Krerët e shtetit shkelin protokollin

Aktuale July 19, 2018 - 08:29
Lexoni më shumë detaje

Liderët institucionalë dje kanë shkelur Ligjin për Protokollin Shtetëror, pasi kanë udhëtuar jashtë vendit në të njëjtën kohë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj dje për herë të tretë kanë bërë shkeljen e Ligjit mbi Protokollin e Shtetit, i cili parasheh që tre krerët e shtetit në të njëjtën kohë nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit.

“Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, thuhet në Nenin 19, paragrafi 4 në Ligjin mbi Protokollin Shtetëror, shkruan më tutje "Zëri".

Mirëpo të tre liderët kanë udhëtuar për në Bruksel për t’u takuar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Bashkë më të janë edhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj e Dardan Gashi.

LEXO EDHE: Ahmetaj: Liberalizimi përmbyllet këtë vit

Me daljen jashtë vendit të tre liderëve më të lartë të shtetit Kosova ka mbetur pa asnjërin prej krerëve të tri institucioneve kryesore në vend.

Këtë veprim të udhëheqjes së lartë të vendit njohësit e çështjeve kushtetuese e kanë konsideruar si shkelje të rëndë që po mbetet pa u ndëshkuar, sipas tyre krerët e shtetit vazhdimisht po shkelin aktin më të lartë juridik të vendit.

Ndërkohë, kujtojmë se po të njëjtin veprim Thaçi, Veseli e Haradinaj e kanë bërë edhe me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan vitin e kaluar.

Njëjtë patën vepruar edhe kur kishin udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”.

LDK: Lënia e vendit pa udhëheqës, e papërgjegjshme dhe e kundërligjshme

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, shkuarjen e krerëve institucionalë jashtë vendit e ka konsideruar si shkelje të rëndë të ligjit dhe papërgjegjësi të udhëheqësve të vendit.

“Këtë shkelje ata e kanë bërë edhe më herët, duke treguar se nuk brengosen për vendin. Ata vazhdimisht po shkelin këtë ligj dhe përveç kësaj mënyra sesi janë nisur është e pandërgjegjshme, e paligjshme dhe jo e koordinuar me të gjithë spektrin politik”, ka thënë ajo. 

Ajo ka thënë se më e rrezikshme se shkuarja e të tre udhëheqësve së bashku është shkuarja e tyre pa një ide të qartë se çfarë do të bisedojnë në Bruksel.

“Ju e dini qëndrimin e LDK-së rreth dialogut. Ata nuk është dashur të shkojnë pa një platformë të qartë. Ata kanë shkuar duke mos e ditur pse po shkojnë dhe qytetarët nuk e dinë se çfarë do të bisedojnë ata atje. Kjo është më e rrezikshme se çdo gjë tjetër”, ka përfunduar Kajtazi.

LVV: Ekipi i pamandatuar nuk mund të negociojë për Kosovën

Ndërkaq partia tjetër opozitare Lëvizja Vetëvendosje dje doli me një reagim mbi shkuarjen e tre krerëve të shtetit njëkohësisht në Bruksel për të dialoguar.

Sipas tyre, kjo mënyrë e dialogimit është në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe se ky ekip është i pamandatuar.

“Opozita e ka kundërshtuar shumë këtë mënyrë të dialogimit e të negocimit dhe sot ajo është shumica e popullit. Parlamenti nuk e ka mandatuar këtë ekip e sidomos Hashim Thaçin për të negociuar”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata më tutje thonë se nuk do ta njohin këtë proces për t’i shmangur planet e Serbisë për Kosovën.

“Ndaj ky proces nuk do të njihet. Në Bruksel po bëjnë pazar, kanë fluturuar atje pa shkuar fillimisht në Kuvend. Këta e kanë kundër jo vetëm Vetëvendosjen, por të gjithë opozitën dhe shumicën dërmuese të popullsisë së Kosovës për t'i shmangur planet e kamotshme katastrofale të Serbisë për Kosovën”, thuhet më tutje në këtë reagim.

Baraliu: Kushtetuta po shkelet vazhdimisht

Ndërkohë, njohësi i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu deklaroi se lënia e vendit pa udhëheqës është shkelje e rëndë e Kushtetutës

“Pavarësisht faktit që ata mund të fshehin para opinionit publik se shkuarja atje është e domosdoshme, mendoj se është që nuk ka qenë e nevojshme shkuarja e spektrit superior të udhëheqjes së vendit. Për më tepër, mbi këtë është lënia e vendit pa udhëheqje, që nuk do të duhej të ndodhte”, tha ai.

Baraliu sqaroi se Gjykata Kushtetuese, gjegjësisht kryetarja e saj, mund të marrë rolin e udhëheqësit e vendit, por kjo, siç ka shpjeguar ai, ndodh në raste të jashtëzakonshme dhe se kompetencat e saj janë tjera nga ato të tre udhëheqësve të vendit.

Ai më tutje e quajti papërgjegjësi lënien e vendit pa udhëheqje. Sipas tij, Kushtetuta në Kosovë po shkelet vazhdimisht.

“Kjo është një papërgjegjësi dhe shkelje e dispozitave kur lënë vendin pa udhëheqje. Në të katër anët e vendit shkelen dispozitat e Kushtetutës më shpesh se që mund të imagjinohet”, ka thënë ai.  

Ndërsa Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike, thotë se kjo është shkelja më e vogël në krahasim me shkeljet që bëjnë krerët e shtetit në vazhdimësi dhe të cilët po mbesin të pandëshkuar.

“Kjo është shkelja më e vogël nëse mund ta quajmë, sepse ata shkelin ligje çdo ditë. Kjo tregon papërgjegjësinë institucionale dhe individuale që e kanë karshi respektimit ose jo të ligjit. Kjo është një shkelje e përsëritur dhe vetëm na jep të kuptojmë se këta shkelin ligjin, nuk ndëshkohen dhe vazhdojnë ta bëjnë sërish të njëjtën gjë”, ka thënë ai.