Nga varrezat e dëshmorëve në Polac zhvarrosen 19 nga 122 dëshmorë

Aktuale June 20, 2018 - 16:12
Lexo detajet

Gjatë të martës dhe të mërkurës janë zhvarrosur dhe po të njëjtën ditë janë rivarrosur (vendosur) në varret e dëshmorëve në Marinë, që janë pjesë e Memorialit të UÇK-së 19 dëshmorë. Në Memorialin e UÇK-së në Marinë janë ndërtuar gjithsej 277 varre, raporton “Zëri.info”.

Ka filluar të martën dhe ka vazhduar edhe të mërkurën zhvarrimi i mbetjeve mortore të dëshmorëve nga varrezat e dëshmorëve në Polac dhe rivarrimi i tyre në varrezat e reja të dëshmorëve në Memorialin e UÇK-së në Marinë.

Brahim Misimi, kryetar i degës së Shoqatës së Familjeve të dëshmorëve në Skenderaj, i tha “Zërit” se të martën janë zhvarrosur mbetjet mortore të gjashtë dëshmorëve, ndërsa të mërkurën edhe të 13 dëshmorëve të tjerë.

“Gjatë ditës së marte janë zhvarrosur 6 dëshmorë, ndërsa të mërkurën edhe 13 dëshmorë të tjerë. Procedura është e atillë që menjëherë pasi që të zhvarrosen, trupa e dëshmorëve rivarrosën (vendosen) në varrezat e Marinës, në kuadër të Memorialit të UÇK-së. Deri me tani gjithçka po shkon mire”, ka thënë Misimi.

Ai ka shtuar se puna në zhvendosjen e dëshmorëve nga Polaci në Marinë do të merr kohë edhe disa ditë.

Edhe në Qeverinë e Kosovës kanë thënë se dëshmorët e Zonës Operative të Drenicës zhvarrosen dhe në të njëjtën ditë rivarrosen, apo vendosen në varret që janë ndërtuar para më shumë se 6-7 vjet dhe të cilat janë pjesë e Memorialit të UÇK-së në Marinë.

Në këtë memorial, në një pllakë të mermertë janë gravuar emrat e të gjithë dëshmorëve të Kosovës, mbi 2 mijë dhe ky memorial është bërë sipas modelit amerikan.

Anëtarë të Këshillit Organizative, i cili është angazhuar për zhvendosjen e dëshmorëve nga Polaci në Marinë janë Forca e Sigurisë së Kosovës, dy komunat e Drenicës, Skenderaj dhe Drenasi, Zyra e kryeministrit, Zyra për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, Komisioni për persona të zhdukur, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Agjencia për Menaxhimin e komplekseve memorial.

Këshilli Organizativ për zhvendosjen e dëshmorëve nga varrezat e dëshmorëve në Polac në ato në Marinë është formuar me një vendim të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj me 8 maj. Këshilli Organizativ udhëhiqet nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.

Ndryshe, në Marinë, në kuadër të Memorialit të UÇK-së janë ndërtuar 277 varre, në të cilat janë paraparë që të vendosen edhe dëshmorët që nuk janë në varrezat e Polacit, por në varrezat e fshatrave prej nga vijnë dëshmorët. Përveç 122 dëshmorëve, trupat e të cilëve pushojnë në varrezat e Polacit, ende nuk dihet se a do të varrosen në Marinë edhe dëshmorët tjerë të Zonës Operative të Drenicës, pasi që jo të gjithë kanë dhënë pëlqimin që të zhvendosen në Marinë.