Ethet e dialogut

Aktuale May 31, 2018 - 08:21
Lexoni më shumë detaje

Dy kryenegociatorët e dialogut Kosovë - Serbi, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, kanë paralajmëruar së fundmi se ky proces do të përmbyllet me kompromise mes të dyja vendeve, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Përderisa Thaçi ka deklaruar se asnjëra palë nuk do të jetë fituese 100 për qind, Vuçiq ka thënë se mund të arrihen kompromise, qofshin ato edhe të dhimbshme.

LEXO EDHE: Mekaj: Më arrestuan si hakmarrje politike ndaj Fatmir Limajt

Megjithëkëtë, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se nuk përjashtohet mundësia që Kosova të dëmtohet sërish në këtë proces, pikërisht në fazën përmbyllëse e cila pritet të nisë së shpejti, shkruan më tutje "Zëri".

Sipas tyre, gjatë fazës finale të negociatave me Serbinë mund të arrihen kompromise edhe nëse ato nuk janë në favor të Kosovës.

Në anën tjetër, përderisa përfaqësuesit e pozitës konsiderojnë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë, deputetët e opozitës thonë se fakti që presidenti i Kosovës flet për kompromise të dhimbshme tregon më së miri për një proces të menaxhuar keq nga ana e tij qysh nga fillimi.

Thaçi: Epilogu i dialogut, “Win-Win” për të dyja palët

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka ripërsëritur edhe një herë se përmbyllja e dialogut do të jetë fitues, siç ka thënë ai, “Win-Win” për të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë.

Një deklaratë të tillë Thaçi e ka dhënë pas takimit që pati të martën me kancelarin austriak Sebastian Kurz.

“Do të ketë një ‘Win-Win’ edhe për Kosovën, edhe për Serbinë. Flas për këtë ‘Win-Win’ pasi të dyja vendet do të jenë pjesë e BE-së dhe në fund të procesit do të ndodhë njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar Thaçi.

Tutje, kreu i shtetit ka thënë se kancelari austriak do të luajë një rol të rëndësishëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se duhet të arrihet një kompromis përfundimtar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Madje, sipas tij, në një të ardhme të afërt do të mundë të pranohen kompromise, edhe nëse ato mund të jenë të dhimbshme për dikë.

Beqaj: Pasojat e politikës që ka udhëhequr Thaçi nuk janë shtjerrë

Duke i komentuar deklaratat e dy presidentëve, politologu Belul Beqaj nuk ka përjashtuar mundësinë që Kosova të pësojë dëme të mëtejshme nga faza finale e dialogut me Serbinë.

“Fatkeqësisht pasojat e politikës së deritanishme që e ka udhëhequr Thaçi nuk janë shtjerrë. Opinioni kosovar nuk ka njohuri se çfarë marrëveshje ka bërë deri më tani. Nuk përjashtohet mundësia që shteti i Kosovës të pësojë dëme edhe më të mëdha sesa ka pasur deri më tash”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Beqajt, kompromiset të cilat mund të arrihen në fund të dialogut lidhen me të ardhmen politike të presidentit të Kosovës.

“Paralajmërimet e tij për kompromise ‘të dhimbshme’ janë pasoja që duhet të ndodhin në përmbyllje të dialogut si rezultat i çmimit të së ardhmes së tij. Prandaj, çdo kompromis që bëhet pa të (Thaçin) do të jetë më pak i dhimbshëm sesa kompromisi që bëhet me të”, ka theksuar ai.

Andaj sipas Beqajt, para se të nisë faza finale e bisedimeve me Serbinë do të duhej që të bëhej fillimisht një analizë e detajuar.

“Analiza e tillë do të tregonte se Kosova duhet ta ndërrojë ekipin negociues, përmbajtjen dhe mënyrën e dialogut. Por, Thaçi aq thellë e ka shtyrë Kosovën në humnerë saqë është vështirë të dilet nga tuneli pa u ballafaquar me pasojat e procesit të dialogut që qëndron në kokë. Dialogu duhet të kthehet në këmbë. Serbia nuk ka çka të kërkojë më nga Kosova ngase Kosovën e ka humbur me politikën e dhunës sistematike. Prandaj dialogu duhet të vazhdojë vetëm nëse Serbia e trajton Kosovën si partner të barabartë”, ka theksuar ai.

Krasniqi: Në asnjë mënyrë shkëmbimi i territoreve s’do të jetë temë diskutimi

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se qëllimi i dialogut mes Kosovës e Serbisë është që të përafrohen qëndrimet mes të dyja palëve.

“Zakonisht qëllimi është të përafrohen qëndrimet e të dyja palëve. Cili mund të jetë përfundimi unë nuk e di, por duhet ta kemi të qartë se kërkesa e Kosovës duhet të jetë përmbyllja njëherë e përgjithmonë e çështjes së Kosovës me Serbinë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

E pavarësisht ambicieve të Serbisë për ndarje të Kosovës ose shkëmbim territoresh, ai është shprehur i bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Unë besoj që në asnjë mënyrë diskutimi për shkëmbim të territoreve ose për ndarje të Kosovës s’do të jetë në tavolinë dhe nuk besoj që ka mbështetje politike as në Kosovë, as jashtë për një gjë të tillë. Kjo është një qasje të cilën e ka pasur Serbia për vite me radhë dhe nuk do të duhej që ne të binim në grackën e planeve që mund t’i ketë ajo për Kosovën e që ndërlidhen me ndarjen”, ka theksuar Krasniqi.

Nagavci: Thaçi nuk duhet ta drejtojë dialogun

Kurse deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se sikurse deklaratat e fundit të presidentit Thaçi se dialogu do të jetë “Win-Win”, ashtu edhe i tërë procesi i dialogut deri më tash nuk tregojnë asgjë të mirë për Kosovën.

Sipas saj, presidenti Hashim Thaçi nuk do të duhej ta drejtonte në asnjë rrethanë këtë proces.

“Ai nuk ka përgjegjësi ekzekutive, sepse ne jemi Republikë Parlamentare. Andaj, ne në asnjë mënyrë nuk jemi pro kësaj platforme si e kanë quajtur të dialogut”, ka shtuar ajo.

Nagavci tutje ka thënë se përgjatë tërë kohës së negociatave ka pasur vetëm marrëveshje të dëmshme dhe të pazbatuara, andaj Kosova duhet të ketë shumë kujdes në fazën e fundit të dialogut. “Serbia vazhdimisht ka arritur që të avancojë kundrejt BE-së dhe duhet jashtëzakonisht shumë kujdes që t’i mbrojmë interesat e shtetit tonë”, ka shtuar ajo. 

Kusari-Lila: Deklaratat e Thaçit për kompromise, derivat i keqmenaxhimit të procesit

Duke i komentuar paralajmërimet për kompromise mes Kosovës e Serbisë Mimoza Kusari-Lila, deputete e Alternativës, ka konsideruar se një gjë e tillë ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të procesit të dialogut.

“Fakti që tash presidenti i Kosovës flet për kompromise të dhimbshme tregon për një proces të menaxhuar keq nga ana e tij, qoftë në aspektin e kohës kur qeveriste, qoftë tash si president. Kosova si shtet e ka kujdesin dhe të drejtat e barabarta për të gjitha komunitetet, përderisa Serbia deri më tash kompromis të dhimbshëm e quan faktin që duhet të heqë dorë nga Kosova, por faktikisht Kosova nuk ka qenë pjesë e Serbisë”, është shprehur ajo.

Prandaj krejt këto deklarata dhe mënyra se si është menaxhuar dialogu, sipas saj, tregon për një mungesë të konsistencës në qasjen kosovare për të kërkuar prej Serbisë atë që i takon.

Andaj Kusari-Lila ka vlerësuar se duhet që gjithë klasa politike të angazhohet për fazën finale të dialogut.