Zgjedhjet përfunduan para 9 muajve, 1600 komisionarë ende s’janë paguar

Aktuale July 18, 2018 - 07:52
Lexo detajet

Kanë kaluar nëntë muaj prejse janë mbajtur zgjedhjet lokale në Kosovë, por pavarësisht kësaj ende kanë mbetur të papaguar 1671 komisionarë nga të gjitha subjektet politike dhe nga shumica e komunave të Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

E. K., nga Komuna e Klinës, për “Zërin” ka treguar se tash e nëntë muaj është duke pritur që të paguhet për punën e komisionarit që ka kryer në zgjedhje.

LEXO EDHE: “Muri s’është mur”

“Si komisionar të zgjedhjeve lokale akoma nuk i kemi marrë pagat. Qe 9 muaj akoma po presim. Kam informacione se edhe shumë kolegë të mi nuk i kanë marrë pagat. Të gjithë ata çka i njoh unë janë nga Klina, por besoj që ka edhe nga qytetet e tjera”, ka thënë ai.

Një problem të tillë vlerësohet se e kanë edhe 1670 komisionarë të tjerë.

Ndërsa për kryerjen e borxheve ndaj komisionarëve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes një letre dërguar Ministrisë së Financave e të cilën e ka siguruar gazeta “Zëri” ka kërkuar që t’i ndahet një buxhet shtesë prej 140 mijë eurosh, pasi në buxhetin që ka KQZ-ja për këtë vit nuk mund ta bëjë këtë pagesë.

Mirëpo kërkesa për buxhet shtesë nuk është mbështetur nga Ministria e Financave.

KQZ-ja kërkon buxhet shtesë, MF-ja e refuzon

Në dokumentin që Komisioni Zgjedhor ia ka dërguar Ministrisë së Financave, të siguruar nga gazeta “Zëri”, është kërkuar që Ministria e Financave të ndajë buxhet shtesë për t’i paguar këta komisionarë. Por ka marrë përgjigje se ky obligim duhet të kryhet nga buxheti i KQZ-së i paraparë për vitin 2018.

“Ju rekomandojmë që obligimet tuaja t’i mbuloni duke u bazuar në ndarjen buxhetore të paraparë me Ligjin e Buxhetit për vitin 2018, si dhe duke respektuar Ligjin e Menaxhimit të Financave Publike, Nenin 30.2 me harmonizimin brenda nënprogrameve të KQZ-së”, thuhet në përgjigjen e Departamentit të Buxhetit drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në po të njëjtin dokument thuhet që KQZ-ja për shkak të pamundësisë për t’i shlyer këto obligime “i ka ngrirë” të gjitha aktivitet e planifikuara me Plan të Punës dhe të Prokurorimit.

“Sekretariati i KQZ-së duke marrë parasysh obligimet buxhetore dhe trysninë mjaft të madhe nga opinioni publik dhe trupat zgjedhore, të cilat nuk i kanë marrë pagesat, i ka ngrirë të gjitha aktivitetet e planifikuara me Plan të Punës dhe të Prokurimit. Por megjithatë transferimet e tilla sikundër shlyerja e obligimeve të vitit 2017 nuk mund të bëhen për shkak se sikundër e dini KQZ-ja është pa mandat dhe si e tillë nuk mund të marrë vendime”, thuhet më tutje në këtë dokument.

Për këtë çështje gazeta “Zëri” ka kërkuar sqarime nga Ministria e Financave, por nuk ka marrë përgjigje.

Dushi: Pagesat të përfundohen sa më shpejt

Florian Dushi, ish-anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka kërkuar që sa më shpejt të paguhen këta komisionarë, sepse sipas tij është e pakuptimtë që pas kaq shumë kohësh ende ka mungesë të pagesave.

“Ne e dimë që edhe një numër i komisionarëve të LDK-së janë të papaguar, prandaj kërkojmë që Komisioni Qendror i zgjedhjeve në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ta kryejnë këtë obligim sa më shpejt ndaj njerëzve, të cilët janë angazhuar në ditën e zgjedhjeve e që kanë kontribuar në mbarëvajtjen e tyre dhe ky është obligim që institucionet tona e kanë ndaj atyre njerëzve, është e pakuptimtë që ka mbetur ende pa u zgjidhur”, ka thënë Dushi.

Më tutje Dushi ka sqaruar që i gjithë ky problem ka lindur për shkak të mungesës së buxhetit të KQZ-së për vitin 2018.

“Për shkak të mungesës së buxhetit, prerjes që ndodh në fund të vitit për një grup të komisionarëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka arritur që t’i bëjë pagesat deri në fund të vitit, ajo është shtyrë për këtë vit dhe pastaj aty kanë lindur problemet në mes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Ministrisë së Financave”, ka thënë Dushi.

Vishaj: Ministria duhet t’i paguajë komisionarët

Binak Vishaj, ish-anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për gazetën “Zëri” ka thënë se pengesë në këtë çështje ka qenë edhe dhënia gabim e të dhënave personale nga vetë komisionarët.

“Nuk ka vetëm komisionarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por ka edhe komisionarë të subjekteve të tjera politike, pengesa ka qenë sepse ata fillimisht kanë dërguar të dhëna personale me gabime qoftë në numrin e llogarisë në bankë, qoftë të dhëna të tjera dhe kur nuk i kanë pasur të dhënat në rregull atëherë pagesat nuk kanë munduar të bëhen dhe janë kthyer mbrapa”, ka thënë Vishaj.

Si anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ai ka treguar që vazhdimisht ka bërë kërkesë në Ministrinë e Financave që kjo të përfundojë, mirëpo pa rezultate deri më tani.

“Pasi viti buxhetor 2017 ka përfunduar ne kemi sjellë prapë në Ministrinë e Financave kërkesën për pagesë të komisionarëve, sepse nuk është vetëm nga Komuna e Klinës, por ka edhe komisionarë nga komunat e tjera të Kosovës e sidomos në ato ku ka pasur rund të dytë të zgjedhjeve”, ka thënë ai.