Kundërshtohet importi i veturave të vjetra

Ekonomia July 09, 2018 - 07:54
Mësoni më shumë shumë detaje

Ministria e Infrastrukturës po e kundërshton nismën e heqjes së kufizimit për importin e veturave më të vjetra se 10 vjet. Në këtë institucion alarmojnë se me këto ndryshime rrezikohet siguria në trafik dhe iniciativa ligjore bie ndesh me rekomandimet e Komisionit Evropian për mjedisin, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ligji për Automjete, i cili ndalonte importin e veturave më të vjetra se 10 vjet, mund të rikthehet sërish me një nismë që deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku javë më parë e prezantoi në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik.

Kjo iniciativë po cilësohet e rrezikshme për sigurinë në trafik dhe pritet ta sjellë në kaos të vërtetë gjendjen e ambientit në Kosovë.

LEXO EDHE: Thaçi në ''rrugë pa krye''

Të paktën kështu janë duke paralajmëruar në Ministrinë e Infrastrukturës, si dhe organizatat që merren me mbrojtjen e mjedisit, shkruan më tutje "Zëri".

Ndryshimi i Ligjit për Automjete është vlerësuar i panevojshëm edhe nga Ministria e Infrastrukturës (MI).

Në një përgjigje me shkrim për gazetën Zërizyrtarët për Informim janë shprehur se me këto ndryshime ligjore Kosova pritet të shndërrohet në varreza automjetesh të kalbura, të cilat e ndotin tej mase ambientin.

“Ndryshimi i neneve 44, 63 e 89 të Ligjit për Automjete është i panevojshëm dhe i paarsyeshëm për Ministrinë e Infrastrukturës. Ndryshimet e propozuara krijojnë mundësi për çrregullim të tregut të importit të automjeteve, të cilat janë në dëm të sigurisë në komunikacionin rrugor dhe të shëndetit të qytetarëve në përgjithësi”, thuhet në përgjigjen me shkrim të këtij institucioni.

Më tutje thuhet se derisa Komisioni Evropian (KE) e ka inkurajuar shtetin e Kosovës për të futur në treg automjete ekologjike që nuk e ndotin ambientin, kjo nismë, sipas tyre, bie në kundërshtim me rekomandimet e KE-së. “Arsyetimi se me këto ndryshime do të mbrohet interesi i qytetarëve nuk qëndron, sepse interes i qytetarëve nuk është që Kosova të nxjerrë ligje dhe rregullore, të cilat rrezikojnë sigurinë në trafik”, theksohet në përgjigjen e Zyrës për Informim në MI.

Dogana: Ulje e importit të veturave për 35 për qind

6 mijë e 820 vetura kanë hyrë në Kosovë përmes rrugëve doganore deri në maj të këtij viti.

Duke iu referuar statistikave zyrtare të Doganës së Kosovës (DK), në janar janë importuar 1057 vetura, në shkurt 1033, në mars 1489, në prill 1511 e në maj 1730. Shifra këto që po cilësohen më të ulëta për 35 për qind, të krahasuara me vitin paraprak.

Nga importi i veturave baza doganore arrin shumën e 69 milionë e 515 mijë e 579 eurosh.

E vogël nuk po del të jetë as shifra e taksave të grumbulluara në emër të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), e cila arrin vlerën 13 milionë e 362 mijë e 764 euro, akciza 2 milionë e 631 mijë e 400 euro.

Shuma totale e grumbulluar nga importi i këtyre veturave arrin në 20 milionë e 452 mijë e 665.85 euro.

Këto shifra po rezultojnë të jenë të ulëta si pasojë e Ligjit për Kufizimin e Veturave të Importuara, i cili ndalonte regjistrimin e automjeteve që janë më të vjetra se 10 vjet. Kështu thuhet në përgjigjen që Zyra për Informim e Doganës së Kosovës (DK) ia ka dhënë gazetës “Zëri”.

Adriatik Stavileci, zyrtar për Informim në këtë institucion, pranon uljen e importit të veturave për 35 për qind më pak se vitin e kaluar.

“Gjithsesi se kemi rënie të numrit të importit të veturave, pasi Ligji për Kufizimin e Importit ka ndikuar në ulje me rreth 35% më pak import se vitin e kaluar. Derisa vendet e importit janë Gjermania me rreth 70%, pastaj Franca, Rumania, Spanja e Japonia. Pra dominojnë brendet gjermane”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Por, këto shifra ka gjasa të ndryshojnë nëse nisma e deputetit të PDK-së Mërgim Lushtakut për t’u hequr kufizimi i importit të veturave më të vjetra se 10 vjet kalon në Kuvendin e Kosovës.

Para një jave nismën e tij e përkrahën në parim anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Lushtaku: Nisma, për qytetarët

Me propozimin e kësaj iniciative Mërgim Lushtaku, anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, po pretendon të plotësojë kërkesat që thotë se i kanë ardhur nga qytetarët.

Lushtaku ka treguar për “Zërin” se kjo nismë pritet të kalojë shpejt në lexim të parë, ndërsa pas leximit të formohet një grup punues nëse ka nevojë për ndryshim të ligjit.

“Unë e kam bërë këtë nismë ligjore pasi kam pasur kërkesa prej qytetarëve. Pastaj kam konsultuar ekspertë kompetentë. Kjo është plaçkë e qytetarëve. Kam hulumtuar edhe ligje, ku e kemi parë edhe këtë nen të caktuar për çështjen e importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet. Në këtë aspekt kam hulumtuar edhe ligjet evropiane, të shteteve evropiane”, ka  thënë më tutje ai.

Madje e quan të paarsyeshme ndalesën që i është bërë vendit me kufizimin e importit të veturave të vjetra.

“Në këtë drejtim kam parë se nuk ka asnjë shtet në botë që e ka të kufizuar të lejojë importin e veturave më të vjetra. Por, e kanë të standardit për kujdes ndaj ambientit dhe sigurisht edhe siguria e veturave ka qenë si kriter në vendet e tyre. Nuk e kam parë të arsyeshme që duhet ta ketë vendi këtë ndalesë. Nuk është kriter vjetërsia, por duhet të jetë ambienti dhe siguria. Është mundësia t’i ndalojmë këto pengesa me kontrolle teknike”, ka theksuar në mes të tjerash Lushtaku.

Për aspektin e ndotjes mjedisore nga importi i veturave nuk janë përgjigjur në Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor (MMPH) pavarësisht se pyetjet i janë përcjellë në adresën zyrtare të institucionit.

Çështjen në fjalë e kanë komentuar organizatat që merren me mbrojtjen mjedisore, të cilat e vlerësojnë nismë të gabuar heqjen e kufizimit të importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet.

Hasanaj: Prapa këtij vendimi janë interesat e politikanëve

Deklaratat e deputetit Mërgim Lushtaku se nisma është bërë me kërkesë të qytetarëve i ka hedhur poshtë drejtori ekzekutiv i organizatës mjedisore “Let’s Do it Kosova”, Luan Hasanaj.

Hasanaj e ka vlerësuar të gabueshme nismën për heqjen e kufizimit të importit të veturave.

Në një përgjigje për gazetën “Zëri” ai ka përmendur një varg të faktorëve negativë nga ky vendim, duke përfshirë aksidentet e ndotjen e mjedisit.

“Prapa këtij vendimi janë interesat personale të politikanëve dhe s’ka të bëjë asgjë me interesin e qytetarëve. Nëse politikanët vërtet brengosen për interesin e qytetarëve, atëherë duhet të investojnë në transportin publik. Biletat e autobusit në Kosovë janë më të shtrenjtat në rajon dhe asnjëherë askënd nga deputetët nuk e dëgjuam duke reaguar për këtë”, ka shtuar përfaqësuesi i organizatës “Let’s Do it Kosova”.

Ai më tutje ka thënë se një pjesë e deputetëve po pengojnë iniciativat e pakta për ruajtjen mjedisore.

“Të mos të flasim për ndotjen e mjedisit. Vendi është më i ndoturi në Evropë dhe deputetët sillen sikur kjo është normale, madje një pjesë e tyre mundohen t’i pengojnë ato pak iniciativa për ruajtje të mjedisit”, ka përfunduar Hasanaj.

Ligji për Automjete ka hyrë në fuqi që nga fillimi i janarit të këtij viti, përmes së cilit ndalohej importi dhe regjistrimi i veturave më të vjetra se 10 vjet.

Në Kosovë qarkullojnë rreth 315 mijë vetura, ndërsa mesatarja e vjetërsisë së tyre arrin në 18 vjet.

 

Image