Spitalet me autoambulanca të amortizuara, Qeveria me vetura luksoze

Aktuale June 25, 2018 - 08:34
Mësoni më shumë shumë detaje

Institucionet publike shëndetësore po përballen me autoambulanca të amortizuara, derisa në anën tjetër Qeveria vazhdon edhe më tutje të furnizohet me vetura luksoze, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Spitalet regjionale vazhdojnë të përballen me vështirësi të shumta për shkak të amortizimit të ambulancave, të cilat i bartin të sëmurët, derisa në anën tjetër punëtorët e institucioneve vazhdojnë të enden me vetura luksoze.

Rreth 1.8 milion banorë në Kosovë në institucionet shëndetësore kanë në dispozicion më pak se 100 autoambulanca.

Derisa rreth 7.2 milionë euro ishin ndarë për institucionet e vendit për marrjen në qira të mbi 300 veturave për shfrytëzim, në institucionet shëndetësore publike vitin e kaluar kishte 92 autoambulanca.

LEXO EDHE: Përgjysmohen mëditjet për Shqipëri e Maqedoni

Ndërsa Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), sipas zëdhënësve për Informim, ka vetëm nëntë autoambulanca.

Këtë vit ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka dhuruar edhe dy autoambulanca, njërën në Qendrën Klinike Mjekësore Familjare në Janjevë të Lipjanit dhe njërën në atë të Reçanit në Prizren.

Po ashtu Ministria e Shëndetësisë ia ka dhuruar një autoambulancë edhe Klinikës së Neonatologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. 

Por, as këto nuk po përmbushin nevojat e spitaleve.

Ish-ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani ka thënë për Zërin se spitalet kanë nevojë së paku edhe për 100 autoambulanca.

“Duhet të themi se në një organizim të tanishëm të institucioneve shëndetësore nevojat janë shumë të mëdha për autoambulanca. Një numër i përafërt është plus njëqind së paku. Shto këtu edhe nevojën e blerjes së helikopterëve për transportimin e rasteve emergjente. Nuk e di ku ka arritur procesi i blerjes së helikopterëve, si proces shumë me rëndësi i filluar nga qeveria ‘Mustafa’”, ka theksuar ai.

Sipas tij, ishin përfunduar procedurat për dhurimin e tetë autoambulancave.

“E para, ne gjatë mandatit kemi arritur që t’i përfundojmë procedurat për 8 autoambulanca nga buxheti i MSH-së. Dy autoambulanca janë shpërndarë në vitin 2015 dhe të tjerat i kemi pasur të mbyllura procedurat kur ne kemi dorëzuar detyrën. Gjithashtu gjatë mandatit tonë ne kemi bashkëfinancuar, sepse një pjesë është donacion, për autoambulancën për transportin e të porsalindurve, e cila para pak kohe u dha në shfrytëzim nga MSH-ja”, ka thënë ai.

Rrahmani ka deklaruar se gjatë mandatit të tij ishte kaluar në Kuvend Ligji për Shërbime Emergjente, ku përfshihen edhe autoambulancat.

“Gjithashtu duhet të theksoj se ne në mandatin tonë e kemi kaluar në Parlament Ligjin për Shërbime Emergjente, i cili shton nevojat për investime edhe në infrastrukturë, duke përfshirë edhe autoambulancat. E ritheksoj se po ashtu në mandatin tonë ne kemi miratuar në Këshillin Nacional për Investime Strategjike projektin pesëdhjetë milionësh, që ia mundëson Qeverisë marrjen e kredisë për investime në aparaturë për institucionet tona spitalore. Ky proces pati filluar atëherë, tash nuk po shohim lëvizje”, ka thënë ai.

QKUK-ja me 9 autoambulanca

Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë për “Zërin” se Qendra Klinike Universitare e Kosovës posedon 9 autoambulanca e të cilat, sipas tij, shërbejnë për transport të pacientëve brenda klinikave të QKUK-së. 

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës posedon 9 autoambulanca. Njëra nga to është sjellë së fundi nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe shërben për transport neonatal, pra për bartje të foshnjave të porsalindura, që nga spitalet e përgjithshme kanë nevojë për bartje në QKUK, te Klinika e Neonatologjisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, dy nga këto autoambulanca përdoren edhe në rastet kur pacientët kanë nevojë të transportohen në Maqedoni ose në Shqipëri, por, siç ka thënë ai, vetëm në rastet specifike.

Berisha: Prizreni ka nevojë për së paku dy autoambulanca

Shefajet Berisha, shef i Personelit dhe Komunikimit në Spitalin e Prizrenit, ka thënë për “Zërin” se kanë nevojë për së paku dy autoambulanca të reja.

“Kemi tri autoambulanca. Nuk janë të mjaftueshme për nevojat e spitalit. Kemi nevojë edhe për së paku 2 autoambulanca të reja të pajisura për transferim të pacientëve”, ka thënë ai.

Të dhënat të cilat ai i ka siguruar nga shefi i Transportit dhe Autoparkut, Nuzedin Bekteshi, tregojnë se autoambulancat që ata kanë në dispozicion janë të amortizuara.

“Autoambulancat janë të amortizuara. ‘Ford’, viti i prodhimit 2012, ka 19.4993 kilometra të kaluara, ‘Opel’, viti i prodhimit 2014, ka 14.1631 kilometra të kaluara, ndërsa ‘Opel’, viti i prodhimit 2014, ka 17.6155 kilometra të kaluara”, ka thënë ai.

Me mungesa të autoambulancave po përballen edhe spitalet e tjera, si ai i Ferizajt dhe Pejës.

Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Skender Dreshaj, ka treguar për “Zërin” se edhe në këtë spital autoambulancat janë amortizuar.

“Ka mungesë të theksuar autoambulancash (janë të amortizuara). Në infrastrukturë mungon klimatizimi i spitalit, rrjeti i intranetit. Ka nevojë emergjente për mjekë specialistë të profileve të urgjencës, të ortopedisë, të infektologjisë e infermierë”, ka thënë ai.

“Me blerjen e autoambulancave në Prishtinë shërbimet po kryhen më shpejt”

Derisa në qytetet e Kosovës ka mungesa të autoambulancave, në kryeqytet që nga viti 2015 Komuna për qytetarët e Prishtinës ka blerë katër autoambulanca.

Arben Vitia, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Prishtinë, ka thënë se në bazë të kërkesave të stafit shëndetësor është bërë edhe blerja e autoambulancave.

“Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale edhe buxhetin, edhe blerjen e pajisjeve (në këtë rast edhe të autoambulancave) e bën në bazë të kërkesave nga stafi shëndetësor dhe nevojave të qytetarëve të Komunës së Prishtinës. Në këtë drejtim në bazë të këtyre kritereve kjo Drejtori nga viti 2015 ka siguruar katër autoambulanca të standardeve më të larta me pajisjet më moderne”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, blerja e këtyre autoambulancave ka bërë që edhe reagimi për rastet emergjente të shpejtohet.

“Kjo, por mbi të gjitha puna e punëtorëve shëndetësorë ka ndikuar që koha mesatare e reagimit të njësive urgjente gati të përgjysmohet nga viti 2014 në vitin 2017, që është një sukses i jashtëzakonshëm i punëtorëve në Qendrën e Mjekësisë Urgjente. Për momentin kemi autoambulanca të mjaftueshme dhe në rast se do të ketë nevojë shtesë ne edhe me buxhetin e vitit 2018 kemi paraparë që menjëherë t’i përgjigjemi kërkesës eventuale nga Qendra e Mjekësisë Urgjente kur paraqitet nevoja”, ka thënë ai.