Ndërkombëtarët: Ushtria, përmes Kushtetutës

Aktuale June 18, 2018 - 07:47
Mësoni më shumë shumë detaje

Ambasada e SHBA-së dhe ajo e Gjermanisë thonë se Kosova duhet ta formojë ushtrinë përmes ndryshimit të Kushtetutës, duke e kundërshtuar kështu paralajmërimin e kryeministrit Ramush Haradinaj për formim të ushtrisë vetëm përmes ndryshimit të ligjeve, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pavarësisht paralajmërimeve të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj se ushtria mund të bëhet nëpërmjet ndryshimeve ligjore, bashkësia ndërkombëtare po vazhdon të këmbëngulë se një gjë e tillë duhet të ndodhë me anë të ndryshimeve kushtetuese.

Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Prishtinë kanë thënë për Zërin se SHBA-ja përkrah tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura përmes amandamentimit të Kushtetutës.

Njëjtë kanë pohuar edhe zyrtarë të Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, të cilët kanë thënë se ushtria duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe në koordinim të plotë me NATO-n, shkruan më tutje "Zëri".

Pavarësisht kësaj, drejtuesit e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së konsiderojnë se kundërshtimi i ndërkombëtarëve nuk është kategorik sa i përket planit “B” për bërjen e ushtrisë.

Sipas tyre, nëse ushtria nuk bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese, atëherë ajo mund të bëhet edhe nëpërmjet planit “B”, përmes ndryshimeve ligjore.

Ushtria, në koordinim me NATO-n

Nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë kanë thënë për “Zërin” se bërja e ushtrisë duhet të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

“Ne kemi nxitur Qeverinë që të punojë metodikisht për tranzicionin e FSK-së dhe që të vazhdojë me fushatën e saj brenda Kosovës, si dhe me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar përkrahje maksimale për këtë tranzicion. SHBA-ja vazhdon ta përkrahë tranzicionin e FSK-së përmes një ndryshimi kushtetues”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.  

Ndërkaq nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë thënë se definimi i mandatit dhe strukturës së FSK-së, duke përfshirë një transformim të mundshëm në forca të rregullta të armatosura, është vendim sovran i Kosovës.

Andaj sipas zyrtarëve të këtij institucioni, është tejet me rëndësi që ushtria të bëhet me amendamentim të Kushtetutës.

“Me këtë rast është e rëndësishme që transformimi të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Proceset politike të transformimit duhet të jenë transparente dhe përfshirëse. Përveç kësaj, për bashkëpunimin e ardhshëm me NATO-n është me rëndësi që mënyra e transformimit të koordinohet me partnerët e NATO-s”, theksohet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë.

Nuk dihet se kur do të rikthehet në Qeveri Projektligji për Ushtrinë

Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj para pak ditësh ka paralajmëruar se ushtria mund të bëhet me ndryshime ligjore, pasi që ndryshimet kushtetuese, sipas tij, është vështirë të ndodhin për shkak të kundërshtimit të Listës Serbe, pa votat e së cilës nuk mund të ndryshohet Kushtetuta.

“Mandatimi përmes bazës kushtetuese si opsion është gati i pamundur, sepse kërkon votën e dy të tretave të serbëve. Duke qenë kështu është e vështirë të kalkulohet që e kemi këtë votë. Në një moment të caktuar do të jemi të detyruar ta mandatojmë ushtrinë e Kosovës me ligj”, është shprehur ai.

Të pyetur se si do të veprojnë pasi që bashkësia ndërkombëtare po kërkon vazhdimisht që ushtria të bëhet me anë të ndryshimeve kushtetuese, nga Qeveria e Kosovës, duke mos saktësuar, kanë thënë se lidhur me këtë vlen deklarata e mësipërme e kryeministrit.

Por ndonëse para më shumë se një muaji MFSK-ja e kishte dërguar në Qeveri Projektligjin për Ushtrinë, Qeveria para pak javësh e ka rikthyer sërish në Ministrinë e Forcës këtë projektligj.

Të pyetur se pse ka ndodhur një gjë e tillë dhe se kur Projektligji në fjalë do të shkojë sërish në Qeveri, nga MFSK-ja, duke mos saktësuar, kanë thënë se ekzekutivi tashmë është në fazën e fundit të konsultimeve rreth çështjes së ushtrisë.

“Qeveria e Kosovës është në fazën finale të konsultimeve dhe kjo periudhë po shfrytëzohet për koordinimin final. Nuk bëhet fjalë për aspekte teknike të formulimeve ligjore, sepse ky proces tashmë është në fazën e vendimmarrjes politike”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MFSK-ja.

Nga ky dikaster më tej kanë bërë të ditur se janë duke u koordinuar me të gjithë akterët (duke mos specifikuar se me kë) sa i përket transformimit të FSK-së në FAK.

“Ne në Ministri dhe në Qeveri jemi në konsultime të përditshme me të gjithë akterët e rëndësishëm në këtë proces, në mënyrë që vendimmarrja të jetë e koordinuar mirë.  Tranzicioni i FSK-së është proces i pakthyeshëm dhe i koordinuar mirë”, potencohet më tutje.

Shala: Faktori ndërkombëtar nuk është kundër planit “B”

Duke folur rreth kësaj, Haxhi Shala, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, ka thënë se dërgimi i Projektligjit në Kuvend ka qenë i paraparë të ndodhë gjatë këtij muaji.

“Ka qenë e planifikuar në planin legjislativ të Qeverisë që në muajin qershor të procedohet në Parlament. Por ende është temë e cila do punë dhe mund. Jo vetëm Qeveria, por për këtë çështje duhet të punojmë të gjithë së bashku, ta bindim edhe pjesën e komunitetit serb që ta mbështesë formimin e ushtrisë së Kosovës, e cila besoj që është në rrugë të mbarë”, ka deklaruar ai.

Shala më tej ka thënë se pret që Qeveria shumë shpejt t’i sjellë ndryshimet kushtetuese, por në rast se nuk ndodh kështu, sipas tij, mund të shkohet me ndryshime ligjore.

I pyetur se si do të veprohet meqë ndërkombëtarët nuk po e mbështesin këtë version, Shala ka thënë se deklaratat e bashkësisë ndërkombëtare nuk dëshmojnë kundërshtinë e plotë ndaj planit “B”.

“Faktori ndërkombëtar nuk është kundër, vetëm ka thënë që më mirë është të shkohet me ndryshime kushtetuese, por nuk është kundër që të procedohet edhe me ligj. Të mos mendojmë që bashkësia ndërkombëtare është vetëm kundër kësaj”, ka shtuar ai.

Quni: Ushtria të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me ndërkombëtarët

Kurse Anton Quni, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë deputet i LDK-së, ka vlerësuar se nga autoritetet e NATO-s dhe nga partnerët strategjikë janë dhënë porositë e qarta se transformimi i FSK-së në FAK duhet të bëhet duke e respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Bashkëpunimi i ngushtë me partnerët strategjikë, sipas tij, është alternativa më e mirë për ngritjen e kapaciteteve të sigurisë.

E që Lista Serbe të votojë për ndryshimet kushtetuese, të cilat do të çonin drejt formimit të ushtrisë, sipas Qunit, duhet të kërkohet mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare.

“Deputetët nga Lista Serbe u binden vetëm autoriteteve të Beogradit. Që deputetët serbë të mos e pengojnë procesin e transformimit të FSK-së në FAK ne duhet ta kërkojmë ndihmën e SHBA-së dhe të NATO-s. Vetëm me veprime të bashkërenduara mirë me këta dy faktorë besoj që mund ta përmbyllim edhe këtë temë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Quni më tutje ka thënë se duhet të ketë angazhim maksimal, pasi që, ashtu siç ai është shprehur, vetëm pasi të binden edhe partnerët strategjikë se angazhimi i Kosovës është i sinqertë dhe se kundërshtimi i deputetëve serbë është i paarsyeshëm mund të hapet rruga për të kaluar në jetësimin dhe në zbatimin e planit “B” - përmes ligjit.