Dialogu, i papërcaktuar

Aktuale June 18, 2018 - 08:00
Lexoni më shumë detaje

Pavarësisht raportimeve që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të takohen në fund të këtij muaji në kuadër të dialogut të Brukselit, një gjë e tillë është hedhur poshtë nga zytarë të Bashkimit Evropian, të cilët thonë se ende nuk është caktuar data për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Për momentin ende nuk mund ta njoftoj datën e takimit tjetër të nivelit të lartë”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijanciq.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës për Zërin kanë konfirmuar që janë duke bërë përgatitjet për fazën e radhës, porse kanë mohuar që do të ketë takim gjatë këtij muaji.

LEXO EDHE: Ndërkombëtarët: Ushtria, përmes Kushtetutës

Ndërkohë, ende nuk është caktuar data as për takime të nivelit teknik.

Avni Arifi, shef i delegacionit kosovar për bisedime me Serbinë, për Zërinka thënë që ende nuk është paraparë faza e ardhshme e dialogut në nivel teknik.

“Nuk kemi ende takim të paraparë në nivel teknik”, ka thënë shkurt ai.

Ai ka konfrimuar se sot (e hënë)  një delegacion i Kosovës do të udhëtojë për në Bruksel, ku do të prezantohen të arriturat e institucioneve të Kosovës në implemntimin e marrëveshjeve.

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje, por edhe Nisma Socialdemokrate, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, vazhdojnë të mos pranojnë që këto bisedime të udhëhiqen nga presidenti Thaçi.

Sipas tyre, kjo formë e bisedimeve duhet të ndërrojë me qëllim që kjo fazë e dialogut të jetë e pranueshme nga tërë spektri politik i vendit.

Shala: Duhet të krijohet një platformë e re për dialogun

Deputeti i Nismës, Haxhi Shala, ka thënë për “Zërin” që qëndrimi i partisë së tij sa i përket dialogut me Serbinë nuk ka ndërruar, porse ka thënë që duhet të krijohet një platformë e re për këtë dialog, që do t’i përfshinte të gjitha partitë e vendit.

“Qëndrimi i Nismës dihet, besoj që duhet të krijohet një platformë e re që është diskutuar edhe më herët dhe duhet të jetë një ekip i formuar nga gjitha partitë politike dhe atë ekip mund ta udhëheqë presidenti ose varësisht si e sheh grupi i unitetit që do të formohet”, ka thënë ai.

Shala mes të tjerash ka thënë që nuk e di datën kur do të vazhdojë ky dialog, por sipas tij, dialogu duhet të përfundojë sa më parë, pasi që është interes nacional.

KDI: Të krijohet një qëndrim nacional

Hulumtuesja e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, ka thënë për “Zërin” që pavarësisht nëse dialogu udhëhiqet nga Thaçi, me rëndësi është që të krijohet një qëndrim nacional në raport me dialogun.

“Nuk janë me rëndësi emrat e përveçëm se kush duhet ta udhëheqë Kosovën në dialog me Serbinë, më e rëndësishme është që para kësaj faze të rëndësishme të ketë një qëndrim nacional të spektrit të gjerë politik rreth asaj se çfarë qasjeje duhet ta ketë Kosova në këtë fazë të dialogut, cilat janë kërkesat dhe vijat e kuqe të shtetit të Kosovës etj.”, ka thënë ajo.

Ndërsa, sipas Haxhollit, është e pamundur që udhëheqësi i dialogut të jetë një figurë që pranohet nga i gjithë spektri politik.

“Do të ishte mirë që udhëheqësi i dialogut të jetë një figurë që pranohet, por kjo duket e pamundur pasi që ka kundërshtime prej disa subjekteve politike për udhëheqjen e dialogut nga Thaçi. Nëse qasja e Thaçit do të ishte më unifikuese dhe jo e njëanshme, siç ka qenë deri tani, edhe opozita do ta kishte pranuar atë. Thaçi duhet ta ndërrojë qasjen që të arrihet një unitet në vend për këtë çështje”, ka thënë ajo.