Ekipi i famshëm i Kuvendit pritet t’u kthehet shpejt kryeqyteteve evropiane për vizat

Aktuale June 11, 2018 - 16:35
Lexo detajet

Lobimi i Veselit me ekip zgjati veç një ditë. Turi, që ishte paraparë të zhvillohej në Evropë, pati vetëm një ndalesë, Vjenën. Por, lobuesit nuk e kanë kryer detyrën e tyre me kaq. Në vijim, kryeparlamentari Kadri Veseli me një grup deputetësh kanë për destinacion kryeqendrat tjera evropiane si Parisin e Romën.

Javën e kaluar, lajmi kryesor nga Kuvendi ishte se kryeparlamentari Kadri Veseli do të mblidhte deputetë nga secili grup parlamentar dhe do të niseshin për një ekskursion që për qëllim kishte lobimin për liberalizimin e vizave.

LEXO EDHE:  Nisen 'trimat' për lobim

Pjesë e ekipit lobues ishin përzgjedhur Teuta Rugova nga LDK-ja, Evgjeni Thaçi – Dragusha nga PDK-ja, Glauk Konjufca nga Vetëvendosja, Aida Dërguti nga PSD-ja, Time Kadriaj nga AAK-ja, Bilall Sherifi nga Nisma dhe Fikrim Damka nga 6+.

Në krye me Kadri Veselin, përfaqësuesit e Kuvendit të Kosovës të enjten e kaluar takuan kryeparlamentarin austriak, Wolfgang Sobotka.

Grupi u nis për Vjenë të enjten, më 7 qershor, për t’u kthyer një ditë më pas.

Në Kuvend thonë se ky tur nuk ka përfunduar. Destinacion më tutje do të jenë kryeqendrat e tjera evropiane si Parisi e Roma. Vizitat pritet të mbahen përgjatë këtij muajit, ndërsa varen edhe prej agjendave se si do të aranzhohen.

Ndryshe, turi i lobimit, më saktësisht përmbajtja, ishte befasi për të gjithë. Shpërthyen komentet në rrjetet sociale, ndërsa nuk kishte pritje se ky ekip do të lëvizte ndonjë gur në çështjen e heqjes së vizave. /Express/