Qeveria tërhoqi platformën nga dështimi i sigurt

Aktuale June 08, 2018 - 07:51
Lexo detajet

Ndonëse pritej që në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës të diskutohej platforma për dialogun, Qeveria e Kosovës mori vendim që ta tërhiqte nga rendi i ditës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Një vendim i tillë erdhi pasi koalicioni nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta miratuar këtë projektplatformë.

LEXO EDHE: Delegacionet 'kineze' në dëm të buxhetit

Kështu konsiderojnë monitoruesit e procesit të dialogut, të cilët thonë se deklarimet e partive politike kishin bërë me dije se platforma do të dështonte së votuari.

Sipas tyre, edhe po qe se platforma kalon në ditët në vijim me një shumicë të thjeshtë në Parlament, duhet sa më shpejt të arrihet një konsensus i gjerë politik, meqë do të ketë problem edhe për ratifikimin e marrëveshjes finale mes Kosovës e Serbisë.

Kjo pasi për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 2/3 e votave të deputetëve.

Por pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e pozitës konsiderojnë se do të arrihet një konsensus rreth procesit të dialogut. Vendimin e Qeverisë për ta tërhequr platformën ata e cilësojnë si veprim tërësisht të duhur.

Për dallim prej tyre, përfaqësuesit e opozitës thonë se platforma e cila kishte ardhur në Kuvend nuk mund të quhet fare platformë.

Haxholli: Platforma aktuale, më e dobët se herët e kaluara

Violeta Haxholli, hulumtuese e projektit për dialog në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se arsyeja e tërheqjes së platformës së dialogut nga Kuvendi ka të bëjë kryekëput me mungesën e votave për ta miratuar atë.

“Ata janë frikësuar se kjo platformë nuk do të votohet në Kuvend, domethënë nuk do ta marrë aprovimin e deputetëve. Ka pasur deklarata të shumta kryesisht nga opozita të cilët kanë thënë se nuk janë dakord as me platformën, as me atë që parasheh platforma, pra përfaqësimin e Kosovës nga presidenti në dialog”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Por pos kësaj, sipas Haxhollit, platforma në fjalë ka qenë tejet e mangët, madje më e mangët se ato të herëve të kaluara. “Nuk ka pasur elemente që duhet të ketë një platformë, as strategjinë, as agjendën ose ekipin negociues. Ka qenë më shumë si një lloj draftrezolute e cila është tentuar të kalohet si e tillë”, ka shtuar ajo.

Andaj sipas saj, rrugëzgjidhja e vetme për t’u aprovuar platforma e dialogut në Kuvend është që të arrihet një konsensus nacional i spektrit politik, në lidhje me përfaqësimin e Kosovës në procesin e dialogut.

Mungesa e arritjes së një uniteti të tillë siç thotë Haxholli do ta çojë Kosovën në dialog të ndarë dhe marrëveshja përfundimtare që duhet të arrihet pastaj me Serbinë nuk do të mund të ratifikohet as në Kuvend. Kjo pasi për ta miratuar atë marrëveshje kërkohen 2/3 e votave të deputetëve.  

Lushaku: Tërheqja e platformës dëshmon joseriozitetin e Qeverisë

Ndërkaq, politologia Jehona Lushaku ka konsideruar se vendimi i Qeverisë për ta hequr nga rendi i ditës platformën për dialogun me Serbinë tregon qartazi për joseriozitetin e Qeverisë në këtë drejtim.

“Tërheqja e platformës përgjithësisht tregon që Qeveria nuk ka qartësi rreth dialogut me Serbinë. Duke marrë parasysh presionin kohor, kjo tregon mungesë serioziteti të Qeverisë. Po ashtu mund të jetë mungesë konsensusi brenda koalicionit”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, tema e dialogut është temë që kërkon konsensus edhe institucional, edhe qartësi se kush do ta udhëheqë atë.

Pajaziti: Në procesin e dialogut të lihet anash çështja e emrave

Në anën tjetër deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka konsideruar se partitë nuk duhet “të kapen” për emra se kush do ta drejtojë dialogun, porse të veprojnë për të mirën e qytetarëve të vendit.

“Për punën e bisedimeve duhet të lihet anash puna e emrave, duhet të dakordohemi në parim për të vazhduar. Duhet të pajtohemi për disa çështje që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë, me interesat e qytetarëve të vendit. Kjo është rruga e vetme që mund të krijojë konsensus”, është shprehur ai.

E pavarësisht se disa prej partive tashmë janë deklaruar kundër platformës, Pajaziti është shprehur optimist se mund të arrihet një konsensus i gjerë politik.

“Personalisht mendoj që është një plus i madh pasi të gjithë janë për dialog, nuk ka ndonjë deklarim kundër. Kjo është faza e konsensusit, por kjo nuk është e mjaftueshme. Unë besoj që mund të arrihet”, ka shtuar ai. 

Selimi: S’bëhet fjalë për platformë, por për projektin e Thaçit

Teksa ka folur për vendimin e fundit të Qeverisë për zmbrapsjen nga platforma Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka vlerësuar se qëndrimi kundër i këtij subjekti ka përcaktuar vendimin e Qeverisë për ta tërhequr platformën.

“Nuk është hera e parë që Qeveria bën këso lloj veprimesh në raport me Kuvendin, në raport me partitë politike, por edhe me opinionin në përgjithësi. Sigurisht që përgjigjja e LVV-së e ka përcaktuar një situatë të tillë për shkak se LVV-ja është determinuese e opozitëbërjes në Kosovë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Selimit, projektplatforma që ishte dërguar në Kuvend nuk ka të bëjë fare me platformë, porse me një projekt krejtësisht të presidentit aktual Hashim Thaçi.

“Në këtë rast nuk bëhet fjalë për platformë, as për diçka parimore që ka të bëjë me shtetin e Kosovës. Bëhet fjalë për një projekt që është kryekëput projekt i Thaçit me përfaqësuesit e Serbisë për ta finalizuar një projekt që opinioni nuk e di as se si ka filluar, as se si do të përfundojë”, ka shtuar ai.

Hoti: Ne s’i kemi prioritet emrat, por përmbajtjen

Kurse Enver Hoti, deputet i Nismës Socialdemokrate, e ka cilësuar si hap të mirë tërheqjen e platformës nga rendi i ditës në seancë.

“Të gjitha pikat që i sponsorizon Qeveria për të qenë pjesë e rendit të ditës në seancat plenare Qeveria e ka mundësinë që edhe t’i tërheqë. Sipas vlerësimit të bërë, Qeveria e ka kryer punën e vet. Nisma është me Qeverinë”, ka theksuar ai.

Kjo pasi siç ai është shprehur, duhet ende kohë për ta arritur një konsensus të gjerë mes partive.

I pyetur rreth qëndrimit të Nismës rreth platformës dhe kryenegociatorit, Hoti ka thënë se ky subjekt nuk mendon se presidenti duhet ta drejtojë dialogun, porse ka bërë të ditur se Nisma nuk do të kapet në emra, por në përmbajtje.

“Ne kemi thënë që nuk do të duhej t’i udhëhiqte bisedimet Thaçi, ky është qëndrim yni zyrtar dhe publik. Por ne jemi në funksion të interesit të vendit, pavarësisht prej emrave, ne nuk i kemi prioritet emrat, kemi prioritet përmbajtjen e platformës dhe mbrojtjen e interesit të vendit”, ka theksuar ai.