Serbia në ''ofensivë diplomatike'' kundër Kosovës

Aktuale July 05, 2018 - 07:52
Lexoni më shumë detaje

Spekulimet dhe lajmet e mediave serbe për tërheqjen e njohjeve për Kosovën, shpesh kanë dalur të rrejshme.

Por e vërteta është se shteti serb ka nisur një ofensivë të ashpër diplomatike kundër Kosovës.

Veç tërheqjes së njohjeve, Daçiq me zyrtarët e tjerë serbë po lobojnë që Kosova ta ketë të pamundur anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Burundi, Guinea Bisau, Surinami e së fundi edhe Liberia ishin disa prej shteteve që janë përmendur si vende që kanë hequr dorë nga njohja për Kosovën, transmeton lajmi.net.

Shumica prej tyre janë kundërpërgjigur ndaj serbëve duke akredituar ambasadorë ndihmës në këto shtete, dhe duke mohuar lajmet e mediave serbe.

Se Serbia duhet ta “luftojë ashpër” Kosovën në diplomaci po e thotë edhe diplomati serb, Zoran Milivojeviq.

Ai deklaroi se një njohje më pak ndaj Kosovës, është shumë e vlefshme.

“Çdo tërheqje e njohjes është sukses i madh. Procesi i njohjeve është ndalur, dhe po vazhdon në të mirë të Serbisë. Pavarësia e vetshpallur e Kosovës po shkon në favor të Serbisë, pra ndërkombëtarët po e kuptojnë të vërtetën”, deklaroi diplomati serb.

Kurse në anën tjetër vetë Ministria e Jashtme ka kërkuar një mobilizim që të ballafaqohet me Serbinbë.

Kjo sidomos kur dihet se në fundin e vitit Kosova do të aplikojë për anëtarësim në INTERPOL.

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli disa herë kishte theksuar se Serbia po ofron para të majme te shtete e varfëra që të tërheqin njohjen për Kosovën.

“Nuk ka shtet në Afrikë që Serbia nuk e ka një delegacion permanent që punon. Kanë paraparë një buxhet 300 milionësh, kanë angazhuar mbi 20 ekspertë në lëmin e diplomacisë që të vizitojnë shtetet qoftë për tërheqje të njohjes, qoftë për mos njohje të Kosovës”, ka thënë disa herë Pacolli.

Punë më të madhe nga diplomacia kosovare ditë më parë kishte kërkuar edhe Komisioni për Punë të Jashtme.