Qytetarët e Prishtinës të pakënaqur me punën e Shpend Ahmetit

Aktuale June 09, 2018 - 20:04
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Puna e kryetarit Shpend Ahmeti në këtë mandat nuk është se po iu pëlqen qytetarëve të Prishtinës. Nga indeksi i kënaqshmërisë që është realizuar nga INPO, shihet se ka rënë dukshëm vlerësimi pozitiv për qeverisjen komunale. Po ashtu, edhe para kamerës së T7, disa qytetarë të Prishtinës, Ahmetin e quajnë dështak.

Mandati i dytë nuk po i shkon aq mirë Shpend Ahmetit.

Janë bërë rreth gjysmë viti prej kur kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka marrë mandatin e dytë të udhëheqjes në kryeqytet.

E prishtinasit kanë ulur nivelin e kënaqshmërisë për punën e tij. Ata bile e cilësojnë dështim qeverisjen e Ahmetit.

Këto deklarata të qytetarëve të Prishtinës, po rezultojnë të njëjta edhe me Indeksin e kënaqshmërisë së qytetarëve të Prishtinës me udhëheqjen e Komunës.

Qytetarët janë pyetur se a janë të kënaqur me punën e kryetarit të Komunës

Mbi 32 % e tyre thonë se janë të kënaqur me punën e Ahmetit, derisa 29% e tyre thonë se janë të pakënaqur me punën e tij deri tash këtë mandat.

Sa i përket drejtorive, sipas raportit të Iniciativës për Progres ajo e shëndetësisë qëndron më mirë në Prishtinë, sa i përket vlerësimit që i bëjnë qytetarët.

Ndërsa, Televizioni 7 ka kërkuar me ditë të tëra një përgjigje nga udhëheqësit e Komunës së Prishtinës, se si e komentojnë indeksin e kënaqëshmërisë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.