Haradinaj i merr meritat për rekomandimin për vizat

Aktuale July 18, 2018 - 16:15
Lexoni më shumë detaje

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova sot edhe zyrtarisht e ka marrë lajmin e shumëpritur për rekomandimin pozitiv për viza, raporton “Zeri.info”.

Ky rekomandim pozitiv dëshmon se Kosova ka përmbushur edhe kushtin e fundit për liberalizim, luftimin ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Haradinaj përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka marrë meritat për vete rreth liberalizmit, duke thënë se falë angazhimit dhe punës së pakursyer të Qeverisë erdhi ky rekomandim, raporton “Zeri.info”.

“Me shumë përkushtim dhe vizion Qeveria që unë drejtoj, përgjatë tërë këtyre muajve, ka punuar pa u kursyer, në përmbushjen e kritereve të fundit të BE-së”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj. /ZËRI/

Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:

Kosova mori lajmin e shumëpritur për hapjen e rrugës drejt lëvizjës së lirë dhe përafrimit me familjen e madhe europiane!

Populli i Kosovës me shumë arsye i gëzohet sot rekomandimit pozitiv të Komisionit Europian për lëvizje të lirë në vendet e BE-së, duke u vlerësuar i barabartë me të gjithë qytetarët tjerë të rajonit dhe ata europianë.

Me shumë përkushtim dhe vizion Qeveria që unë drejtoj, pergjatë tërë këtyre muajve, ka punuar pa u kursyer, në përmbushjen e kritereve të fundit të BE-së.

Duke qenë të vetëdijshëm për sfidat, do ta intensifikojmë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe fuqizimin e vazhdueshëm të sundimit të ligjit, me bindjen se Parlamenti dhe Këshilli Europian do të përfillin rekomandimin e Komisionit dhe qytetarët kosovarë do të lëvizin pa viza.

Liberalizimi për Kosovën do të diskutohet deri në fund të gushtit në Parlamentin Europian, kurse i tërë procesi pritet të përmbyllet deri në fund të vitit.

Image