Aktuale

KDI: Gjysma e deputetëve të Kuvendit janë pasivë

KDI: Gjysma e deputetëve të Kuvendit janë pasivë
14 korrik 2018 • 10 : 08

Lexo detajet

Agnesa Haxhiu, hulumtuese nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë kjo që vazhdimisht e monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, në prononcimin e saj dhënë për gazetën “Zëri” ka thënë që në bazë të monitorimit gjysma e deputetëve janë pasivë, shkruan sot Gazeta "Zëri".
 

“Gjysma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë pasivë në ushtrimin e funksionit të tyre si deputetë të Kuvendit qoftë për mospjesëmarrje në punimet e Kuvendit ose edhe duke mos parashtruar pyetje për anëtarët e kabinetit qeveritar, ka thënë ajo.

Sipas saj, problem në ngecjen e punëve të Kuvendit të Kosovës paraqet fakti që shumica e deputetëve braktisin seancat ende pa përfunduar puna.

“Në bazë të listave të nënshkrimeve të Kuvendit mbi 90% e deputetëve janë të pranishëm në çdo seancë të mbajtur gjatë këtij viti. Mirëpo, problemi qëndron në atë se të njëjtit nuk kanë qëndruar në sallë deri në përmbyllje të punimeve, duke e pamundësuar mbarëvajtjen e seancave për shkak të mungesës së kuorumit, deputetët që kanë munguar më së shumti në seanca e që nuk kanë marrë pjesë gati në 50% të seancave janë Ramiz Kelmendi, Gani Dreshaj dhe Teuta Rugova”, ka thënë më tutje Haxhiu.
Ndërkaq sa u përket pyetjeve parlamentare, sipas Haxhiut, 66 deputetë të Kuvendit të Kosovës asnjëherë nuk i kanë parashtruar pyetje kabinetit qeveritar.

“Grupi Parlamentar i LVV-së ka parashtruar gjithsej 73 pyetje dhe Grupi Parlamentar i LDK-së ka parashtruar 60 pyetje për kabinetin qeveritar. Për periudhën shtator - maj të kësaj legjislature prej 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës 54 prej tyre kanë parashtruar pyetje parlamentare, përderisa 66 deputetë të tjerë nuk kanë parashtruar asnjë pyetje parlamentare. Deputetët me më së shumti pyetje janë: Avdullah Hoti (11), Shqipe Pantina (11) Arbër Rexhaj (11), Albulena Haxhiu (10), Ismajl Kurteshi (10), Drita Millaku (10), Besa Baftiu (9) e Arbërie Nagavci (8)”, ka thënë ajo.

© zëri.info