Tryezat politike nuk kanë të ndalur, kjo është partia që do ta organizojë tryezën e radhës

Aktuale July 05, 2018 - 10:26
Detajet

Partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK-ja, po bëhet gati ta organizojë tryezën e radhës me partitë politike, ndonëse nga katër tryezat e tilla të organizuara së fundmi nuk është arritur kurrfarë konsensusi, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka konfirmuar për “Zërin” që tryezën e radhës do ta organizojë partia e saj, mirëpo nuk ka dhënë ende një datë se kur do të ndodhë kjo.

“Është radha jonë që të organizojmë një tryezë mes partive politike dhe ditëve në vazhdim Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duhet t’i bëjë përgatitjet dhe të sjellë këtë tryezë”, ka thënë ajo, duke shtuar se cilido qoftë përfundimi që nxirret nga këto tryeza AAK-ja nuk do ta shkëpusë bazën e tyre.

LEXO EDHE: Partitë vazhdojnë me tryezat e kota

Ndërsa duke folur për efektet që po krijojnë këto tryeza, Kadrijaj ka thënë që ato janë pozitive pasi aty diskutohen tema me rendësi për vendin.

“Me gjithë këto ndasitë në mes të partive politike për temat e përgjithshme mundësia e uljes në tryezë të subjekteve parlamentare është e mirë, sepse nxirret diçka cilado qoftë tema që diskutohet aty. Qëllimi i tyre është të debatohet për çështje me interes vital për Kosovën, qoftë dialogu, qoftë liberalizimi, etj”, ka thënë Kadrijaj.

Ndërkohë deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi, duke folur për gazetën “Zëri” ka deklaruar se tema e diskutimit në tryezën që do ta organizojë AAK-ja do të jetë “Reforma zgjedhore”. /ZËRI