Kryeministrat takohen në Londër, flasin edhe për luftimin e korrupsionit

Aktuale July 09, 2018 - 08:06
Lexoni më shumë detaje

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se fokusi i këtij Samiti, që do të mbahet nesër, do të jetë siguria, ekonomia dhe bashkëpunimi politik. Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa pjesëmarrës të tjerë do të jenë edhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli dhe ai i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi

Nesër pritet të takohen kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në Samitin e Londrës, i cili mbahet në kuadër të “Procesit të Berlinit”.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka konfirmuar për gazetën Zëri se fokusi i këtij Samiti do të jenë siguria, ekonomia dhe bashkëpunimi politik.

LEXO EDHE: Kundërshtohet importi i veturave të vjetra

Delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa pjesëmarrës të tjerë do të jenë edhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli dhe ai i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë për gazetën Zëri ka konfirmuar se më datën 10 korrik kryeministrja britanike Theresa May do ta presë Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër si një shenjë e angazhimit të gjatë të këtij shteti në rajon dhe në sigurinë evropiane.

Tri temat që do të diskutohen

“Siç e bëri të qartë kryeministrja në Samitin e Sofjes më 17 maj 2018, ‘Mbretëria e Bashkuar ka një angazhim të gjatë dhe të vazhdueshëm në rajon dhe dua t’ju sigurojmë se kjo do të vazhdojë’”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ambasade.

Në Samitin e pestë me radhë në kuadër të “Procesit të Berlinit” Mbretëria e Bashkuar synon të përqendrohen me partnerët në tri çështje tematike.

“Së pari, për të forcuar bashkëpunimin rajonal të sigurisë dhe për të ndihmuar në trajtimin e kërcënimeve të përbashkëta, duke përfshirë korrupsionin, krimin e rëndë dhe të organizuar, trafikimin e njerëzve, të drogës dhe të armëve të zjarrit, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës për gazetën “Zëri”.

Po ashtu do të diskutohet edhe për stabilitetin ekonomik, me qëllim të përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes.

“Së dyti, për të rritur stabilitetin ekonomik me qëllim përmirësimin e mjedisit të biznesit, nxitjen e sipërmarrjes, trajtimin e papunësisë së të rinjve dhe promovimin e ndërlidhjes rajonale”, bën të ditur Ambasada Britanike.

Kurse tema e tretë e këtij samiti është bashkëpunimi politik për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet.

“Së treti, për të nxitur bashkëpunimin politik, për të ndihmuar rajonin të zgjidhë mosmarrëveshjet dypalëshe dhe të kapërcejë çështjet e trashëgimisë që rrjedhin nga konfliktet e viteve 1990 dhe për të forcuar demokracinë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.

Delegacioni nga Kosova

Zyra për Informim në Qeverinë e Kosovës ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se në Samitin e Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Londër, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Në sesionin kryesor të datës 10 korrik do të jenë dy sesione, njeri i udhëhequr nga kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May dhe tjetri sesion nga kancelarja gjermane Angela Merkel.

Në këtë Samit përveç kryeministrit Haradinaj marrin pjesë edhe ministrat Behgjet Pacolli e Bejtush Gashi.

“Në Londër, po në këtë Samit, me rol të veçantë do të jenë edhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi. Ekonomia, politika e jashtme, çështjet bilaterale, siguria dhe migrimi janë disa nga temat e Samitit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Kurse profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë për gazetën “Zëri” se samitet e tilla janë shumë të rëndësishme, në radhë të parë për faktin se janë forume ku mblidhen krerët e shteteve, që mund të jenë presidentë vendesh ose kryeministra ose edhe mbretër.

“Nisur nga primati i Samitit, nuk do koment se është një eveniment i një rëndësie të veçantë dhe në dritën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Është po ashtu i rëndësishëm për faktin se do të rikonfirmohet edhe një herë interesimi i BE-së, në radhë të parë i shteteve më të fuqishme, për përfshirjen e kësaj pjesë në BE”, ka vlerësuar Hoti.