“Ethet” e liberalizimit

Aktuale July 16, 2018 - 07:49
Mësoni më shumë detaje

Këtë javë pritet të publikohet rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Pushtetarët thonë se presin rekomandim pozitiv, ndërsa opozita dhe njohës të integrimeve thonë se është vështirë e mundshme që liberalizimi të ndodhë këtë vit, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Këtë javë pritet të publikohet rekomandimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Derisa zyrtarët qeveritarë shprehen të bindur se ky rekomandim do të jetë pozitiv, opozita dhe njohës të integrimeve janë skeptikë rreth mundësisë së heqjes së regjimit të vizave brenda këtij viti.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas mbledhjes se fundit të Qeverisë bëri të ditur se rekomandimi i Komisionit Evropian do të publikohet gjatë kësaj jave e i cili sipas Haradinajt do të jetë pozitiv për Kosovën, shkruan më tutje "Zëri".

“Më 17 ose më 18 pritet të kemi vlerësimin e Komisionit, i cili besoj që do të jetë pozitiv dhe do të kalojë nëpër etapat implementuese pastaj”, ka deklaruar Haradinaj.

Pushteti: Liberalizimi ndodh këtë vit, krimi e korrupsioni s’mund ta pengojnë lëvizjen e lirë 

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, për gazetën Zëri ka thënë se pritjet e Qeverisë janë që në fund të këtij viti qytetarët të lëvizin lirshëm.

“Rekomandimi edhe pse i vonuar presim të jetë pozitiv dhe është merituar shumë më herët nga populli i Kosovës. Pritjet tona janë që në fund të vitit të përfundojnë të gjitha procedurat dhe ne të lëvizim lirshëm”, është shprehur ajo.

Më tej ajo ka thënë se Kosova po lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe se BE-ja po vazhdon të zvarrisë edhe më tutje liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Janë bërë hapa konkretë, të cilët do të vazhdojnë për ta luftuar një fenomen i cili është vënë si kusht padrejtësisht. Nëse vlerësohet drejt nuk ka arsye që sa i përket këtij kriteri të mos jepet liberalizimi, sepse nuk është kriter që është vendosur këtë vit ose vitin e kaluar, por është në vazhdimësi. Edhe pas liberalizimit të vizave shoqëria kosovare duhet të përballet çdo ditë me krim të organizuar dhe me korrupsion”, ka shtuar Haxhiu.

LVV: Liberalizimi, në mesin e vitit të ardhshëm

Ndërkaq Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane nga Lëvizja Vetëvendosje, është shprehur skeptike që liberalizimi i vizave ndodh këtë vit. Sipas saj, qytetarët e Kosovës nuk do të mundë të lëvizin lirshëm deri në mesin e vitit të ardhshëm.

“Tash edhe procesi i dialogut po ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave. Kjo mund të nënkuptojë që eventualisht kemi kushtëzime të reja në këtë drejtim. Të gjithë neve do të na vinte mirë sikur këtë vit Kosova të fitonte liberalizimin, por ne jemi shumë skeptikë sepse qysh më herët kemi deklaruar se nuk ekzistojnë gjasat që të ndodhë liberalizimi këtë vit edhe nëse do të vinte një rekomandim pozitiv, me optimistja do të ishte diku mesi i vitit të ardhshëm, pasi çdo gjë është vonuar në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Sipas deputetes së Vetëvendosjes, Kosova nuk do të mundë ta zërë hapin për liberalizim këtë vit, pasi sipas saj BE-ja nuk do të duhet t’i mbyllë sytë para krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

“Liberalizimi do të ndodhë nëse BE-ja do t’i mbyllë sytë para kushtit të fundit, që është luftimi i krimit dhe i korrupsionit, i cili është prezent dhe Qeveria nuk ka treguar vullnet që ta përmbushë këtë kriter”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, ditë më parë deputeti i Alternativës Ilir Deda deklaroi për “Zërin” se ndonëse rekomandimi publikohet brenda këtij muaji Qeverisë i duhet ndihma e opozitës për lobim në Francë e në Holandë, pasi këto dy shtete kanë skepticizëm për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Liberalizimi vonohet ende nëse lidhet me procesin e dialogut

Arben Fetoshi, njohës i integrimeve evropiane, thotë se Kosova ende ka gjasa që ta marrë liberalizimin këtë vit.

“Në qoftë se rekomandimi jepet së shpejti, pra këtë javë, fundi i vitit mendoj se është ende afat i arritshëm për fillimin e lëvizjes së lirë. Dinamika në fazën procedurale varet nga vullneti i institucioneve dhe i shteteve anëtare të BE-së. Pra, në qoftë se nuk ka ndërlidhje të liberalizimit me procese të rëndësishme, siç është faza e fundit e dialogut me Serbinë ose Gjykata Speciale, atëherë ka ende kohë që deri në Samitin e fundit të Këshillit për këtë vit të përmbyllet procesi i vendimmarrjes”, ka vlerësuar Fetoshi.

Sipas tij, nuk ka ndonjë arsye që rekomandimi për vizat të vonohet edhe më tutje, por siç tha ai krejt kjo do të varet nga ndërlidhja ose jo me dialogun.

“Përndryshe, kriteri i fundit për liberalizim është proces i përkushtimit institucional dhe duke qenë se Kosova nuk paraqet ndonjë shqetësim serioz për kohezionin e brendshëm në BE s’ka arsye që rekomandimi të vonohet edhe më tutje. Krejt çka mendoj se mund të lëvizin janë afatet procedurale, pra përshpejtim ose zvarritje, varësisht nga ndërlidhja me dialogun ose jo”, ka thënë ai.

Ndërkaq Taulant Kryeziu, njohës i integrimeve evropiane, pret që rekomandimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të jetë pozitiv, por sipas tij problematike do të jetë rezistenca e Francës, e Gjermanisë dhe e Holandës në Këshill.

“Pres që raporti të jetë pozitiv dhe Komisioni të rekomandojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Por nuk duhet harruar një gjë, se raporti është pjesa teknike e procesit, i cili kërkon një vendimmarrje politike në Këshill, aty ku unë pres rezistencë të fuqishme politike të vendeve anëtare siç janë Franca, Gjermania dhe Holanda”, ka potencuar Kryeziu.

Ai më tej ka thënë se më e mira do të ishte që vendimi të merrej këtë vit, pasi që viti tjetër është vit zgjedhor në institucionet e BE-së dhe se kjo mund ta prolongojë edhe më shumë këtë proces.

“Vlerësimi im është se duke pasur parasysh tri fakte kryesore: Kosova nuk ka shënuar progres në trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit lartë; duke pasur parasysh mjedisin jashtëzakonisht negativ politik në BE për çështje të migrimit; kërkesën e Këshillit për Komisionin për të raportuar se a është duke vazhduar përmbushja edhe e kritereve të tjera e bën që procesi të ketë vonesa, gjë që zvogëlon gjasat shumë për ta siguruar liberalizimin e vizave këtë vit”, tha Kryeziu.