Deputetët bllokojnë Kuvendin

Aktuale June 21, 2018 - 08:02
Mësoni më shumë shumë detaje

Në këtë legjislaturë shumica e seancave të Kuvendit kanë përfunduar para kohës për shkak të mungesës së kuorumit. Kjo pasi një pjesë e madhe e deputetëve ose nuk shkojnë fare në seancë, ose vetëm regjistrohen në listën e mëditjeve dhe më pas largohen nga salla, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kuvendi i Kosovës tash e sa kohë po karakterizohet me ndërprerje të seancave dhe me mosvotim të pikave të rendit të ditës për shkak të mungesës së kuorumit.

Deputetët ose nuk shkojnë fare në seanca, ose vetëm regjistrohen në fillim të seancës në listën e mëditjes dhe më pas largohen nga salla.

LEXO EDHE: Thaçi 'ecën' vetëm

Në seancën e së martës deputetët debatuan tërë ditën, por në fund nuk arritën të miratojnë asnjë pikë, pasi nuk kishte kuorum, shkruan më tutje "Zëri".

Kjo vlerësohet si papërgjegjësi e deputetëve, ndërsa theksohet fakti se aktualisht nuk ka ndonjë mënyrë për t’i penalizuar deputetët që mungojnë ose që largohen nga seancat.

Sipas opozitarëve, kjo situatë e tillë në Kuvend do të vazhdojë derisa kjo Qeveri të bjerë.

Ndërkohë, monitorues të punë së Kuvendit thonë se pritet grumbullimi i çështjeve për votim dhe se kjo situatë nuk do të zgjidhet as me rregulloren e ardhshme.

Ata po ashtu i kanë quajtur të jashtëligjshme seancat e mbajtura me vetëm 10-15 deputetë.

Haliti: S’ka rregullore që sanksionon deputetët për mungesë

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ndonëse e konsideron gabim mungesën e deputetëve në seanca të Kuvendit, ai e ka arsyetuar këtë sjellje të deputetëve me mungesën e një rregulloreje që do të vendoste për mungesa të tilla.

Ai po ashtu tha se seancat e gjata janë një arsye që deputetëve po u humbet interesimi.

“Kuvendi nuk e ka të rregulluar saktë kohën e votimit dhe kjo po ndikon pastaj edhe te lodhja, te rënia e interesimit për të qëndruar në sallë, sepse qëndrimi 7-8 orë ose 10 është i lodhshëm. Sidoqoftë, unë po besoj që me rregulloren e ardhshme do të përmirësohet kjo gjendje... Ata që nuk vinë nuk ishte dashur të kenë mëditje, por po ndodh e kundërta, vinë, nënshkruhen dhe pastaj dalin”, ka thënë ai.  

Haliti beson që javën e ardhshme do të kalojnë të gjitha çështjet që kanë mbetur peng.

“Nuk e besoj që mund të ketë grumbullime të çështjeve, unë besoj që javën e ardhshme do të procedohen dhe do të kalojnë të gjitha çështjet që duhet të votohen dhe pastaj shohim”, tha ai.  

Ai ka thënë se te ne problem i veçantë janë interpelancat e që, siç tha ai, po marrin shumë kohë për dallim nga parlamentet e shteteve të tjera.

“Interpelancë thërret ministri ose kryeministri, por deputeti s’mund ta thërrasë në interpelancë kryeministrin për çështje të para gjashtë muajve. Te ne çdo javë vinë kërkesa për interpelanca, pastaj ato zgjasin tri orë dhe kjo nuk është në harmoni me praktikat e parlamenteve të tjera”, përfundoi ai.

Selmanaj: Shprehia “s’ka kuorum” do të vazhdojë derisa të ekzistojë kjo Qeveri

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, për “Zërin” tha se seancat e Kuvendit po karakterizohen me mungesë kuorumi për shkak të papërgjegjësisë që kanë deputetët ndaj votës së qytetarit.

“Kjo po ndodh për dy arsye, e para ka të bëjë me papërgjegjësinë totale të deputetëve që kanë marrë mandatin për t’i përfaqësuar njerëzit në Kuvend dhe zgjedhin që të abuzojnë me të. Kjo i bie që ata nuk marrin si përgjegjësi votën e elektoratit, por u intereson vetëm pozita e deputetit dhe të mirat që sjell kjo pozitë”, tha ai.

Sipas Selmanajt, kjo vjen edhe si rezultat i mungesës së kryeministrit e ministrave në seanca.

“Mungesa e kryeministrit dhe e ministrave kur bëhen pyetje, kur diskutohet për çështje me rendësi dhe mungesa e madhe sidomos nga radhët e koalicionit qeverisës... dhe krejt kjo kur bëhet bashkë sjell rezultate të degradimit të Kuvendit të Kosovës, shumë deputetë mund të arsyetojnë mosardhjen pasi ministrat nuk janë prezentë që të përgjigjen në pyetje”, tha ai.

Selmanaj ka thënë që përderisa Kosova ka këtë Qeveri s’mund të ketë përmirësim dhe se duhet të mendohet për një zgjidhje.

“Duhet të mendojmë nëse zgjedhjet e parakohshme duhet të ndodhin si domosdoshmëri ose të gjejmë një zgjidhje, sepse ky fenomen do të vazhdojë”, ka thënë ai. 

Nagavci: Pa vullnetin e opozitës Qeveria s’mund të shtyjë asgjë përpara

Ndërkaq deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke folur për gazetën “Zëri” për mungesën e deputetëve gjatë votimit në seancat e Kuvendit tha se kjo që po ndodh është një praktikë e keqe.

Ajo këtë e quajti papërgjegjësi nga ana e deputetëve të Kuvendit dhe tha se mungesat e tilla po e dëmtojnë performancën e Kuvendit.

Nagavci më tutje tha se kjo Qeveri s’po mund të shtyjë asnjë agjendë përpara, duke qenë se për t’u votuar në Kuvend po i duhet gjithmonë vullneti i opozitës.

“Çështja e votimit është çështje politike. Ju e dini, Qeveria ka vetëm 51 vota dhe as anëtarët e Qeverisë s’kanë forcë t’i shtyjnë agjendat e veta pa vullnetin e subjekteve të tjera dhe kjo gjë po e delegjitimon punën e Qeverisë, sepse as çështjet më bazike s’po mund t’i shtyjnë”, deklaroi ajo.

Krasniqi: Të jashtëligjshme seancat me 10 deputetë

Albert Krasniqi, monitorues i punës së Kuvendit nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se ndonëse nënkryetari Xhavit Haliti ka tentuar ta rregullojë këtë çështje duke caktuar një orë të veçantë vetëm për votim, kjo praktikë nuk duhet të vazhdojë, pasi siç tha ai, pas diskutimit duhet të ndodhë votimi.

“Kohët e fundit nënkryetari Xhavit Haliti kur ka kryesuar seancat ka aplikuar një praktikë që të shteren diskutimet dhe pastaj të caktojë një kohë të veçantë kur do të votohej në bllok për të gjitha vendimet që janë diskutuar paraprakisht. Ka parlamente në vendet e tjera që e kanë të rregulluar këtë, por në Kosovë nuk ka. Kjo praktikë i ka efektet negative, sepse deputetët të cilët vinë të votojnë mund të ndodhë që nuk i kanë dëgjuar diskutimet dhe mund të mos jenë të informuar për vendimet që do t’i votojnë”, ka thënë ai.  

Krasniqi e ka konsideruar të jashtëligjshëm diskutimin në Kuvend me 10-15 deputetë. 

“Nuk është e ligjshme që të diskutohet dhe të mbahet një seancë në të cilën nuk ka kuorum. Nuk ka kuptim të vazhdojë seanca me 10-15 deputetë dhe pastaj të votohet kur ata të vinë në Kuvend. Në momentin kur Kuvendi s’ka kuorum duhet ta ndërpresë mbledhjen e të mos vazhdojë më tutje as me diskutime”, tha ai.

Ai më tutje tha se kjo çështje nuk është përcaktuar as në rregulloren e ardhshme të Kuvendit, e cila tashmë ka kaluar në leximin e parë dhe u është dorëzuar komisioneve përkatëse.

“Në rregulloren e ardhshme nuk është paraparë rregullimi i kësaj çështjeje, pasi ajo tash veç ka kaluar në lexim të parë, në Komisionin për Legjislacion dhe në Komisionin për Mandatin mbi Rregulloren në Kuvend”, tha ai.