Lekaj: Rruga ka ekzistuar gjithmonë, vetëm po e riparojmë

Aktuale May 29, 2018 - 12:04
Lexoni më shumë detaje

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, duke folur për kundërshtimin e Manastirit të Deçanit për vazhdimin e punimeve në rrugën Deçan –Plavë ka deklaruar për “Zeri.Info” se këto punime nuk janë ndërprerë pasi siç ka theksuar ai projekti po zbatohet sipas planit dhe jashtë zonës së  mbrojtur.

“Punimet nuk janë ndërprerë asnjëherë që nga dita e parë që kanë filluar, projekti po zbatohet sipas planit dinamik dhe kontratës që e ka Operatori Ekonomik. Jemi jashtë "zonës së mbrojtur" dhe askush nuk duhet të shqetësohet për ato punime, në fund të fundit ajo rrugë po bëhet për të lidhur njerëzit me ekzistencën e tyre, e që është blegtoria, bujqësia e turizmi”, ka thënë ai për "Zërin".

Ai ka thënë se nuk po veprohet kundër askujt pasi rruga ka ekzistuar gjithmonë dhe se ministria vetëm po e riparon.

“Ne po kryejmë obligimet tona, dhe nuk jemi duke vepruar kundër askujt, jemi në kontakt me të gjithë faktorët për të shpjeguar rëndësinë e këtij projekti për rreth 50 mijë banorët e Komunës së Deçanit me rrethinë. Rruga ka ekzistuar gjithmonë dhe ne apo bëjmë asgjë tjetër veçse po e riparojmë”, tha Lekaj.

Tutje ai bëri të ditur se janë takuar me përfaqësues nga Manastiri i Deçanit, me shefen e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, OSBE-në dhe KFOR-in për të shpjeguar siç ka thënë ai rëndësinë e këtij projekti.

“Ne jemi takuar me të gjithë faktorët që janë interesuar për të ditur të vërtetën e kësaj rrugë. Edhe me Manastirin, me Apostolovën, OSBE-në, KFOR-in, pra të gjithëve ju kemi shpjeguar rëndësinë e këtij projekti dhe kemi kërkuar mirëkuptimin e tyre dhe demokratizimin e kësaj çështje, sepse është projekt human e njerëzorë, aspak nuk ka konotacion politikë”, deklaroi tutje ai.

Lekaj ka insistuar që kjo rrugë do të bëhet pavarësisht se Manastiri i Deçanit ka shprehur kundërshtimin për vazhdimin e kësaj rruge.

“Ne rrugën do ta bëjmë, do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë njerëzit për t'iu thënë se çdo pengesë në zhvillimin e këtij projekti është pengesë për zhvillim e mirëqenie për qytetarët e Deçanit dhe për vet Manastirin, i cili ndër shekuj është ruajtur e kultivuar nga qytetarët e Kosovës. Jo çdo e "drejtë është e mirë dhe jo çdo e mirë është e drejtë". Manastiri nuk duhet t'i përdorë "të drejtat" e veta për të penguar të tjerët”, përfundoi ai. /ZËRI/