Vetëvendosje: Prokuroria po bashkëvepron në krim të organizuar për Telekomin

Aktuale June 03, 2018 - 12:38
Detajet

Lëvizja Vetëvendosje po kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të hetoj përgjegjësit që e sollën ndërmarrjen më fitimprurëse në vend Telekomin e Kosovës drejt falimentimit.

Gjendjen aktuale në këtë ndërmarrje, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti thotë se e kemi  si pasojë e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, raporton “Zëri.info”.

"Gjendja e sotme në Telekom është pasojë e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Kanë përfituar zyrtarët shtetërorë e biznesmenët privat. Njeriu që ka paralajmëruar krimin e organizuar në Telekomin e Kosovës është profesionisti Ismet Hamiti. Në letrën dërguar prokurorisë së shtetit ai denoncoi përgjegjësit. Prokuroria të veproj duke hetuar menjëherë", ka deklaruar Kurti.

Në anën tjetër, eksperti i telekomunikacionit Ismet Hamiti thotë se gjendja e Telekomit është në duar të prokurorisë së shtetit, të cilën e fajëson për mungesë vullneti në kryerjen e punës për të cilën paguhet.

"Prokuroria e shtetit ka në duar të shpëtoj Telekomin e Kosovës. Telekomi është në gjendje të keqe saqë nuk mund të mbulojë as shpenzimet e veta rrjedhëse. Fitimet e Telekomit janë plaçkitur në vazhdimësi. Përgjegjës për këtë gjendje janë të gjitha qeveritë e pasluftës përfshirë qeverinë aktuale. Prokuroria nuk është e hetuar të denoncoj këtë veprim. Prokuroria nuk ka vullnet për ta kryer punën për të cilën paguhet, ka deklaruar Hamiti.

Ndryshe, gazeta Zëri muaj më parë ka raportuar se Prokuroria ka filluar hetimet për krizën financiare në këtë ndërmarrje.

Vetëvendosje të hënën do të mbaj interpelancë për Telekomin e Kosovës./Zëri.info