Përgjysmohen mëditjet për Shqipëri e Maqedoni

Ekonomia June 25, 2018 - 08:26
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ua ka ndalur luksin zyrtarëve shtetërorë me vendimin e ri për zvogëlimin e tarifave të mëditjeve në Shqipëri dhe në Maqedoni. Nga 209 euro sa paguheshin mëditjet në Shqipëri, po në të njëjtin vend mëditja do të zvogëlohet në 130 euro, njësoj sikur në Maqedoni. Por, ky vendim nuk pritet ta ketë as ndikimin më të vogël në kursimin e buxhetit shtetëror. Kështu kanë paralajmëruar monitoruesit e pasqyrave financiare të institucioneve në Kosovë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vendimi i Ministrisë së Financave për uljen e tarifave të mëditjeve nuk ka kënaqur pritshmërinë e monitoruesve të pasqyrave financiare të buxhetit shtetëror.

Në bazë të matjeve që kanë bërë, një udhëtim në Tiranë në rast të aranzhimit nga organizatori, me përfshirje të akomodimit në hotel, kostos së shujtave, mund ta zvogëlojë mëditjen deri në 30 euro.

Mënyrën e uljes së mëditjeve në këtë formë nuk po e cilëson të drejtë menaxherja e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Diana Metushi-Krasniqi.

LEXO EDHE: KQZ-ja avancon stafin pa procedura

Në një prononcim dhënë gazetës Zëri Krasniqi ka thënë se as me këtë vendim nuk po kursehet paraja publike siç është dashur, ndonëse vendimin e ministrit Hamza e vlerëson si të drejtë.

“Problemi është se kur ulet vlera në 130 euro ne prapë po japim mundësi që mëditjet të jenë më të larta sesa de facto ishte dashur të jenë. Sepse me një aranzhim të organizatorëve se i ka mbuluar shpenzimet për fjetje kjo shuma e mëditjeve nuk do të ishte 130 euro, por ndoshta do të ishte 30 euro. Prapë nuk po arrihet qëllimi i stimulimit përmes mëditjeve. Nëse është një udhëtim deri në Tiranë dhe organizatori e ka mbuluar hotelin, koston e shujtave, nuk janë mëditjet 130 euro, ndoshta do të ishin 30 euro”, ka sqaruar ajo.

Menaxherja e projekteve i ka rekomanduar Ministrisë së Financave të ulet në diskutim me Bankën Qendrore, në mënyrë që të aplikojë ndarjen e vlerave për mëditje si e kanë të rregulluar ata.

“Strategjia adekuate do të ishte që secili departament i autoritetit kontraktues, Departamenti i Financave, të bëjë pagimin e mëditjeve ose që de facto mëditja duhet të paguhet para marrjes së udhëtimit zyrtar. Duhet të verifikohet nëse aranzhimi i udhëtimit parasheh mbulimin e shpenzimeve për akomodim dhe shujta. Pastaj mëditja jepet vetëm për para xhepi, për nevoja personale dhe për transport lokal”, ka përfunduar më tutje.

Kalaja: Të mos abuzohet me udhëtime vetëm për mëditje

Për ndalimin e avazit të keqpërdorimeve në udhëtime zyrtare është shprehur skeptik Fidan Kalaja, nga Qendra Kosovare Kundër Korrupsionit.

Në një prononcim për gazetën “Zëri” Kalaja ka thënë se është bërë abuzim i pakontrolluar i mëditjeve për vite, pasi institucionet nuk kanë qenë transparente në shfrytëzimin e parasë publike.

“Mëditjet e zyrtarëve shtetërorë jashtë vendit kanë qenë marramendëse. Aktualizimi i kësaj çështjeje në kohët e fundit, ku një kontribut ka dhënë edhe Qendra Kosovare Kundër Korrupsionit, i ka dhënë disa efekte pozitive të para. Është bërë një abuzim i pakontrolluar i mëditjeve për shumë vite, asnjëra nga institucionet nuk ka qenë transparente sa i përket se sa i ka kushtuar buxhetit të Kosovës kostoja e këtyre mëditjeve e qytetarët janë të painformuar dhe nuk kanë parë asnjë rezultat të këtyre udhëtimeve jashtë vendit të zyrtarëve publikë”, ka shtuar më tutje ai.

Kalaja thotë se mbetet sfidë që të mos abuzohet me udhëtimet jashtë shtetit vetëm për mëditje.

“Kjo e fundit pritet të shihet se si dhe çfarë mekanizmash të kontrollit do të përdorë Qeveria e Kosovës, mirëpo jam skeptik që do të arrijë ta ndalë avazin e këtyre keqpërdorimeve”, ka përfunduar përfaqësuesi i shoqërisë civile.

Ndryshe, me vendimin e ri të Ministrisë së Financave për zvogëlimin e mëditjeve të zyrtarëve shtetërorë ndryshimet shihen në Shqipëri, ku mëditja nga 209 euro ka zbritur në 130 euro, njësoj sikur në Maqedoni.

Por, përveç zvogëlimit të mëditjeve me vendim të ri zyrtarët shtetërorë në udhëtime në Afganistan dhe në Zvicër do t’i gëzohen luksit të mëditjeve.

Në Afganistan më parë është paguar mëditja vetëm prej 82 eurove, ndërsa me vendim të ri pritet të shkojë deri në 200 euro. I njëjti ndryshim vlen edhe për mëditjet në Zvicër. Nga 251 euro, tani mëditjet në këtë vend kapin shifrën e 320 eurove.

Hadërgjonaj: Vendimi për mëditje, menaxhim i mirë i parasë publike

Ndryshe nga monitoruesit e sistemit të drejtësisë është shprehur zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj. Hadërgjonaj ka përshëndetur vendimin e Ministrisë për zvogëlim të mëditjeve, duke e cilësuar si menaxhim të mirë të parasë publike dhe kursim buxhetor.

“Është mirë që është marrë një vendim i tillë nga Ministria e Financave. E vlerësoj si diçka të mirë këtë. Është kursim i buxhetit, është një menaxhim më i mirë i parasë publike. Kështu që e konsideroj si diçka pozitive”, ka thënë shkurt Hadërgjonaj.

Ndërsa vendimin për zvogëlimin e tarifave të mëditjeve e ka cilësuar si të vonuar deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD) Dardan Molliqaj, i cili para ca ditësh propozoi një interpelancë për ndërrimin e sistemit të mëditjeve dhe shpenzimeve për udhëtime zyrtare.

“Ky vendim kaq i vonuar ka mundur të realizohet shumë vjet më herët e jo vetëm një ditë pas iniciativës sonë. Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë të ndërmarrim iniciativa të ngjashme në mënyrë që paratë e taksapaguesve të mos keqpërdoren për luksin e pushtetarëve, por të përdoren aty ku duhet për t’ua përmirësuar mirëqenien qytetarëve të Kosovës”, kishte thënë publikisht Molliqaj.

Kujtojmë se vetëm për katër muaj deputetët e Kuvendit kanë marrë mbi 1.3 milion euro paga e mëditje.