Delegacionet 'kineze' në dëm të buxhetit

Aktuale June 08, 2018 - 07:48
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Delegacionet e stërmëdha kosovare që po udhëtojnë për vizita zyrtare e lobim jashtë vendit tashmë janë shndërruar në një gjë të rëndomtë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Vetëm gjatë ditës së djeshme një delegacion i përbërë nga rreth 30 zyrtarë të Kuvendit e të Qeverisë së Kosovës kanë udhëtuar për në Vjenë për të lobuar rreth liberalizimit të vizave dhe për çështje ekonomike.

Pos kësaj, edhe gjatë muajit të shkuar një delegacion tjetër kosovar, i përbërë nga zyrtarë të Qeverisë dhe të Presidencës, kishte udhëtuar për në Bullgari për të marrë pjesë në Samitin e Sofjes.

LEXO EDHE: Kërkohen sanksionime për deputetët që mungojnë në seanca

Pos krerëve institucionalë në këtë ekip bënin pjesë edhe ministra, zëvendësministra, këshilltarë e zyrtarë tjerë, të cilët në tërësi kapnin shifrën gati 30.

Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa konsiderojnë se një praktikë e tillë e dëmton mjaft shumë buxhetin e shtetit. Sipas tyre, numri kaq i madh i zyrtarëve që marrin pjesë në delegacione të tilla është krejtësisht i panevojshëm.

Mirëpo, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës vlerësojnë se një praktikë e tillë arsyetohet po qe se këto vizita jashtë vendit sjellin rezultate pozitive.

Ndërkaq përfaqësuesit e shoqërisë civile konsiderojnë se shkuarja e këtyre ekipeve megalomane jashtë vendit, qoftë edhe për lobim, mund të sjellin vetëm efekte negative dhe harxhime të panevojshme në dëm të buxhetit të shtetit.

Lajçi: Delegacionet e mëdha, zhvatje e buxhetit të shtetit

Anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa nga Lëvizja Vetëvendosje, Ali Lajçi, ka vlerësuar se delegacionet si ai i lobimit për viza dhe ai që mori pjesë në Samitin e Sofjes e rëndojnë tejet shumë buxhetin e shtetit.

“Kjo ka të bëjë me keqpërdorimin e gjendjes buxhetore. Unë e shoh atë vetëm një lloj loje, si tentim i zhvatjes. Lobimi nuk shkon pa buxhet, ata nuk lëvizin pa pare, po bëjnë ekspedita, ndërkohë që vendin e kanë lënë përtokë”, është shprehur ai.

Sipas Lajçit, vizitat e tilla nuk e rregullojnë as çështjen e vizave, por as çështjet e tjera. Madje siç ai është shprehur, liberalizim nuk do të ketë as për një kohë, ndonëse qeveritarët po paralajmërojnë një gjë të tillë. “Dikush tha që brenda 10 ditësh do të kryhet liberalizimi, dikush brenda vitit, por ende nuk i kemi vizat dhe s’do t’i kemi edhe për një kohë. Asgjë nga këto nuk mund të shkojë mirë për arsye se delegacionet nuk i rregullojnë këto, i rregullon funksionimi i mirë i shtetit. Krijimi i kushteve brenda jep efekt edhe jashtë, por këta po bëjnë politikë të çuditshme, klanore, për interesa të gupeve, kurrsesi për shtetin”, ka shtuar ai.

Selmanaj: Nëse delegacionet e mëdha sjellin rezultate, gjithçka është në rregull

Pavarësisht tij, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Rasim Selmanaj ka vlerësuar se është krejt në rregull të shkojë një delegacion i madh jashtë vendit nëse ai do t’i sillte efekte pozitive Kosovës. Porse, ai ka pranuar se delegacionet në të tilla raste duhet të jenë më të vogla në numër.

“Nëse pjesëmarrja e tyre jashtë do të kontribuonte pozitivisht për liberalizim të vizave, mendoj që është në rregull, megjithatë numri më i vogël do të ishte më mirë. Do të ishte ndoshta më produktive vizita nëse do të kishin shkuar më pak deputetë”, ka pohuar Selmanaj.  

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar delegacionin i cili u nis gjatë ditës së djeshme për në Vjenë. Me këtë rast Hoti ka konsideruar se udhëtimet në fjalë mund të sjellin vetëm efekt negativ për vendin. “Udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë te shtetet e BE-së”, ka theksuar ai.

Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave sipas Hotit, kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Parlamentit për t’i aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane.

Emini: Delegacionet e mëdha, shpenzim i paarsyeshëm i parasë publike

Në anën tjetër Shpend Emini, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka konsideruar se shkuarja jashtë vendit i zyrtarëve të shtetit në grupe të mëdha ka nisur të bëhet një fenomen i zakontë nga institucionet në Kosovë.

“Shkuarja e një numri të madh të zyrtarëve nga institucionet e Kosovës qoftë në lobim, qoftë në samite ose në konferenca ndërkombëtare është i paarsyeshëm, duke marrë parasysh edhe rëndësinë si të konferencave, të samiteve, por edhe të takimeve që do të marrin pjesë këta zyrtarë, të cilët nuk janë shpeshherë fare pjesë e këtyre takimeve”, është shprehur ai gjatë një bisede për “Zërin”.

Madje vizita që ka filluar dje për lobim rreth liberalizimit sipas Eminit mund të ketë efekt krejtësisht të kundërt, pasi jo të gjithë personat që do të shkojnë atje janë të njoftuar me temat, progresin ose me çështjet e tjera që lidhen me liberalizimin e vizave.

Teksa ka folur për këtë praktikë, Emini ka ngritur edhe një tjetër shqetësim.

“Shkuarja e një numri të madh është i paarsyeshëm, po ashtu është i paarsyeshëm edhe shpenzimi i parasë publike sepse në shumicën e rasteve zyrtarët e nivelit të ulët që shkojnë nëpër këto takime mbesin jashtë këtyre takimeve dhe shpenzojnë para publike për udhëtime të tyre private”, ka potencuar ai.  

Rushiti: Lobimi për vizat nuk e arsyeton madhësinë e delegacionit

Ndërkaq Visar Rushiti, hulumtues në organizatën joqeveritare “Demokracia Plus” (D+), ka numëruar një varg elementesh të cilat krijojnë shpenzime të tepërta nga delegacionet e mëdha të zyrtarëve shtetërorë, të cilët udhëtojnë jashtë vendit.

“Domosdo krijojnë shpenzime të mëdha të buxhetit, duke i pasur parasysh elementet e ndryshme lidhur me shpenzimet për udhëtimet zyrtare, për akomodimin, pastaj për mëditjet, për drekat dhe për darkat që mund të njihen si pjesë e këtyre vizitave jashtë vendit”, ka deklaruar ai.

Andaj sipas Rushitit, duhet patjetër të ketë një racionalizim në shpenzime dhe një racionalizim në krijimin e delegacioneve.

“Duhet të ketë një numër optimal të personave që do të jenë jashtë vendit për qëllimin për të cilin shkojnë, por nuk duhet të ketë të atillë që mund të jenë në një rol dytësor, tretësor ose edhe më larg në delegacion. Në rastin aktual, rasti i liberalizimit është me rëndësi dhe me të vërtetë ka nevojë për një lobim nga ana e Kosovës, por kjo nuk e arsyeton assesi madhësinë e delegacioneve me të cilat po tenton të shkojë Qeveria ose Kuvendi”, ka shtuar ai.

Pavarësisht këtyre, Rushiti ka vlerësuar se madhësia dhe përbërja e delegacioneve nuk është e lehtë për t’u kontrolluar pasi vizitat jashtë vendit dallojnë nga njëra-tjetra.