Republika e veteranëve

Ekonomia May 26, 2018 - 07:56
Lexoni më shumë detaje

Numri i veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në fund të muajit maj të këtij viti ka arritur në 37.460, nga 36.794 sa kanë qenë gjatë muajit të parë të këtij viti. Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) shihet se numri i tyre po rritet nga dita në ditë. Nga fillimi i këtij viti e deri më tash në emër të pensioneve nga arka e shtetit ata kanë marrë 31 milionë e 500 mijë euro, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Numri i veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që janë duke marrë pensione nga buxheti i shtetit vazhdon të rritet nga dita në ditë, duke u bërë barrë serioze për buxhetin e varfër të shtetit tonë.

Për rritjen enorme të tyre para dy muajsh gjatë një interviste për gazetën Zëri pati alarmuar edhe shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, por pavarësisht asaj rritja nuk ka të ndalur.

Duke u bazuar në të dhëna zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) shihet se në fund të muajit maj të këtij viti numri i veteranëve ka arritur në 37.460, nga 36.794 sa kanë qenë gjatë muajit të parë të këtij vit.

Nga fillimi i këtij viti e deri më tash më emër të pensioneve nga arka e shtetit ata kanë marrë hiç më pak se 31 milionë e 500 mijë euro.

“Gjatë muajit janar numri i përfitueseve ka qenë 36.794, derisa shuma mujore e pensioneve e ndarë për ta ka qenë 6.297.760 euro, gjatë muajit shkurt 36.989, shuma e pensioneve 6.261.755 euro, gjatë muajit mars 37.044, shuma e pensioneve ka qenë 6.234.954 euro, gjatë muajit prill 37.395, derisa shuma e pensioneve ka qenë 6.344.129 euro, si dhe gjatë muajit maj numri i veteranëve ka qenë 37.460, derisa shuma e mjeteve të ndara ka qenë 6.381.882 euro”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për Medie e MPMS-së.

Hadërgjonaj: Dihet kush janë veteranë të vërtetë

Rritjen e veteranëve po e vlerëson shqetësuese edhe zëvendëskryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj.

Kjo e fundi në një prononcim për “Zërin” ka thënë se duhet të gjendet një kufi deri në cilën ditë të verifikohet dokumentacioni, në mënyrë që ky numër të mos vazhdojë të rritet.

“Rritja e veteranëve është shqetësuese, sepse duhet të gjendet një kufi deri në cilën ditë duhet të verifikohet dokumentacioni dhe sado që mbetet kështu e papërkufizuar shtohet numri dhe kjo është jo e mirë për koston buxhetore dhe mund të rrezikojë edhe me stabilitet mikrofiskal. Ne kemi marrë vazhdimisht vërejtje prej Fondit Monetar Ndërkombëtar, që duhet me qenë e mbyllur çështja e veteranëve, mirëpo s’po i kuptoj këto institucionet pse po vazhdojnë edhe më tutje kështu. Veteran dihet kush është dhe duhet të përmbyllet procesi”, ka shtuar më tutje ajo.

Mes të tjerash Hadërgjonaj ka kërkuar verifikimin dhe analizimin e këtij procesi, në mënyrë që të mos përfitojnë beneficione nga shteti veteranët e rremë.

“Të vetmen gjë që e kisha kërkuar është të mbyllet ky proces dhe të mos vazhdojë më tutje. Ata që vërtet kanë qenë në luftë e kanë qenë veteranë, ata janë bërë, por kisha dashur të verifikohet dhe të analizohet ky proces, në mënyrë që ata që nuk janë veteranë të mos i marrin beneficionet”, ka përfunduar zëvendëskryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Veteranët: Shpresat e fundit i kemi te Prokuroria

Prokuroria e Shtetit duket të ketë mbetur e vetmja shpresë për veteranët që pretendojnë se kanë luftuar vërtet gjatë luftës në Kosovë për të mos njollosur sakrificën e tyre.

Ish-kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Xhevdet Qeriqi, që thotë se ka luftuar gjatë luftës në Kosovë, e quan padrejtësi rritjen e këtij numri, pasi sipas tij numri i vërtetë i veteranëve mund të zbulohet përmes arkivave.

“Gjithmonë kemi reaguar dhe vazhdojmë të jemi kritikë se është rritur numri shumë, por është e pamundur të ndalet. Është Komisioni Qeveritar që merret me këtë çështje, aty po vonojnë. Neve si luftëtarë na është bërë padrejtësi, sepse ekzistojnë arkivat për të dëshmuar sa ka qenë numri i veteranëve të luftës, edhe me këtë proces dhe këtë Komision Qeveritar lirisht mund të them se është dyfishuar numri”, është shprehur Qeriqi.

Qeriqi thotë se shpresat e fundit i kanë te Prokuroria e Shtetit, që ka filluar të hetojë përfituesit e rremë të kësaj skeme.

“Tash së fundi me këtë numër janë duke u marrë hetuesit e Prokurorisë. Unë kam qenë në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues për të ofruar mundësi që të zbulohen këta njerëz, që padrejtësisht janë në listat e përfituesve. Shpresat e fundit i kemi te Prokuroria”, ka shtuar më tutje ish kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së.

Njësoj sikur Qeriqi, edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve Hysni Gucati shpresat i mban te Prokuroria e Shtetit.

Në një prononcim për “Zërin” Gucati ka thënë se nuk po dihet çka aktualisht po veprohet brenda Komisionit për Verifikimin e Veteranëve.

“Nuk po e dimë se çfarë po bëhet brenda. Kemi pasur takime edhe me Kryesinë, edhe me këshillin drejtues, me të gjithë anëtarët e Kryesisë dhe të këshillit drejtues sapo përfundova mbledhjen, janë të shqetësuar me numrin e veteranëve që po vjen duke u rritur. Nuk e dimë ku është arsyeja. Problemi nuk qëndron tek organizata, organizata nuk është pjesë e Komisionit. Këto probleme janë edhe në vende më të zhvilluara, si në Kroaci, ky problem zgjidhet, duhet të ulet edhe një herë Komisioni bashkë me komandantin Agim Çekun dhe vartësit e tij dhe të përmbyllet një herë e përgjithmonë kjo çështje. Shpresat do t’i kemi gjithmonë në Prokurori”, ka theksuar i pari i veteranëve.

Ndërkombëtarët kërkojnë riklasifikim të veteranëve

Përveç alarmimeve të vazhdueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar që të bëhet një proces i riklasifikimit të veteranëve, një gjë të tillë e ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Gjithashtu Kosova u dakordua të plotësojë proceset e certifikimit dhe riklasifikimit të veteranëve të luftës, të forcojë kapacitetet institucionale për planifikimin dhe menaxhimin e investimeve, si dhe të përmirësojë qasjen në financa për ndërmarrjet. Autoritetet u angazhuan të përmirësojnë politikën monetare dhe të finalizojnë kornizën e zgjidhjeve të bankave dhe të menaxhimit të krizave”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga BE-ja.

Të njëjtën zgjidhje e kishte kërkuar para dy muajsh në një intervistë për “Zërin” shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermuelen.

“Pa një riklasifikim sipas Ligjit të amendamentuar për Veteranët e Luftës, si dhe verifikimin e përfituesve, shpenzimet do të rriten dhe do t’i tejkalojnë alokimet buxhetore prej së paku 20 milionë eurove, duke sjellë shpenzime në 1,2 për qind të GDP-së, ose ½ për qind mbi tavanin 0,7 për qind të GDP-së, që do të hyjë në fuqi sapo riklasifikimi të përfundojë”, pati thënë shefi i FMN-së në Kosovë.

Ndryshe, duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara për mirëqenien sociale, thuhet se numri i përfituesve nga skema e pensioneve për veteranët e luftës, duke u bazuar në gjendjen e muajit dhjetor të vitit të kaluar, ishte 36 mijë e 32 veteranë.

Prej tyre llogariteshin 34 mijë e 529 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), ndërsa 1 mijë e 503 familje të veteranëve. 

Duke iu referuar statistikave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, numri i përfituesve të pensioneve të veteranëve aktualisht është 37 mijë e 460.

Muaj më parë kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në një prononcim për “Zërin” pati treguar se Prokuroria është në fazën e grumbullimit të informatave, ndërsa do të kërkohet përgjegjësi penale për manipuluesit eventualë të listave të veteranëve të luftës.