojë ky dialog pavarësisht pengesave dhe vështirësive”, shtoi ai.

Ndërkohë, i pyetur se çka duhet të sakrifikojë Kosova për këtë marrëveshje, Thaçi tha se këtu hyjnë populizmi, zërat nacionalistë, etj.

“Duhet ta sakrifikojmë populizmin, zërat nacionalistë, duhet t’ia dimë hallin vetes.  Kur thash për sakrificë mendoj që sakrifica më e madhe është të ulemi me presidentin Vuçiq. Nuk ka asnjë rrezik për pavarësinë e Kosovës, as për sovranitetin e saj. Nuk ka rrezik nëse arrihet një marrëveshje e paqes. Kemi përgjegjësi që të nisemi përpara, me hapa të kujdesshëm”, theksoi ai./Zeri