Çështja e personave të zhdukur, jashtë fazës finale

Aktuale July 19, 2018 - 08:44
Mësoni më shumë detaje

Zbardhja e fatit të 1.650 personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë nuk do të jetë temë e fazës finale të dialogut me Serbinë. Ndërsa përfaqësues të partive politike dhe familjarë të personave të zhdukur thonë se dialogu i Brukselit duhet të kushtëzohet me zbardhjen e fatit të të pagjeturve, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Që nga fillimi i dialogut të Brukselit më 2011-n pala kosovare disa herë ka kërkuar që zbardhja e fatit të të pagjeturve të trajtohet në këtë dialog.

Megjithatë, kjo kërkesë është refuzuar në vazhdimësi dhe pritet të mos përfshihet as në fazën finale të dialogut me Serbinë.

Shefi i delegacionit të niveli teknik të Kosovës, Avni Arifi, ka thënë për Zërin se delegacionet e këtij niveli në Bruksel do të bisedojnë për marrëveshjet e deritanishme dhe se këtu nuk do të hyjë çështja e personave të pagjetur.

Sipas tij, pas përfundimit të këtyre marrëveshjeve do të identifikohen temat e tjera të bisedimeve.

LEXO EDHE: Krerët e shtetit shkelin protokollin

“Ne bisedojmë vetëm për marrëveshjet ekzistuese. Nuk e di se kur do të diskutohet për këtë çështje, por prejse e kemi këtë Qeveri ne po synojmë t’i përfundojmë marrëveshjet ekzistuese, pastaj fillon një proces tjetër, ku duhet të identifikohen temat e bisedimeve. Unë nuk kam qenë në identifikimin e temave ekzistuese, ne i kemi trashëguar këto, por se kur mund të bisedojmë për temat e tjera nuk mundem të jap afat kohor”, ka thënë ai.

Ndërsa Ibrahim Makolli, kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë, për çështjen e personave të zhdukur ka thënë për Zërin se Bashkimi Evropian duhet të jetë më aktiv në këtë çështje dhe të shtrojë presion ndaj palës serbe.

“Republika e Kosovës dhe e Serbisë diskutojnë për çështjen e personave të zhdukur që nga viti 2004, përkatësisht nga viti 2005, kur kanë filluar të mbahen takimet e Grupit Punues për Persona të Zhdukur me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Megjithatë, është shumë e nevojshme përfshirja edhe më aktive e Bashkimit Evropian, pra e Brukselit zyrtar në këtë çështje, meqë e kemi vlerësuar si njëra nga mundësitë për të shtuar presionin ndaj palës serbe që të jetë më bashkëpunuese në këtë proces”, ka thënë ai. 

Makolli ka theksuar se çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet si çështje me prioritetet të veçantë, siç ka thënë ai, me qëllimin e vetëm që familjarët e personave të zhdukur të mësojnë sa më parë  të vërtetën për fatin dhe vendndodhjen e të afërmeve të tyre të zhdukur gjatë luftës. 

“Siç edhe dihet, pas përfundimit të luftës në Kosovë janë evidentuar 6057 persona të zhdukur. Si rezultat i angazhimit të institucioneve kompetente të Kosovës dhe me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, duke theksuar këtu edhe dialogun e zhvilluar në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, dialogun e zhvilluar në Bruksel dhe koordinimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë nga 6.057 rastet e evidentuara të personave të zhdukur aktualisht janë edhe 1.650 raste të hapura të personave të zhdukur”, ka deklaruar ai.

Makolli ka thënë se Serbia duhet të jetë më bashkëpunuese rreth kësaj çështjeje.

“Serbia duhet të jetë më bashkëpunuese në këtë proces dhe kjo para se gjithash do të nënkuptonte përfundimin e gërmimeve në lokacionet e shënjuara brenda territorit të Serbisë, si dhe bashkëpunimi përmes hapjes së arkivave të ish-Ushtrisë Jugosllave”, ka theksuar ai

Kajtazi: Dialogu duhej të kushtëzohej me temën për të zhdukurit

Anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Lirije Kajtazi, ka deklaruar se dialogu do të duhej të kushtëzohej me temën për të zhdukurit.

Sipas saj, deri më tani janë bërë hapa të gabuar rreth kësaj çështjeje.

“Është dashur qysh në fillim dialogun ta kushtëzojnë me këtë temë. Kohëve të fundit është mbajtur Samiti i Londrës, ku kryeministrja serbe e akuzoi kryeministrin e Kosovës, në njëfarë forme e kërcënoi me ndërprerje të dialogut për shkak të arrestimit të pesë serbëve. Nëse për ata pesë vetë kushtëzojnë dialogun, atëherë çfarë kuptimi ka që Kosova të vazhdojë me dialogun me ata që mbajnë dhe fshehin vendndodhjen e njerëzve, të cilët në mënyrën më të rëndë edhe i kanë masakruar”, ka thënë ajo.

Kajtazi ka theksuar se duhet të insistohet që kjo çështje të diskutohet edhe në Bruksel.

“Kjo çështje ka ndjeshmëri të madhe dhe për atë arsye edhe institucionet e vendit duhet t’i japin më shumë vëmendje. Për Bruksel duhet të insistohet vazhdimisht, sepse nuk e di se çfarë ka më të rëndësishme. Për ta marrë seriozitetin e bisedimeve me dikë është pikërisht kjo çështje, e cila është e paanashkalueshme, përndryshe çdo gjë tjetër është farsë për t’ia mundësuar Serbisë të ecën në rrugën Evropiane”, ka theksuar ajo.

Bejta: S’ka falje për Serbinë

Kryetari i organizatës joqeveritare “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta, ka thënë se për shkak të presioneve që mund t’i bëhen palës kosovare Serbia mund edhe të falet për krimet e kryera.

Ai e ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se falja do të ishte kundër Kushtetutës së vendit.

“Për shkak të presioneve dhe shantazheve nuk ka ndodhur të ngrihet kjo çështje. Pikërisht dje e pashë që Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të mbajë një mbledhje dhe  ia dërgova kryetarit të Komisionit Prenk Gjetaj dhe këshilltarit të kryeministrit Jahja Llukës një vërejtje. Në vazhdimësi thuhet se do të jetë një kompromis i dhimbshëm. Mund të ndodhë të ngrihet çështja në presionin dhe shantazhin ndërkombëtar dhe të ndodhë falja”, ka thënë ai.

Sipas tij, jeta e njeriut është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, andaj edhe falja do të ishte akt kundërkushtetues.

Lluka: Serbia është e obliguar të japë informacione për të pagjeturit

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Jahja Lluka, në mbledhjen e Komisionit për Persona të Zhdukur, e cila është mbajtur ditën e djeshme, ka thënë se liderët evropianë janë zotuar për të përshpejtuar zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Sipas tij, Serbia do të jetë e detyruar që të japë informacione për të pagjeturit.

“Në Samitin e Londrës njëra ndër pikat ka qenë edhe çështja e personave të zhdukur. Ka pasur të nënshkruhet edhe një plan zbatues, por në bazë të disa mosmarrëveshjeve ai nuk është nënshkruar. Është me rendësi se është hapur një dritë në fund të tunelit për zbardhjen e fatit për persona te zhdukur. Të gjithë liderët evropianë janë zotuar në shpejtimin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”, ka thënë ai.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dje ka formuar edhe një komision, i cili do të bëjë krahasim të gjetjeve nga raporti i Beogradit në lidhje me zbardhjen e fatit për personat e pagjetur. Anëtarët e zgjedhur për këtë komision janë: Naim Uka, Driton Spahiu, Violeta Kastrati, Arben Selimi, Arben Emini e Ahmet Grajqevci.