“Muri s’është mur”

Aktuale July 18, 2018 - 07:50
Lexo detajet

Punët në ndërtimin e murit në Mitrovicë kanë vazhduar edhe të martën, derisa qytetarët e anës jugore të Mitrovicës kurrsesi nuk pajtohen me ndërtimin e murit, i cili njëherë ishte ngritur, por që më vonë ishte rrënuar. Megjithatë, institucionet vendore dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thonë se betoni që po ngrihet në veri të Ibrit nuk është mur, por pjesë e rrethrrotullimit që lidh anën jugore me atë veriore të Mitrovicës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se ky mur është pjesë e dizajnit të rrethrrotullimit që gjendet pak metra në veri të Ibrit dhe se është i paraparë në projektin për rivitalizimin e urës.

LEXO EDHE: Liderët takohen sot me Mogherinin

“Dizajni i anës veriore të rrethrrotullimit në Mitrovicë është rezultat i marrëveshjes së nënshkruar në Prishtinë më 4 shkurt 2017 dhe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të 25 gushtit 2015. Ai e ndërlidh projektin e BE-së për rivitalizimin e urës së Mitrovicës dhe hapësirat përreth me projektin për ta bërë rrugën e ‘Mbretit Peter’ shëtitore për këmbësorë. Të gjitha punimet priten të përfundohen në fund të këtij muaji”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së për “Zërin..

Edhe kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri ka thënë se ndërtimi i murit është pjesë e Marrëveshjes së arritur në Bruksel. Ai për mediet ka thënë se e di mirë çfarë shkruan në Marrëveshjen e Brukselit për urën.                                                                                         

“Unë nuk e di se ku ka shkaktuar shqetësim, unë e di te marrëveshja që u arrit në Bruksel dhe në Prishtinë, kjo e fundit ka qenë pa praninë time dhe është arritur marrëveshja që nuk është ai mur, por ai është 40 centimetra dhe më e madhja është 70 centimetra, që e ndan rrethrrotullimin prej shëtitores. Unë mendoj që është normale, nuk ka asgjë të keqe, nuk është asgjë përmbi marrëveshje, por është diçka në kuadër të kësaj marrëveshjeje të arritur”, ka thënë Bahtiri, i cili ka thënë se ai dhe inspektorët janë duke përcjellë punët dhe situatën.                                                                                                                 

“Inspektorati është duke e përcjellë çdo lëvizje dhe unë isha dje, e pashë vetë dhe kjo nuk do të thotë asgjë, ata munden të thonë çka të duan, mirëpo e vërteta është kjo, që nuk ka asnjë shqetësim, por është marrëveshje që është arritur dhe unë shpresoj që të përfundojë këtë muaj”, ka konstatuar i pari i Mitrovicës.                                                                                               

Ndërkohë, nënkryetari i Mitrovicës Faruk Mujka ka konstatuar se fillimi i ndërtimit të murit në veri të urës është rezultat i takimit të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj me udhëheqësit e Listës Serbe, Goran Rakiq e Millan Radojçiq. Ai e ka cilësuar murin “zhardinier, që në mënyrë elegante ndan qytetin e Mitrovicës”.

“Rezultatet e para të takimit të kryeministrit Ramush Haradinaj me Listën Serbe të udhëhequr nga Milan Radojiçiq dhe Goran Rakiq po shihen sot, ku si kompensim (kompromis) për rihapjen e urës mbi lumin Ibër po realizohet projekti i ndërtimit të murit, i lejuar në fillim të shkurtit 2017 nga Qeveria e Isa Mustafës nëpërmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, atëherë me ministër Ferat Shalën, por edhe të votuar në Kuvendin e Komunës Veriore të Mitrovicës, fatkeqësisht edhe me votat e asamblistëve shqiptarë, PDK, LDK e AAK”, ka deklaruar ai.                                      

Mujka ka thënë se ky mur nuk ka fare të bëjë me rivitalizimin e urës, por me një projekt të Komunës Veriore dhe të Bashkësisë Evropiane, kur deri atëherë rruga kryesore që lidhte tërë Mitrovicën me Zveçanin dhe ishte aorta e zhvillimit ekonomik të qytetit u shndërrua në shëtitore me qëllim primar që të ndërpritet lidhja fizike e dy pjesëve të qytetit, duke masakruar edhe më tepër planin e turpshëm dhe absurd të Ahtisaarit, Mitrovica një qytet – dy komuna.                                                                                        

“Tani synohet që përfundimisht Komuna Veriore të transformohet në qytet në vete dhe të shërbejë si kryeqytet për ‘Zajednicën’ e planifikuar”, thotë nënkryetari Mujka.             

Muri do të jetë i lartë 40 deri në 70 centimetra, i gjerë 50 centimetra dhe i gjatë 36 metra. Punimet është duke i kryer kompania “Rade”, pronar i së cilës është Rade Steviq, një bashkëpunëtor i afërt i Millan Radojqiqit, nënkryetarit të Listës Serbe.