Nisen 'trimat' për lobim

Aktuale June 07, 2018 - 07:38
Lexoni më shumë detaje

Kryeparlamentari Kadri Veseli vetë i 30-ti do të qëndrojë sot e nesër në Vjenë të Austrisë për të lobuar për heqjen e vizave për Kosovën. Në këtë vizitë ai do të shoqërohet nga katër zyrtarë të kabinetit të tij, nga tetë deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga ministrat Dardan Gashi dhe Bedri Hamza me tetë bashkëpunëtorë të tyre, si dhe nga kreu i Odës Ekonomike të Kosovës. Gazeta “Zëri” e boton listën me emrat e zyrtarëve që do të marrin pjesë në këto takime, si dhe agjendën zyrtare të vizitës

Kryeparlamentari Kadri Veseli, i shoqëruar nga katër këshilltarë të tij, do t’i nisë sot takimet në Vjenë të Austrisë, ku, siç është thënë, do të takojë zyrtarë të lartë austriak për të lobuar për heqjen e vizave me Bashkimin Evropian për Kosovën.

Veseli do të shoqërohet atje nga shefi i kabinetit Blerand Stavileci, nga këshilltari Avni Bytyqi, nga fotografi Petrit Prenaj dhe nga Bashkim Rrahmani.
Pjesëmarrja e Veselit vetë i pesti nga kabineti i tij në takimet e Vjenës bëhet e ditur nga agjenda e kësaj vizite zyrtare, të cilën ka arritur ta sigurojë gazeta Zëri.

Vetë i katërti në këto takime, sipas kësaj agjende, do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri e njëherësh ministri i Diasporës Dardan Gashi, të cilin do ta shoqërojnë Florim Berisha, Avdyl Lipoveci dhe Besim Berisha.

Sipas listës së pjesëmarrësve në këto takime, të cilën e posedon Zëri, në Vjenë do të udhëtojë sot nga Kosova një delegacion prej rreth 30 vetash.

Këtu përfshihen edhe deputetët Bilall Sherifi, Teuta Rugova, Evgjeni Thaçi-Dragusha, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, Time Kadrijaj, Fikrim Damka, Adem Hoxha, sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi dhe Shaban Selimi.

Armatës së lobuesve nuk do t’i mungojë as ministri i Financave Bedri Hamza dhe zyrtarët tjerë nga Ministria e tij si: Lulzim Rafuna, Lum Mita, Shkumbin Munishi, Shpresa Vokshi-Jupolli dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se pavarësisht se Kosova ka nevojë për liberalizim të vizave, një numër kaq i madh i lobuesve që do të marrë pjesë në takimet e Vjenës është i paarsyeshëm.

Agjenda e vizitës në Austri

Nga kabineti i kryeparlamentarit Kadri Veseli dje pasdite kanë njoftuar se ky i shoqëruar nga deputetë të grupeve parlamentare nga pozita dhe nga opozita do të udhëtojë të enjten për vizitë zyrtare në Austri.

Sipas njoftimit për medie, gjatë qëndrimit në Vjenë kryeparlamentari Kadri Veseli do të pritet në takim të posaçëm nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.

“Në takim me homologun austriak kryeparlamentari Veseli do të diskutojë për bashkëpunimin ndërshtetëror dhe për procesin e integrimeve evropiane të vendit, me theks të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave”.

Gjatë vizitës zyrtare në Vjenë delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të zhvillojë takime edhe me kryetaren e Grupit Parlamentar të Miqësisë Austri - Kosovë, Carmen Jeitler-Cincelli, ndërsa do të pritet në një takim edhe nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme i Kuvendit të Austrisë, si dhe takime të tjera me zyrtarë të shtetit austriak.

Gjatë vizitës zyrtare në Austri kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe deputetët kosovarë do të marrin pjesë edhe në Forumin Ekonomik Austri – Kosovë, të cilin e ka organizuar Oda Ekonomike Austriake në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Vjenë. Në këtë Forum Ekonomik, ku do të marrin pjesë qindra biznese austriake dhe ndërkombëtare, do të jenë të pranishëm edhe biznese nga Kosova, ndërsa kryeparlamentari Veseli pritet të ketë një adresim dhe do të flasë për potencialet që ofron Kosova dhe do t’i ftojë bizneset austriake dhe ndërkombëtare që të investojnë në Kosovë.

Deputetët: Lobimi do të jetë i frytshëm

Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka bërë të ditur për “Zërin” se në takimet e Vjenës këtë subjekt politik do ta përfaqësojë deputetja Evgjeni Thaçi-Dragusha, e cila njëherësh është mbesa e presidentit Hashim Thaçi.

Ndërsa deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, e cila po ashtu do të udhëtojë sot për në Vjenë, ka thënë për gazetën “Zëri” se lobimi nga një delegacion i tillë i përbërë nga përfaqësues të partive politike dhe përfaqësues të Kuvendit do të jetë i frytshëm sa i përket ndikimit në dhënien e vizave për Kosovën.

“Mendoj se është periudha që njerëzit duhet të dalin dhe të lobojnë, si institucionet përgjegjëse, kryetari i Kuvendit dhe Qeveria sepse jemi në një situatë të ndjeshme në të cilën po pritet të ndodhë liberalizimi i vizave dhe cilido qoftë individ, deputet, grup parlamentar që mund të kryejë vizita të tilla janë të mirëseardhura, sepse pas këtyre takimeve krijohet një perceptim tjetër”, ka thënë ajo.

Takimet me bizneset austriake

Përpos takimit që do të zhvillojnë me kryeparlamentarin austriak, Veseli dhe ministrat Hamza e Gashi do të takojnë edhe zëvendëspresidentin e Odës Ekonomike të Austrisë, Christoph Matznetter.

Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.

Ministrat Gashi dhe Hamza para bizneseve austriake do t’i shpalosin mundësitë për investime në Kosovë, si dhe kushtet për të bërë biznes në vend.

Demhasaj: I paarsyeshëm numri i madh i lobuesve

Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, konsideron se është krejtësisht e palogjike që delegacioni i udhëhequr nga Kadri Veseli për të lobuar për vizat të përbëhet nga një numër kaq i madh zyrtarësh.

Sipas tij, kjo dëshmon keqpërdorimet e buxhetit dhe të taksave të qytetarëve.

“S’ka logjikë që një ekip i përbërë prej një numri kaq të madh të përfaqësuesve të udhëtojë për një çështje të tillë. Të gjithë këta zyrtarë të shkojnë në këtë takim për të lobuar për viza është vetëm kosto financiare nga taksat tona dhe që vetëm e rëndon buxhetin për udhëtime të tilla që vazhdimisht po keqpërdoren dhe po udhëtojnë njerëzit vetëm për mëditjet që i marrin. Përndryshe s’mund të arsyetohet që rreth 30 zyrtarë shkojnë për të lobuar për vizat”, ka thënë ai.

Ai ndër të tjera tha se Kosova ka ambasadorët nëpër shtetet përkatëse duhet të kryejnë punën e lobimit dhe se shkuarja e një numri kaq të madh të zyrtarëve në këtë udhëtim ka më shumë qëllim financiar sesa lobim për viza.

“Ne mbi të gjitha i kemi ambasadorët të vendosur në këto shtete që paguhen për punën e tyre dhe duhet të luajnë rolin e lobuesit dhe eventualisht nëse ka nevojë ministri i Punëve të Jashtme dhe ministri i Integrimeve për të dëshmuar se sa i domosdoshëm është liberalizimi i vizave për Kosovën. Përndryshe, shkuarja e këtij numri kaq të madh të njerëzve më duket më shumë qëllim financiar sesa për viza”, ka përfunduar ai.   

Kryeziu: Rezerva për heqjen e vizave kanë shfaqur shtetet e rëndësishme

Njohësi i integrimeve evropiane Taulant Kryeziu ka thënë për gazetën “Zëri” se ka mungesë të entuziazmit brenda shteteve anëtare për liberalizimin e vizave me vendet e treta.

“Viteve të fundit vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë ballafaquar me presion të fuqishëm publik për çështjet siç janë emigrimi, azilkërkuesit, terrorizmi, etj. Po ashtu ka pasur ide për suspendim të regjimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor që tashmë kanë fituar liberalizimin e vizave”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai po ashtu ka thënë se disa vende të rëndësishme janë shprehur të rezervuara për heqjen e vizave për Kosovën.

“Vendet anëtare të rëndësishme, siç janë Franca, Suedia, Holanda, kanë shfaqur rezerva të mëdha për heqjen e regjimit të vizave me Kosovën”, ka shtuar Kryeziu.

Më tej ai ka thënë se edhe në Raportin për Kosovën është nënvizuar se drejtësia vazhdon të jetë e ndikuar nga politika, prandaj fokusi duhet të jetë në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë në Kosovë, në mënyrë që Berlini dhe Parisi të kenë arsye për shtyrjen përpara të këtij procesi.

“Konsideroj që duhet të lobohet te kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së dhe t’u komunikohet në mënyrë të qartë dhe të matshme progresi i arritur në Kosovë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Në veçanti, vendeve anëtare duhet komunikuar masat që Kosova ka marrë në fushën e azilkërkuesve, të emigrimit dhe të luftës kundër krimit të organizuar e të korrupsionit”, ka potencuar më tej Kryeziu.

Sipas tij, rol kyç në këtë proces kanë Gjermania dhe Franca.

“Le të urojmë që për hir të qytetarëve tanë fundi i vitit të na japë lajmin pozitiv. Sidoqoftë, duhet kuptuar se ky është proces teknik me vendimmarrje politike që rol kyç do të kenë shtetet kryesore anëtare të BE-së, Gjermania, Franca”, ka shtuar Kryeziu.