Komuna e Gjilanit lejon tejkalimin e kontratës për gjashtë herë

Ekonomia June 21, 2018 - 08:11
Mësoni më shumë shumë detaje

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se në kontratën “Hartimi i projekteve kryesore në komunën e Gjilanit Lot 2” vlera ishte 18,364 euro, ndërsa nga dy pagesa të testuara lidhur me këtë kontratë shpenzimet ishin në vlerë 122,425 euro. Sipas Auditorit, vlera e tejkaluar e kontratës ishte 104,061 euro, duke tejkaluar vlerën e kontratës afro gjashtë herë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Shkelje të mëdha ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2017 për Komunën e Gjilanit, e cila drejtohet nga Lutfi Haziri.

Në kontratën për “Mirëmbajtje të ndriçimit publik për fshatrat e komunës së Gjilanit” në vlerë 166,674 euro, vlera e punëve të kryera sipas situatave të përfunduara ishte 267,583 euro, duke tejkaluar vlerën e kontratës për 100,909 euro ose 61%.

Nga raporti i menaxherit të projektit nuk kishte ndonjë arsyetim për tejkalimin e kontratës.

Po ashtu më tutje në raportin e ZKA-së thuhet se vlera e kontratës “Hartimi i projekteve kryesore në komunën e Gjilanit Lot 2” ishte 18,364 euro, ndërsa nga dy pagesa të testuara lidhur me këtë kontratë shpenzimet ishin në vlerë 122,425 euro.

LEXO EDHE: Deputetët bllokojnë Kuvendin

Vlera e tejkaluar e kontratës ishte 104,061€, duke tejkaluar vlerën e kontratës afro gjashtë herë.

Po ashtu, sipas kontratës “Furnizim me dru për ngrohje Lot 1”, e nënshkruar më 20.09.2017, vlera e përgjithshme e furnizimit ishte 217,428 euro, ndërsa sasia 4,737m³, shkruan më tutje "Zëri".

Deri në fund të vitit 2017 Komuna ishte furnizuar me sasi prej 5,480m³, duke hyrë në obligime tejkontraktuale në vlerë 34,107 euro, obligime këto të cilat ishin bartur në vitin vijues.

Kjo kishte ndodhur si pasojë e një mosplanifikimi të mirë të nevojave nga njësia kërkuese.

“Tejkalimi i vlerave/i sasive të kontraktuara shpie në rrezikun e rritjes së obligimeve jashtëkontraktuale që mund të rezultojnë me pagesa të parregullta, si dhe me ndëshkime të pagesave përmes vendimeve gjyqësore, duke rënduar kështu buxhetin e Komunës dhe duke rrezikuar realizimin e projekteve tjera të planifikuara. Kryetari të sigurojë kontrolle shtese në menaxhimin e kontratave në mënyrë që punët/furnizimet bëhen në pajtim me sasitë/vlerën e kontraktuar dhe Komuna nuk hyn në obligime përtej kontratës”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Vonesa në ekzekutimin e kontratave

Te kontrata për “Rregullimin e shtratit të lumit Mirusha faza 2” në vlerë 3,133,170 euro, e nënshkruar në vitin 2012, ditët e kontraktuara të punimeve ishin 196, ndërsa të ekzekutuara ishin 705 ditë pune, ndërkohë që punimet ende nuk kishin përfunduar.

Sipas raportit të mbikëqyrësit të kontratës, shkak i vonesave ndër të tjera ishin edhe mosangazhimi i mjaftueshëm i fuqisë punëtore nga ana e punëkryesit, si dhe mungesa e kapaciteteve të makinerisë.

Vonesa janë hasur edhe në kontratat si: “Rregullimi i kanalizimit fekal dhe atmosferik në rrugën e ‘Gjinollëve’” në vlerë 79,779 euro, “Rregullimi i kanalizimit në Perlepnicë” në vlerë 89,784 euro, “Ndërtimi i çerdhes në lagjen ‘Dardania 1’” në vlerë 374,555 euro, “Rregullimi i kanalizimit në fshatin Bresalc” në vlerë 215,835 euro, ku në secilën prej tyre ishte tejkaluar dukshëm plani dinamik, ndërsa në një rast kishte skaduar siguria e ekzekutimit dhe ajo nuk ishte ripërtërirë ndonëse punimet kishin zgjatur më tej.

Megjithëkëtë autoriteti kontraktues nuk kishte ndërmarrë ndonjë masë sipas kushteve në kontratë.

“Vlen të theksohet se për kontratat e potencuar më lart punimet ishin realizuar duke mos përfillur kërkesat e Ligjit të Ndërtimit, për Pajisje me Leje Ndërtimore, Leje të Përdorimit, si dhe Mbikëqyrje Inspektive. Moskompletimi i dokumentacionit sipas kërkesave ligjore mund të jetë shkak për vonesat në realizimin e projekteve e të cilat më pas kanë efekt negativ mbi shpenzimin e buxhetit, duke ndikuar në bartjen e obligimeve nga viti në vit, si dhe mosshfrytëzimin e përfitimeve të parapara të qytetarëve nga shërbimet që ato ofrojnë”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Gjilanit.

Më tej ZKA-ja ka rekomanduar që kryetari të sigurojë se çdo projekt të jetë i pajisur me dokumentacionin e nevojshëm në përputhje me kërkesat ndërtimore, më tutje të sigurojë se forcohen kontrollet në mbikëqyrjen e realizimit të projekteve në mënyrë që ato të përfundohen sipas planit dinamik, si dhe aty ku është e nevojshme të zbatohen masat ndëshkuese sipas kushteve të përcaktuara në kontratë, në mënyrë që të rritet përgjegjësia tek operatorët ekonomikë.

Mospërputhje e vlerës së kontratës me çmimin e korrigjuar në ofertë

Në dosjen e tenderit “Furnizim me material administrativ për zyre” Komisioni për Vlerësimin e Ofertave ka bërë korrigjimin e vlerës së ofertës për gabime aritmetikore nga 46,768 euro në 47,328€ euro, mirëpo vlerësimi i tyre nuk është marrë për bazë gjatë nënshkrimit të kontratës.

Sipas Auditorit, kontrata është nënshkruar me vlerën e ofertës së dorëzuar.

Sipas ZKA-së, lëshime të tilla si rezultat i mungesës së shqyrtimit të duhur të dokumentacionit para nënshkrimit të kontratës mund të rezultojë me dëmtime të njërës palë në aspektin financiar, në këtë rast të operatorit ekonomik.

Auditori ka rekomanduar që kryetari të sigurojë se aplikohen kontrolle të duhura në procesin deri të nënshkrimi i kontratës, me ç’rast vërtetohet se të dhënat në përmbajtjen e kontratës janë të sakta.

Ndarja e subvencioneve në mospajtueshmëri me Rregulloren Komunale

Sipas Auditorit, duke u bazuar në Rregulloren Komunale mbi Ndarjen e Subvencioneve, është formuar komisioni vlerësues për t’i vlerësuar kërkesat për subvencione, sipas kritereve të përcaktuara.

Në projektin për subvencionimin e fermerëve “Farë gruri” në vlerë 22,893 euro, në disa dosje të aplikuesve është vërejtur se një ndër kriteret e kërkuara siç ishte fleta poseduese e tokës nuk ishte plotësuar, pasi aplikuesit nuk kishin dëshmuar se tokat ishin në emër të tyre, ndonëse ishin përzgjedhur si të përgjegjshëm dhe ishin përfitues të subvencioneve.

Gjithashtu, Komuna kishte subvencionuar manifestimin “Muaji i mërgimtarëve” në vlerë 4,000 euro, me vendim të kryetarit te Komunës.

Komuna nuk kishte lidhur një marrëveshje mirëkuptimi me OJQ-në e subvencionuar, ashtu siç parashihet në Rregullore. Mungonte po ashtu raporti narrativ për zhvillimin e aktiviteteve.

Ndërsa për subvencionin e ndarë ndaj Teatrit në vlerë 12,420 euro për shfaqjen “Talia”, Teatri nuk kishte ofruar raportin narrativ lidhur me subvencionin e shpenzuar.

“Mangësitë e identifikuara në vlerësimin e kritereve dhe monitorimin e subvencioneve mund të rezultojnë me devijime nga qëllimet e përfitimit të tyre dhe vlerë të ulët për paranë e paguar. Për më tepër, mungesa e raportimeve zbeh përgjegjshmërinë e përfituesve dhe të stafit të Komunës gjatë trajtimit të lëndëve, si dhe redukton mundësinë e menaxhmentit për ndërmarrjen e veprimeve efektive dhe në kohë. Kryetari të sigurojë se ndarja e subvencioneve të bëhet në bazë të kritereve të përcaktuara në Rregullore, duke përfshirë monitorimin e duhur të shpenzimit të tyre, në mënyrë që subvencionet e dhëna të arrijnë qëllimin e synuar”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së.

Shpronësimet në mospajtueshmëri me kornizën ligjore

Sipas Ligjit numër 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, njoftimet, vendimet preliminare, si dhe përfundimtare lidhur me shpronësimin e pronave të paluajtshme duhet të publikohen në Gazetën Zyrtare dhe në një gazetë me tirazh të madh në vend.

Por nga pagesat e testuara në vlerë 204,702 euro lidhur me shpronësimet me qëllim të ndërtimit të çerdhes dhe të shkollës fillore, si dhe projektit mbi hapjen e rrugës publike, vendimet preliminare dhe ato përfundimtare nuk ishin publikuar.

“Vlera totale e shpronësimeve për këto projekte sipas vendimeve ishte 619,148€. Derisa ishim në auditim ne nuk kemi marrë një përgjigje konkrete lidhur me arsyen e mospublikimit të tyre. Mospublikimi i njoftimeve/vendimeve lidhur me shpronësimet rrezikon transparencën dhe ligjshmërinë e shpronësimeve/pagesave të bëra. Kryetari të sigurojë se janë marrë masa për publikimin e të gjitha vendimeve lidhur me shpronësimet e bëra dhe më tutje për çdo proces të tillë në të ardhmen të publikohen vendimet sipas kërkesave ligjore”, thuhet më tutje në raport të Auditorit për Komunën e Gjilanit, e cila drejtohet nga Lutfi Haziri.

Kontraktim i punëve pa zotimin e plotë të mjeteve

Më tutje në raportin e Auditorit thuhet se sipas Rregullës Financiare 01/2013, asnjë kontratë nuk duhet të nënshkruhet pa zotimin paraprak dhe se zotimi duhet të jetë pjesë përbërëse e kontratës.

Por në kontratën “Rregullimi i rrjetit të kanalizimit fekal Gjilan – Veleknicë” në vlerë 109,571 euro, zotimi i mjeteve ishte bërë vetëm për 20,000 euro, ndonëse kontrata ishte paraparë të përfundojë brenda vitit.

“Hyrja në obligime në mungesë të mjeteve rrezikon mospërmbushjen e kontratës ose zbatimin e vonshëm të saj dhe në këtë mënyrë mosarritjen e objektivave të Komunës. Kryetari të sigurojë se asnjë kontratë nuk nënshkruhet pa siguruar fondet e mjaftueshme për realizimin e saj në periudha të parapara”, thuhet në raport.

Dobësi në kontrollet menaxheriale dhe në menaxhimin e rrezikut

Si pasojë e mosfunksionimit të duhur të kontrolleve menaxheriale, menaxhimi jo i mirë i pranimit dhe i përcjelljes së faturave ka ndikuar që obligimet të mos shpalosen në vlerën e saktë në pasqyrave financiare vjetore. 

Dobësi menaxheriale janë vërejtur në fushën e prokurimit, ku menaxhimi i projekteve kapitale ka pasur ngecje që kanë rezultuar me vonesa të projekteve, kontrata të përgjithësuara pa identifikuar projektet e synuara për investim, tejkalime të çmimit/sasive të kontratës.

Si rezultat i hyrjes në obligime pa mjete të zotuara kishin ndodhur pagesa përmes vendimeve me përmbarues.

Llogaritë e arkëtueshme kishin pësuar rritje megjithatë nuk ishin ndërmarrë masa specifike për arkëtimin e tyre.

“Numri i pronave komunale për efekt të tatimit në pronë nuk ishte verifikuar plotësisht, gjithashtu objektet e dhëna me qira vazhdonin të shfrytëzoheshin në mospajtim me ligjin. Pasuria në anën tjetër vazhdonte të mos pasqyronte gjendjen e saktë si rezultat i regjistrimit të mallrave/ shërbimeve si pasuri kapitale, ndërsa e-pasuria vazhdonte të mos funksiononte. Komuna gjithashtu nuk ka politika të shkruara dhe procedura për menaxhimin e rreziqeve, në veçanti rrezikut të mashtrimit dhe të parregullsive. Regjistri i rreziqeve, i hartuar sipas kërkesave të MFK-së, nuk përmban një strategji për menaxhimin e tyre”, thuhet në raport.

Aty më tutje thuhet se kërkesat e pamjaftueshme të llogaridhënies dhe raportimi financiar i cilësisë jo të mirë reduktojnë efektivitetin e menaxhimit financiar.

Sipas Auditorit, kjo rezulton me dobësi në procesin e buxhetit dhe e zvogëlon aftësinë e menaxhmentit për të reaguar ndaj sfidave financiare me kohë.

Po ashtu kjo ul efektin e kontrolleve buxhetore dhe rrit rrezikun për shpenzime të parregullta.

Rrjedhimisht, kjo mund të rezultojë edhe me ofrimin e shërbimeve jocilësore “Kryetari duhet të sigurojë se është kryer një rishikim për të përcaktuar formën e raportimit financiar dhe operativ te menaxhmenti i lartë. Ecuritë buxhetore, duke përfshirë të hyrat e shpenzimet, dhe plani i prokurimit duhet të jenë subjekt i raportimeve dhe i rishikimeve të rregullta nga ana e menaxhmentit. Gjithashtu, për të reduktuar ndikimin e rreziqeve në nivele të pranueshme Komuna duhet të pasurojë regjistrin e rreziqeve me të gjitha masat/veprimet e duhura për të vendosur nën kontroll kërcënimet e ekspozuara”, thuhet në raportin e Auditorit për Komunën e Gjilanit për vitin që lamë pas.

Klasifikimi joadekuat i pasurive

Sipas Rregullores mbi Pasurinë Jofinanciare, kostoja e mirëmbajtjes së pasurive kapitale nuk konsiderohet përmirësim dhe si e tillë nuk regjistrohet si shpenzim kapital.

Blerjet në vlerë 177,066 euro, që kishin të bënin me mirëmbajtjen e ndriçimit publik, si dhe me sinjalizimin horizontal e vertikal ishin regjistruar si pasuri, ndonëse sipas natyrës ato i takojnë kategorisë së mallrave dhe të shërbimeve.

Sipas ZKA-së, kjo kishte ndodhur si pasojë e shpenzimit të këtyre mjeteve nga kategoria e investimeve kapitale.

Pagesat në vlerë 39,473€ për “Projekte të vogla në infrastrukturë” ishin regjistruar sipas emërtimit të përgjithësuar të projektit dhe jo sipas vendndodhjes së tyre.

Kjo pasi zyrtari i pasurisë i ka regjistruar ato në bazë të pagesave, të cilat nuk përmbanin informacione lidhur me vendndodhjen e kryerjes së punimeve.

“Regjistrimi i shpenzimeve të mirëmbajtjes si pasuri në regjistrat kontabël ndikon në mbivlerësimin e vlerës së pasurisë e shpalosur në PFV. Ndërsa regjistrimi i pasurive pa qartësuar vendndodhjen e tyre nuk e tregon saktë gjendjen e pasurive të Komunës dhe pamundëson kontrollin efektiv mbi to. Kryetari të sigurojë se janë ndërmarrë veprimet për korrigjimin e regjistrit të pasurisë, me ç’rast blerjet që nuk rezultojnë në një pasuri ose përmirësim të pasurisë nuk regjistrohen në regjistrin kontabël. Më tutje, regjistri i pasurisë duhet t’i posedojë të gjitha të dhënat përkatëse, duke përfshirë edhe lokacionin e tyre”, thuhet në raportin e ZKA-së për Komunën e Gjilanit për vitin 2017.