Isa Mustafa po e udhëheq LDK-në përmes telefonit nga shtëpia e tij

Aktuale June 22, 2018 - 18:18
Lexo tjera detaje

Arban Abrashi thotë se Isa Mustafa nuk po shkon në zyrë, por po e udhëheq LDK-në nga shtëpia. Kur po u duhet partiakëve, deputeti thotë se po shkojnë në shtëpinë e liderit për të marrë direktiva.

Deputeti i LDK’së, Arban Abrashi, ka folur në Frontal të Televizionit 7 për gjendjen shëndetësore të liderit të tyre, Isa Mustafa.

“Nga shtëpia, përmes telefonit, edhe mbrëmë ose parmbrëmë është konsultuar me ne. Nënkryetarët shkojnë e vizitojnë për t’u konsultuar”, ka thënë Abrashi, shkruan Gazeta Express.

Ai ka treguar se në LDK nuk po mendohet për zgjedhjet e reja dhe se janë mirë me kryetarin e tyre, ndërsa thotë po e presin që së shpejti t’i kthehet plotësisht angazhimeve të tij.

Lideri i LDK’së që disa muaj nuk ka qenë aktiv në politikë për shkak të problemeve shëndetësore. Pas qëndrimit për trajtim mjekësor në një spital në Gjermani, Mustafa është kthyer në Prishtinë.

Ai ka mbajtur disa mbledhje me partinë e tij, por që asnjëherë nuk ka dalë në zyrë. Takimet janë mbajtur në shtëpinë e tij në Prishtinë dhe në fshatin Prapashticë.