Veseli niset në turin e dytë lobues për viza

Aktuale June 11, 2018 - 14:52
Pas Vjenës ky është destinacioni i radhës

Të enjten e kaluar, më 7 qershor, kreu i Kuvendit Kadri Veseli, i shoqëruar nga katër këshilltarë të tij, kishte filluar takimet në Vjenë të Austrisë, ku, siç është thënë, për të takuar zyrtarë të lartë austriak për të lobuar për heqjen e vizave me Bashkimin Evropian për Kosovën, raporton “Zeri.info”.

Veseli në këtë takim ishte i shoqëruar nga shefi i kabinetit Blerand Stavileci, nga këshilltari Avni Bytyqi, nga fotografi Petrit Prenaj dhe nga Bashkim Rrahmani

Sot Kadri Veseli, në kuadër të këtyre vizitave ka udhëtuar për në Strasburg, por që kësaj radhe Kuvendi nuk ka bërë të ditur se kush do ta shoqërojë atë në këtë vizitë, raporton “Zeri.info”.

LEXO EDHE: Nisen 'trimat' për lobim

Gjatë kësaj vizite, Veseli do të pritet të martën në takim të veçantë nga kreu i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani.

“Në takimet me kreun e Parlamentit Evropian dhe zyrtarë të lartë evropianë, Kryeparlamentari Veseli do të diskutojë për përmbushjen e gjitha kritereve nga ana e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave dhe do të kërkojë vendimmarrjen e nevojshme në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi lëvizjen pa viza në Zonën Shengen gjatë këtij viti”, thuhet në njoftimin e Kuvendit, raporton “Zeri.info”.

Sipas këtij njoftimi, gjatë qëndrimit në Strasburg, kryetari i Kuvendit, Veseli, do të ketë takime të ndara edhe me Raportuesen për Liberalizim të Vizave për Kosovën, Tanja Fajon si dhe me eurodeputetë tjerë, si Tonino Picula, i cili udhëheqë delegacionin evropian për Kosovën dhe eurodeputetë nga Partitë Popullore Evropiane, si Cristian Dan Preda dhe David McAllister. /ZËRI/