Çka po e frikëson BE-në në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën?

Aktuale July 16, 2018 - 16:25
Detajet

Numri i madh i të rinjve të papunë dhe frika nga një përpjekje tjetër migrimi drejt vendeve të Bashkimit Evropian, sipas analistëve, mund të shihen si pengesa që ka Kosova për realizimin e synimit të saj për liberalizimin e vizave.

Analistët thonë se te vendet anëtare të BE-së, sidomos ato vende ku synojnë të shkojnë qytetarët e Kosovës në kërkim të një vendi pune dhe një jete më të mirë, droja është më e madhe se liberalizimi do të mund të keqpërdorej.

Ka tri javë që Kosova është në pritje të rekomandimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian.

Pas ratifikimit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe prezantimit të rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, institucionet e Kosovës dhe liderët politikë ishin shprehur optimistë, se Bashkimi Evropian do të nxirrte rekomandime pozitive.

Por, një vendim i tillë ende nuk është marrë në Bruksel.

LEXO EDHE: “Ethet” e liberalizimit

Taulant Kryeziu, njohës i çështjeve të integrimit evropian tha për Radion Evropa e Lirë se janë disa çështje që kanë ndikuar në këtë hezitim të Bashkimit Evropian në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Arsyeja pse unë shoh gjasa të vogël që në këtë vit të lëvizim lirshëm në vendet e BE-së, është sistemi jonë i drejtësisë i cili nuk ka treguar përkushtimin dhe vullnetin për t’u marrë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të profileve të larta. E dyta, ekziston një klimë jo pozitive brenda vendeve të fuqishme të Bashkimit Evropian sa i përket çështjes së migrimit”.

“Kemi parë shqetësimet që ka qeveria populiste italiane, me atë që po quhet barra e emigrantëve dhe atë që kërkojnë që kjo barrë e emigrantëve të ndahet me brenda gjithë vendet anëtare të BE-së dhe jo të atakohet vetëm një vend. Problemet që ka pasuar pastaj kancelarja Angela Merkel me partnerin e saj konservativ të koalicionit, i cili ka bërë thirrje edhe për mbyllje të kufijve”, thekson Kryeziu.

Këto elemente, shton Kryeziu, do të prodhojnë vonesa në vendimmarrjen politike nga ana e Bashkimit Evropian në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ndërkaq, analistja e çështjeve të integrimeve evropiane Jehona Lushaku - Sadriu thotë për Radion Evropa e Lirë se frika nga migracioni është e dyanshme, si për Bashkimin Evropian, ashtu edhe për Kosovën.

“Ka shumë arsye, disa kanë të bëjnë me politikat e brendshme të Bashkimit Evropian. Ata janë momentalisht duke u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme dhe ka kalkulime të ndryshme politike të partive politike brenda institucioneve të BE-së. Ata janë duke kalkuluar për penalizmin që mund të kenë, në qoftëse e përkrahin liberalizmin e vizave për Kosovën”.

“Frika që mund të jetë për Kosovën është mos kontrolli ndaj migracionit. Nëse do të ballafaqohet Kosova, por edhe BE-ja me një valë të re të migracionit nga Kosova atëherë do të shihet si shumë problematike dhe me shumë ndikim në zgjedhjet e ardhshme në Bashkimin Evropian, meqë migracioni është një politikë mjaft problematike edhe aktualisht”, thotë Lushaku-Sadriu.

Ndryshe, në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015, duke shfrytëzuar kufirin e ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, mijëra qytetarë të Kosovës në mënyrë të paligjshme, ishin nisur drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Vala e madhe e migrimit të qytetarëve nga Kosova pati detyruar autoritetet në Hungari, Serbi, Austri dhe Gjermani, që të forcojnë kontrollet e kufirit, për të penguar kalimin e paligjshëm.