Kuvendi nuk arrin ta dërgojë në votim projektligjin për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme

Aktuale June 28, 2018 - 12:44
Debat i ashpër në Kuvend mes pozitës dhe opozitës

As pas dy orëve debat nuk është arritur që të dërgohet në votim projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, për të cilën u thirr seancë e jashtëzakonshme raporton “Zëri. Info”.

Kjo gjë ndodhi për shkak të mospajtimeve të pozitës dhe opozitës të cilët nuk janë pajtuar në lidhje me të vetmen pikë të rendit të ditës - Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ishte opozita ajo e cila nuk është pajtuar që ky projektligj të kalojë me procedura të përshpejtuara, ndërsa pozita e vendit me këmbëngulje kërkonin që kjo pikë të kaloj me përshpejtim.

Me këtë rast nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti u kërkoi deputetëve që të votojnë pro ose kundër, që ky projektligj të dërgohet në Komision për Legjislacion, raporton “Zeri.info”.

Mirëpo pikërisht kjo gjë shkaktoi pakënaqësi mes deputetëve të Kuvendit, që filluan të përplaseshin me fjalë me njëri tjetrin.

Pas kësaj situate të krijuar, mikrofonat e të gjithë deputetëve u ndalën, për të vazhduar debati mes shefave të grupeve parlamentare.

“Duhet që si procedurë të kryhet ky projektligj”, tha Haliti pas kësaj ndërprerje prej disa minutave, raporton “Zeri.info” .

Ndërsa Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, me këtë rast tha se ka dakordim me të gjithë deputetët e Kuvendit që brenda muajit korrik ky projektligj të kalohet.

“Në seancën e radhës të jetë pjesë rendit të ditës ky projektligj. U dakorduam që së bashku brenda muajit korrik, Ministria e Drejtësisë me Komisionin legjislativ ta bëjë amandamentimin dhe kemi gatishmërinë e vullnetin që çdo çështje që ka përkrahjen e shumicës është në interes të vendit”, tha Tahiri.

Pas gjithë kësaj Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 14:00. /ZËRI/