Brahiterapia që tre vjet jashtë funksionit, qytetarët shpenzojnë para në Shkup dhe në Tiranë

Aktuale June 21, 2018 - 08:25
Lexoni më shumë detaje

Aparatura e brahiterapisë është blerë para tre vjetësh, por ende është jashtë funksionit. Në mungesë të funksionalizimit të saj në kuadër të Klinikës së Onkologjisë qytetarët detyrohet të shpenzojnë para të majme në Shkup ose në Tiranë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Aparatura e brahiterapisë, e cila shërben për kryerjen e rrezatimeve të tumoreve gjinekologjike, edhe pse është blerë para më shumë se tre vjetësh vazhdon të qëndrojë jashtë funksionit.

Për shkak të mosfunksionimit të kësaj aparature pacientët duhet të shkojnë për rrezatime jashtë vendit.

Anëtari i Bordit të Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Shemsi Veseli, ka thënë për Zërinse për shkak të mosfunksionimit të kësaj aparature pacientët detyrohen të shkojnë në Shkup dhe në Tiranë për rrezatime.

LEXO EDHE: Komuna e Gjilanit lejon tejkalimin e kontratës për gjashtë herë

“Aparati për brahiterapi është i domosdoshëm të funksionalizohet në Kosovë për arsye se pacientët nga Prishtina duhet të shkojnë në Shkup dhe ndoshta edhe në Tiranë, por më së shumti në Shkup për ta bërë një terapi të tillë. Realisht ne si Bord kemi biseduar me drejtorin e përgjithshëm të SHSKUK-së me propozimin edhe të drejtorit të Institutit të Onkologjisë kemi ardhur në përfundim dhe e kemi mbështetur funksionalizimin e brahiterapisë në Onkologji”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se për shkak të dyshimeve se dikush mund ta keqpërdorë atë aparaturë edhe për të prodhuar mjete eksplozive është penguar funksionalizimi i tij.

“Kemi pasur disa pengesa përpara, të cilat për ne kanë qenë të padefinuara mirë nga Agjencia për Mbrojtjen nga Rrezatimi për arsye se na kanë thënë se ai aparat mund të ketë konsekuenca në kuptimin e asaj që mundet dikush të hyjë dhe ta keqpërdorë për rrethana tjera, të prodhojë diçka që mundet të jetë edhe mjet eksploziv e gjëra të tjera dhe duhet të ketë një kontroll edhe nga ana e Policisë, edhe nga ana e personelit mjekësor. Kjo ka qenë njëra nga pengesat që na ka mbajtur pezull disa vite”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se pret që së shpejti të futet në funksion brahiterapia.

Hyseni: Duhet të kryhen të gjitha procedurat që aparatura të funksionojë

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ekrem Hyseni, ka thënë se për funksionimin e kësaj aparature duhen edhe raporte të ekspertëve të jashtëm.

“Është në proces të funksionimit, por ende nuk ka filluar. Aparatura e brahiterapisë i bën dy ose tre vjet të funksionalizohet dhe duhen dy herë raporte të ekspertëve të jashtëm, të cilat vetëm se janë duke u kryer. Është një procedurë për mbrojtje kundër rrezatimit e që i përcakton edhe ligjet ndërkombëtare dhe duhet të kryhen të gjitha ato procedurat për të funksionuar”, ka thënë ai.

Hyseni ka treguar për gazetën “Zëri” se kjo aparaturë ka gjasa që të futet në funksionim muajin e ardhshëm.

“Nuk mundet këtë muaj, por pas këtij muaji që i bie muajin tjetër. Është pajisje shtesë, e shtojmë edhe një shërbim shtesë, shërbim të ri”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër ai ka folur edhe për rrezatimin e pacientëve, me ç’rast ka thënë se kapaciteti për rrezatim është 30% më i lartë.

“Është duke funksionuar shumë mirë, është duke funksionuar me kapacitet edhe më të shtuar sesa normalja. Jemi duke rrezatuar afërsisht rreth 100 pacientë”, ka thënë ai.

Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi: Jemi duke pritur vlerësimin

Donika Hasani, zyrtare administrative në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore (AKMRRSB), ka thënë për “Zërin” se janë duke pritur vlerësimin nga eksperti i licencuar për mbrojtje nga rrezatimi.

Sipas saj, kjo aparaturë është në proces të licencimit. 

“Brahiterapia është në proces të licencimit. Arsyeja pse brahiterapia nuk është licencuar deri më tani ka qenë plotësimi i standardeve për mbrojtjen e shëndetit  për punonjësit profesionalë dhe për pacientët. Në kuadër të këtij procesi ka qenë përgatitja e hapësirës, gjegjësisht dhomës ku do të përdoret aparatura dhe pas kësaj të hartohet raporti. Ne po presim raportin e vlerësimit nga një ekspert i licencuar për mbrojtje nga rrezatimi”, ka thënë ajo.

Hasani ka deklaruar se në Klinikën e Onkologjisë pacientët janë të mbrojtur nga rrezatimet.

“Po, pacientët janë të mbrojtur mirë nga praktikat me rrezatime në Onkologji. Instituti i Onkologjisë është i pajisur me licence nga AKMRRSB-ja, andaj me këtë edhe radiombrojtja është sipas standardeve ndërkombëtare”, ka thënë ajo.

Mjekët në Onkologji mund të profilizohen me funksionimin e brahiterapisë

Anëtari i Bordit të SHSKUK-së, Shemsi Veseli, ka thënë se pas futjes në funksion të kësaj aparature ndoshta edhe stafi do të profilizohet dhe do të përcaktohen ata që do të punojnë vetëm me këto rrezatime.

Sipas tij, onkologët kryejnë të gjitha shërbimet në kuadër të klinikës së tyre.

“Ata janë onkologë të cilët punojnë në kuadër të Institutit të Onkologjisë, faktikisht ata obligohen t’i kryejnë të gjitha shërbimet pavarësisht a punon radioterapia ose a punon ndonjë aparat tjetër. Me siguri se do të bëhet një riprofilizim që dikush të përcaktohet të punojë vetëm me brahiterapi, dikush me radioterapi”, ka thënë ai.

 Ndërsa edhe sipas zyrtarëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, stafi mjekësor në Klinikën e Onkologjisë nuk do të paguhet më shumë se rroga e tyre bazë dhe se as gjatë kohës sa aparatura ka qenë jashtë funksionimit ata nuk janë paguar.

Brahiterapia trajton pacientët e prekur nga kanceri i qafës së mitrës.

Kjo aparaturë kryen rrezatimet duke kursyer qelizat e shëndosha dhe duke rrezatuar maksimalisht tumoret.

Instituti i Mjekësisë së Punës kishte konstatuar se në dhomën ky kryhej brahiterapia nuk kishte mbrojtje të mjaftueshme nga rrezatimet, andaj edhe duheshin disa ndryshime në dhomën në të cilën do të kryhej ky rrezatim.