Mbi 42 mijë kosovarë hoqën dorë nga shtetësia

Aktuale May 26, 2018 - 08:18
Lexoni më shumë detaje

Për nëntë vjet mbi 40 mijë kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare. Që nga viti 2009 e deri në fillim të vitit 2018 mbi 42 mijë qytetarë të Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia, ndërsa vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti mbi 1600 kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia e tyre, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Numri i kosovarëve të cilët po heqin dorë nga shtetësia po shënon rritje nga viti në vit.

Shqetësues është se numri më i madh i personave që heqin dorë nga shtetësia kosovare, kryesisht të rinj, nga mosha 18 deri në 34-vjeçar.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme Izmi Zeka ka deklaruar për gazetën Zëri se numri i shtetasve kosovarë që kanë hequr dorë nga shtetësia në periudhën e parë të këtij viti është rritur, i krahasuar me një vit më parë.

Sipas tij, vetëm për katër muajt e parë të vitit 2018 rreth 1700 kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.

LEXO EDHE: Republika e veteranëve

“Lidhur me pyetjen tuaj për numrin e shtetasve të Republikës së Kosovës që janë liruar nga shtetësia, me lejo të ju njoftojmë se mbi dyzetmijë (42.000) shtetas të Republikës së Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia që nga viti 2009 e këndej, ndërsa në periudhën janar-prill janë liruar 1648 persona”, ka thënë Zeka.

Arsyeja kryesore e heqjes dorë nga shtetësia, sipas zëvendësministrit, është marrja e shtetësisë së ndonjë vendi tjetër të Bashkimit Evropian, i cili nuk lejon dyshtetësinë për shtetas që nuk janë shtetas të Bashkimit Evropian.

“Numri më i madh i atyre që kanë humbur shtetësinë e Republikës se Kosovës vjen nga shtetasit tanë që jetojnë në Gjermani, kjo ndoshta për arsye edhe të numrit më të madh të tyre që janë me qëndrim në këtë shtet. Numri i kosovarëve që jetojnë në Gjermani dhe që kanë humbur shtetësinë e Kosovës është 1346, në Austri 214 qytetarë, në Slloveni 28, në Mal të Zi 18, në Norvegji 10, në Kroaci 10, në Holandë 9, në Litenshtajn 7, në Zvicër 4, në Luksenburg 1 dhe në Finlandë 1 qytetar”, ka thënë zëvendësministri Zeka.

Sa i përket moshës së personave të cilët më nuk janë shtetas kosovarë, zëvendësministri i MPB-së thotë se janë të ndryshme, mirëpo prin mosha e personave nga 18 deri në 34 vjeç.

“Mosha e atyre që kanë hequr dorë është: 0-5 janë 61 persona; 6-13 janë 108 persona; 14-17 janë 178 persona; 18-34 janë 851 persona; 35-64 janë 447 persona dhe 65+ janë 3 persona”, ka treguar Zeka.

Selimi: Kosovës po i ikën rinia, pasuria më e madhe që ka

Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimin kjo dukuri është mjaft trishtuese.  

Selimi thotë se gjendja e rënë ekonomike i ka detyruar kosovarët të heqin dorë nga diçka për të cilën kanë qenë në gjendje të japin edhe jetën.

“Është shumë trishtuese kur mendon se njerëzit që kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë e shumë prej tyre edhe të vdesin për këtë vend e lënë Kosovën dhe heqin dorë nga ajo. Pra kemi ardhur në situatë kur njerëzit po heqin dorë nga ajo për të cilën kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë dhe të vdesin. Jo tashmë për fajin e tyre, por për fajin e atyre që duhet t’ua bëjnë jetën më të mirë dhe më të lehtë në Kosovë dhe për shkak të politikave të shteteve përkatëse, të cilat nuk lejojnë dyshtetësi”, shprehet Selimi.

Ai thotë se për këtë nuk duhet fajësuar botën për ligjet e tyre, por shteti duhet ta ndërtojë jetën e qytetarëve të vet, në mënyrë që shtetësia e Kosovës të jetë privilegj e jo barrë për qytetarët.

Humbja e perspektivës së rinisë për të gjetur një punë, për të ndërtuar një jetë të dinjitetshme, sipas tij, rezulton me ikjen dhe braktisjen e Kosovës.

Ai thotë se Kosovës  po i ikën rinia, e cila është pasuria më e madhe që e ka.

“Po na ikën më e çmueshmja rinia dhe kur ikën rinia nga një vend ikën e ardhmja dhe shpresa. Të gjitha këto po t’i bëjmë bashkë duhet të jetë diçka shumë serioze, sidomos për udhëheqësit e vendit që këtë rini ta ndalin, madje ka pasur raste kur kanë stimuluar ikjen e të rinjve nga Kosova dhe jorrallëherë e kemi parë që nuk e kanë penguar edhe ikjen e organizuar nga Kosova, siç ka ndodhur rasti dy herë me shtegtimin në Hungari”, pohon deputeti Selimi.

Islami: Popullsia e Kosovës do të mbetet një popullsi e vjetër duke ikur të rinjtë

Njohësi i çështjeve të sigurisë Avni Islami thotë se detyrimi i kosovarëve që të heqin dorë nga shtetësia tregon më së miri që pjesa më e madhe e popullatës jeton në varfëri.

“Ikja përmes kanaleve të ndryshme të rinisë kosovare në vende evropiane tregon se gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë është jashtëzakonisht e rëndë dhe se ka mbetur vetëm një pjesë e huliganëve të cilët kanë pasuri të pafundme, ndërsa pjesa më e madhe e popullatës është në gjendje të varfër”, ka thënë Islami.

Të rinjtë, sipas tij, kanë të drejtë të kërkojnë për një jetë më të mirë, pasi që shteti i Kosovës nuk krijon vende pune ata janë të detyruar të lëshojnë Kosovën dhe të kërkojnë vend për një jetë më të mirë.

Islami e quam alarmante këtë çështje, pasi një ditë popullsia e Kosovës do të mbetet një popullsi e vjetër duke ikur të rinjtë.

“Unë mendoj se ende do të ketë trend të rritjes së numrit të atyre që heqin dorë nga shtetësia, për shkak se gjendja ekonomike këtu është e rëndë dhe pa krijimin e vendeve të reja të punës dhe pa një zhvillim ekonomik natyrisht që të  rinjtë do të ikin dhe nuk do të mbesin këtu pre e askujt”, ka thënë Islami.

Ndërkohë, gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka pasur tendencë të rritjes së numrit të kërkesave, duke i krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Në vitin 2017, sipas MPB-së, 1555 persona kishin kërkuar heqjen e shtetësisë, ndërsa gjatë katër muajve të parë të vitit 2018 nga shtetësia e Kosovës kanë hequr dorë 1648 persona, duke e rritur këtë shifër 6% në vitin 2018. 

Gjatë vitit 2017 MPB-ja bën të ditur se nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 5697 persona.