Kalon projektligji për RTK-në

Aktuale June 20, 2018 - 15:23
Detajet

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Media në Kuvendin e Kosovës, kanë votuar pro projektligjit për Transmetuesin Publik të Kosovës (RTK), raporton “Zëri.info”.

Ky projekt ligj për një kohë është diskutuar nëpër Komisionet e Kuvendit të Kosovës. Paritë e kanë mbështetur kalimin e këtij projektligji në përjashtim të lëvizjes “Vetëvendosje të cilët e kanë kundërshtuar atë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Valon Ramadani ka thënë se është e papranueshme që diskutimi për këtë ligj është bërë në mënyra jo transparente dhe larg mediave.

“Për ne si Lëvizje Vetëvendosje është e papranueshme që sot projektligji për RTK-në ju procedua Qeverisë për mendim dhe e gjithë kjo mbledhje u mbajt jashtë syve të mediave, pra publikut. Një ligj kaq i rëndësishëm si ai për RTK-në, do të duhej të diskutohej e të shqyrtohej me një transparencë të plotë. Madje është obligim edhe sipas rregullores së Kuvendit që mbledhjet e Komisionit të jenë të hapura. Në këtë mbledhje nuk u lejua asnjë medium, asnjë monitorues nga shoqëria civile dhe asnjë nga organizatat e huaja që ndjekin punën në Kuvend”, ka thënë Ramadani.

Sipas tij versioni aktual i këtij projektligji është i papranueshëm dhe përbën zhvatje të qytetarëve.

“Ne, edhe njëherë duam t’i bëjmë të qartë qëndrimet tona në raport me projektligjin për RTK-në dhe do të bëjmë çmos që këto ndryshime të arrihen gjatë shqyrtimit në grupin punues, e sidomos ato ndryshime që kanë të bëjnë me kapitullin 4, pra me mënyrën e financimit. Versioni aktual është i papranueshëm dhe përbën zhvatje të qytetarëve”, ka thënë tutje ai.

Ligji për transmetuesin publik të Kosovës, është paraparë të hyjë në fuqi në vitin 2019, pasi që të votohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Me këtë ligj do të zgjidhet edhe çështja e financimit të RTK-së. /ZËRI