Hoti: LDK nuk e mbështet Thaçin për kryenegociator

Aktuale June 25, 2018 - 15:25
Lexoni më shumë detaje

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se ky subjekt nuk e mbështet presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, për kryenegociator në bisedimet Kosovë-Serbi, raporton zeri.info.

Image

“Fillimisht dëshiroj të theksoj se dialogu është e vetmja rrugë për t’i zgjidhur çështjet me Serbinë. Sipas Kushtetutës, Kuvendi është organi i vetëm që vendos se kush e përfaqëson Kosovën në këtë proces. Kuvendi ende nuk ka vendosur pasi platforma është tërhequr nga qeveria. Rrjedhimisht presidenti nuk ka asnjë autorizim për të negociuar”, deklaroi Hoti në një konferencë për media.

Sipas tij, secila marrëveshje që nënshkruhet nga kreu i shtetit është marrëveshje private e tij.

“Kështu, çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel mund të jetë vetëm marrëveshje private e tij, por jo në emër të Kosovës. LDK nuk e mbështet presidentin që ta drejtojë dialogun me Serbinë. Ai nuk e përfaqëson vullnetin politik”, theksoi Hoti duke shtuar se LDK është e gatshme ta marrë këtë proces përsipër pas zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme ka nisur zyrtarisht faza finale e dialogut, fazë kjo e cila do të udhëhiqet nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq. /Zeri/