Partitë vazhdojnë me tryezat e kota

Aktuale July 05, 2018 - 08:02
Mësoni më shumë shumë detaje

Partitë politike do të vazhdojnë me një rund të ri të organizimit të tryezave, ndonëse nga katër sosh të organizuara së fundmi nuk është arritur kurrfarë konsensusi, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK-ja, po bëhet gati ta organizojë tryezën e radhës me partitë politike, ndonëse nga katër tryezat e tilla të organizuara së fundmi nuk është arritur kurrfarë konsensusi.

LEXO EDHE: Luftimi i korrupsionit, ende nën ''llupën'' e BE-së

Tryeza e parë është organizuar nga partia më e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe në fund nga Partia Socialdemokrate e Shpend Ahmetit, shkruan më tutje "Zëri".

Vetë përfaqësuesit e subjekteve politike po i vlerësojnë si të paefektshme tryezat e tilla, ndonëse kanë qenë organizatorë të tyre.

“Unë kam pasur mendim negativ për këto tryeza. Kosova ka institucionet e saj, në të cilat mund të diskutohet dhe të bëhen marrëveshje, të miratohen platforma në Parlament dhe në Qeveri. Këto janë mekanizma që ne duhet t’i respektojmë”, ka thënë për “Zërin” deputeti i PDK-së Xhavit Haliti, njëherësh nënkryetar i Parlamentit të Kosovës, duke shtuar se këto tryeza prodhojnë vetëm efekte mediale dhe pa ndonjë sukses.

AAK-ja do të organizojë tryezë për reformën zgjedhore

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka konfirmuar për “Zërin” që tryezën e radhës do ta organizojë partia e saj, mirëpo nuk ka dhënë ende një datë se kur do të ndodhë kjo.

“Është radha jonë që të organizojmë një tryezë mes partive politike dhe ditëve në vazhdim Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duhet t’i bëjë përgatitjet dhe të sjellë këtë tryezë”, ka thënë ajo, duke shtuar se cilido qoftë përfundimi që nxirret nga këto tryeza AAK-ja nuk do ta shkëpusë bazën e tyre.


Ndërsa duke folur për efektet që po krijojnë këto tryeza, Kadrijaj ka thënë që ato janë pozitive pasi aty diskutohen tema me rendësi për vendin.

“Me gjithë këto ndasitë në mes të partive politike për temat e përgjithshme mundësia e uljes në tryezë të subjekteve parlamentare është e mirë, sepse nxirret diçka cilado qoftë tema që diskutohet aty. Qëllimi i tyre është të debatohet për çështje me interes vital për Kosovën, qoftë dialogu, qoftë liberalizimi, etj”, ka thënë Kadrijaj.

Ndërkohë deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi, duke folur për gazetën “Zëri” ka deklaruar se tema e diskutimit në tryezën që do ta organizojë AAK-ja do të jetë “Reforma zgjedhore”.

Hoti: Qeveria e pakicës po e dëmton vendin

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” që tryeza e fundit e partive politike do të thirret nga partia e tij për të zgjidhur krizën institucionale në vend.

“Tryeza përfundimtare e partive politike do të thirret së shpejti nga LDK-ja për t’i përmbyllur konsultimet me forcat politike në vend. Qëllimi i tryezës ka qenë dhe mbetet dakordimi i spektrit politik në Kosovë për të nxjerrë vendin nga kriza institucionale, e cila është thelluar muajt e fundit”, ka thënë Hoti.

Hoti mes tjerash ka thënë që Qeveria aktuale është qeveri e pakicës dhe kjo gjë është duke e dëmtuar vendin.

“Qeveria e pakicës duket se është insistuese të qëndrojë në pushtet, pavarësisht se nuk ka fuqi politike për të qeverisur. Ky mentalitet i qeverisjes është duke e dëmtuar sistemin demokratik në vend, po e përkeqëson çdo ditë e më shumë qëndrueshmërinë fiskale të vendit përmes vendimeve të dëmshme për shpenzime të motivuara mbi baza të interesit individual dhe po i vonon reformat e nevojshme për integrim evropian”, ka thënë ai.

Tahiri: Tryezat po shfrytëzohen për interesat e partive

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike të vendit Ramush Tahiri konsideron që këto tryeza në rrethanat në të cilat po zhvillohen nuk janë serioze pasi po shfrytëzohen për interesa të partive politike të vendit.

“Faktikisht nuk ka një dokument deri më tash i cili është në tavolinë nga këto tryeza të mbajtura, i cili është harmonizuar dhe i cili pritet që të ofrohet në tryezë e pastaj të aprovohet në Kuvendin e Kosovës. Partitë po blejnë kohë dhe nuk e kanë seriozisht krijimin e ndonjë platforme, por po e shfrytëzojnë për qëllime të veta”, ka thënë Tahiri për “Zërin”.

Sipas tij, në rrethanat në të cilat po zhvillohen tryezat e partive po bëhen vetëm sa për të kaluar radhën pa ndonjë dokument konkret të nxjerrë nga këto bisedime.