BE dhe azili: Merkeli dhe Macroni janë dakord në shumë pika

Aktuale June 20, 2018 - 09:40

Kancelarja Merkel duhet t'i prezantojë për dy javë CSU-së zgjidhje evropiane për çështjet e azilit. Takimi me Presidentin francez Macron qe një fillim i mbarë për të - edhe sepse pati lëvizje në reformat në BE.

Takimi u krye në kuadër të takimit të ministrave të të dyja vendeve, që zhvillohet çdo gjashtë muaj. Vendi i takimit qe rezidenca për të ftuarit e qeverisë gjermane 70 km nga Berlini.

Para takimit, Merkeli dhe Macroni patën rastin të shkëmbejnë mendime me njëri-tjetrin – megjithë vonesën prej 75 minutash. Një natë më parë mysafir i Merkelit ishte kryeministri i Italisë.

Një denduri e tillë vizitash në nivel të lartë ndodh shpesh para takimeve të nivelit të lartë të BE – në fund të fundit ka shumë gjëra që duhen diskutuar.

Solidarizim gjermano-francez

Kancelarja e dobësuar në politikën e brendshme e shënoi si sukses takimin në Kështjellën Messeberg. Merkeli shpalli në një konferencë të përbashkët shtypi solidarizimin me Macronin dhe foli për një “kapitull të ri” për bashkëpunimin bilateral dhe evropian. Edhe Macroni u tregua optimist – Evropa mund të bëjë përparime, tha ai. Macroni tha se e rëndësishme është që të shfaqemi “sovranë dhe njëkohësisht të bashkuar”. Kjo duhet të jetë filozofia e re e Evropës.

Pati edhe pika në të cilat përfytyrimet në të dy kryeqytetet qenë larg njëra-tjetrës. Ndërsa këto janë pikat që u pasqyruan në deklaratën e përbashkët:

– një “inisiativë ndërhyrjeje” në politikën e mbrojtjes me harmonizim të sistemeve të armëve

– një Këshill Sigurie i Evropës

– më shumë para dhe më shumë personel për të mbrojtur kufijtë e jashtëm të BE

– qendra azili edhe jashtë BE, për shembull në Afrikën e Veriut

– mbështetje e veçantë për shtetet me veçanërisht shumë refugjatë

– një buxhet vetjak për BE deri në vitin 2021 si zhvillim i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit (ESM) për investime nga mjetet financiare nacionale dhe taksa të mundshme evropiane

– një agjenci për inteligjencën artificiale

– numër më i vogël Komisarësh të BE

– lista ndërnacionale për zgjedhjet e BE në vitin 2024.

Merkeli dhe Macroni theksuan se këto masa janë propozime dhe nuk janë përpunuar në detaje. Kjo ka të bëjë me situatën konfuze në Evropë. Në një kohë që në të kaluarën shtetet e tjera tregoheshin të gatshme menjëherë të vepronin, sapo vihej në lëvizje tandemi Paris-Berlin, sot situata nuk është më kaq e thjeshtë. Holanda ka bërë tashmë të ditur se nuk dëshiron ta mbështesë një buxhet të përbashkët të Eurozonës. Edhe shtete evropianoveriore kanë formuluar së fundi qëndrime skeptike përsa u përket buxheteve të reja të BE.

Franca premton mbështetje në çështjen e azilit

Po përsa i përket temës polemizuese të azilit? I pyetur nga një gazetar, Macroni tha “po” përsa i përket një marrëveshjeje bilaterale për çështjet e azilit. Kjo do të thotë se refugjatë të regjistruar tashmë në Francë nuk do të lejohen të vijnë në Gjermani, premtoi Macron.

Këtë nuk duhet ta ketë dëgjuar me dëshirë vetëm Merkeli por edhe ministri i Brendshëm Horst Seehofer. Të dy kanë vendosur të bëjnë dy javë pushim në grindjen për azilin. Seehoferi dëshiron një kthim pas, ashtu si e premtoi Macroni. Merkeli i ka vënë vetes objektiv që të lidhë marrëveshje bilaterale pikërisht të kësaj natyre – brenda dy javësh./DW