Mësohen temat e takimit të kryeministrave në Londër

Aktuale July 09, 2018 - 12:31
Lexoni më shumë detaje

Nesër pritet të takohen kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në Samitin e Londrës, i cili mbahet në kuadër të “Procesit të Berlinit”.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se fokusi i këtij Samiti do të jenë siguria, ekonomia dhe bashkëpunimi politik.

Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa pjesëmarrës të tjerë do të jenë edhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli dhe ai i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi.

LEXO EDHE: Kryeministrat takohen në Londër, flasin edhe për luftimin e korrupsionit

“Siç e bëri të qartë kryeministrja në Samitin e Sofjes më 17 maj 2018, ‘Mbretëria e Bashkuar ka një angazhim të gjatë dhe të vazhdueshëm në rajon dhe dua t’ju sigurojmë se kjo do të vazhdojë’”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ambasade.

Në Samitin e pestë me radhë në kuadër të “Procesit të Berlinit” Mbretëria e Bashkuar synon të përqendrohen me partnerët në tri çështje tematike.

“Së pari, për të forcuar bashkëpunimin rajonal të sigurisë dhe për të ndihmuar në trajtimin e kërcënimeve të përbashkëta, duke përfshirë korrupsionin, krimin e rëndë dhe të organizuar, trafikimin e njerëzve, të drogës dhe të armëve të zjarrit, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për gazetën “Zëri”.

Po ashtu do të diskutohet edhe për stabilitetin ekonomik, me qëllim të përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes.

“Së dyti, për të rritur stabilitetin ekonomik me qëllim përmirësimin e mjedisit të biznesit, nxitjen e sipërmarrjes, trajtimin e papunësisë së të rinjve dhe promovimin e ndërlidhjes rajonale”, bën të ditur për “Zërin”, Ambasada Britanike.

Kurse tema e tretë e këtij samiti është bashkëpunimi politik për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet.

“Së treti, për të nxitur bashkëpunimin politik, për të ndihmuar rajonin të zgjidhë mosmarrëveshjet dypalëshe dhe të kapërcejë çështjet e trashëgimisë që rrjedhin nga konfliktet e viteve 1990 dhe për të forcuar demokracinë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar. /ZËRI/