Partitë, kundër ekipit negociator të Thaçit

Aktuale July 02, 2018 - 07:48
Mësoni më shumë shumë detaje

Gjatë kësaj jave presidenti Hashim Thaçi synon t’i bëjë bashkë kryeministrin Ramush Haradinaj, kryeparlamentarin Kadri Veseli, si dhe liderët e partive të tjera politike për ta formuar ekipin negociator për dialogun me Serbinë. Megjithatë, partitë politike vazhdojnë ta konsiderojnë Thaçin të papranueshëm si negociator, shkruan sot gazeta "Zëri"

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar se në fillim të kësaj jave do t’i takojë liderët institucionalë dhe ata partiakë për ta themeluar ekipin negociator të Kosovës, ekipin strategjik dhe komisione të tjera për dialogun me Serbinë.

Megjithatë, partitë politike shprehen të rezervuara rreth kësaj çështjeje.

Përveç partive opozitare, i pari i Kosovës nuk e ka as mbështetjen e partnerit të koalicionit, të Nismës Socialdemokrate, shkruan më tutje "Zëri".

Ndërkohë që përfaqësues të shoqërisë civile thonë se arritja e konsensusit dhe ndërtimi i një platforme për dialogun është i domosdoshëm për vazhdimin e fazës finale.

Sipas tyre, para se të shkohet në takimin e radhës në Bruksel Kosova duhet ta ketë platformën e saj dhe ta dijë se çka dëshiron të arrijë nga procesi i dialogut.

Kreu i shtetit të premten raportoi në mbledhjen e Qeverisë lidhur me takimin e parë të fazës finale, që nisi para një jave.

Në këtë mbledhje Thaçi bëri të ditur se brenda pak ditësh do t’i takojë krerët institucionalë e partiakë për të diskutuar rreth formimit të ekipit negociator.

“Gjatë fillimit të javës së ardhshme unë pres që me liderët dhe me bartësit e institucioneve, me kryeministrin, me kryeparlamentarin e gjithashtu me liderët politikë të partnerëve të koalicionit, por edhe të partnerëve të tjerë opozitarë, të ulemi për ta konkretizuar themelimin e ekipit negociator të Kosovës, pastaj të një ekipi strategjik, por edhe të komisioneve të përbashkëta që do të punojnë për çështje të cilat do të hapen në këto takime, në këtë dialog dhe në këto negociata”, ka thënë presidenti Thaçi.

Partitë, të rezervuara ndaj iniciativës së Thaçit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë për “Zërin” se nuk e di ende se si do të veprohet pas tërheqjes së platformës së Qeverisë.

Veliu ka thënë se LDK-ja ende nuk ka marrë ftesë nga presidenti Thaçi për një takim rreth formimit të ekipit negociator.

“Ata kanë përgatitur një platformë, të cilën e kanë dërguar në Kuvend për ta diskutuar, por e kanë tërhequr. Nuk e di si do të veprojnë më tutje. Ne nuk kemi marrë ende kurrfarë ftese. Kur të na vijë ftesa LDK-ja do ta diskutojë në forumet e veta dhe pastaj vendosim si do të veprojmë”, ka deklaruar Veliu.

Më tej nënkryetari i LDK-së ka thënë se kjo parti e ka iniciuar mbajtjen e tryezave të partive politike në mënyrë që të gjenden zgjidhje për çështje të interesit nacional, por, sipas tij, mungon vullneti i koalicionit qeverisës dhe i partive të tjera për një gjë të tillë.

“Ne e kemi ofruar njëfarë tryeze për ta nxjerrë vendin nga kriza, por siç po shihet nuk ka vullnet as nga koalicioni dhe as nga disa parti të tjera politike. Është një situatë e padefinuar”, ka shtuar Veliu.

Në fund, ai ka thënë se nëse vazhdohet dialogu pa arritjen e konsensusit do t’i kushtojë Kosovës.

Të palëkundura në qëndrimin kundër Thaçit kryenegociator vazhdojnë të jenë Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate. Madje zyrtarët e kësaj të fundit thonë se për këtë çështje nuk duan të flasin më.

Edhe deputetët e Partisë Socialdemokrate shprehen kundër Thaçit kryenegociator.

Deputeti i PSD-së Sali Salihu ka thënë se Thaçi nuk është figurë unifikuese dhe se nuk mund t’i besohet ky proces. Salihu ka thënë se sot Grupi Parlamentar i PSD-së do të mblidhet dhe do të diskutojë edhe për dialogun me Serbinë.

“Jam skeptik se do të arrihet konsensusi. Të hënën Grupi Parlamentar i PSD-së kemi takim dhe sigurisht se edhe kjo është njëra nga temat të cilat do t’i diskutojmë dhe pastaj dalim me qëndrim se si do të veprojmë më tutje”, është shprehur ai.

Kurse deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë se partitë duhet të jenë pjesë e dialogut.

“Mendoj se partitë politike duhet të jenë pjesë e dialogut. Kosova duhet ta ketë fillimisht një platformë të bisedimeve dhe një vendim që gjithçka që bisedohet e arrihet të vendoset në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Do duhej të gjitha partitë politike të reflektojnë, sepse ky është një proces që nuk u takon vetëm partive në pushtet, por të gjithëve. Dua të besoj që të gjitha partitë do të bëhen pjesë e dialogut me Serbinë”, ka deklaruar Selmanaj.

Krasniqi: Dialogu nuk mund të udhëhiqet vetëm nga presidenti

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për gazetën “Zëri” se arritja e konsensusit është e domosdoshme, pasi sipas saj dialogu nuk mund të udhëhiqet vetëm nga presidenti.

“Vlerësoj që ndërmarrja e një hapi konkret për ta ndërtuar konsensusin politik ndërmjet partive është më se i domosdoshëm. Dialogu është çështje nacionale që nuk mund të udhëhiqet vetëm nga një institucion, por kërkon të ketë bashkërendim të institucioneve dhe përfshirje të partive politike, duke e arritur konsensusin politik”, ka vlerësuar Krasniqi.

Më tej ajo ka thënë se mungesa e konsensusit për dialogun mund ta sjellë këtë çështje në të njëjtën situatë sikurse bllokadën rreth Demarkacionit me Malin e Zi.

“Dialogu vetëm se ka filluar, por duhet të vazhdohet me konsensus politik, pasi kemi parë në të kaluarën se kur nuk ka konsensus, atëherë proceset stërzgjaten, siç ka qenë rasti me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Duhet të evitojmë situata të tilla dhe ato evitohen kur ka një bashkëpunim në mes të institucioneve, kur ka bashkërendim dhe gjithëpërfshirje të partive politike”, ka shtuar Krasniqi.

Në fund ajo ka thënë se arritja e konsensusit mund të jetë e vështirë, porse partitë politike duhet t’i marrin përgjegjësitë e tyre.

“Partitë politike patjetër duhet të ulen, të diskutojnë dhe të ofrojnë alternativa. Por po besoj që parësore është të përcaktohet qëndrimi i shtetit të Kosovës, cila është platforma e Kosovës, çka kërkon Kosova të arrijë në bisedime. Këto janë esenciale dhe jo se kush do ta udhëheqë procesin. Por po e theksoj se është shumë e rëndësishme që ky proces të mos udhëhiqet vetëm nga një institucion”, ka përfunduar Krasniqi, duke thënë se partitë politike duhet t’i lënë anash politikat ditore.