Me rëndësi pjesëmarrja

Aktuale May 16, 2018 - 07:51
Lexo detajet

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, thotë se pavarësisht qëndrimit të Spanjës në Samitin e Sofjes Kosova trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet e rajonit. Pikërisht për shkak të Kosovës edhe në dokumente, edhe në komunikime të BE-së vendet anëtare të BE-së përmenden si “shtete anëtare”, ndërsa ata nga rajoni si “partnerë”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pavarësisht kundërshtimeve nga shtetet e Bashkimit Evropian, përfaqësuesit e 28 shteteve anëtare kanë rënë dakord për tekstin e deklaratës së përbashkët, që do të miratohet në Samitin për Ballkanin Perëndimor të enjten, në Sofje të Bullgarisë.

LEXO EDHE: Skenari i Serbisë, bosnjëzimi i Kosovës

Se Kosova do të marrë pjesë në këtë samit si një shtet i pavarur dhe i barabartë me të gjitha shtetet e tjera pjesëmarrëse e ka konfirmuar ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, i cili për “Zërin” ka thënë që trajtimi i Kosovës si shtet i pavarur në këtë samit është tejet i rëndësishëm për vendin.

“Samiti i Sofjes është më i rëndësishmi prej vitit 2003, sepse është hera e parë kur Kosova praktikisht trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet e rajonit dhe trajtohet sikur çdo shtet tjetër e që është një arritje e madhe. Është arritje për ne pavarësisht asaj se çka Spanja mendon, ne do jemi pjesëmarrës në këtë samit dhe Kosova do të trajtohet e barabartë me shtetet e tjera”, ka theksuar Pacolli.

Më tej ai ka thënë se presionet nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën nuk do të ndikojnë në këtë samit.

“Kërkesat e Spanjës për këtë samit janë shumë të theksuara, por edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën presionet që mundohen t’i bëjnë janë të theksuara, por ato nuk ndikojnë pothuajse fare në mbarëvajtjen e punës së këtyre samiteve. Ai ndikim sado i vogël nuk i përket vetëm Kosovës, por edhe vendeve të tjera”, ka thënë Pacolli.

Haradinaj: Do ta përfaqësojmë denjësisht Kosovën në Sofje

Kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e djeshme të Qeverisë bëri të ditur se sot bashkë me presidentin Thaçi dhe me zëvendëskryeministrin e ministrin e Jashtëm Behxhet Pacollin do të udhëtojnë për në Sofje për të marrë pjesë më datën 17 maj në Samitin e Sofjes. Haradinaj me këtë rast ka thënë edhe se do ta përfaqësojnë Kosovën sa më denjësisht.

“Nesër udhëtoj me presidentin Thaçi dhe me zëvendëskryeministrin Pacolli në Sofje. Në atë pjesën e parë është një agjendë mjaft qartë e definuar për mua dhe Behgjetin. Ata që jemi atje besoj do ta përfaqësojmë denjësisht Kosovën, dy ditë nuk do të jemi këtu, por do ta përfaqësojmë denjësisht Kosovën”, ka thënë Haradinaj.
 

Fetoshi: Në këtë samit rikonfirmohet mbështetja e BE-së

Kurse Arben Fetoshi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë për “Zërin” se trajtimi i Kosovës në këtë samit si e barabartë është pozitive për Kosovën.

“Samiti i Sofjes është ngjarje me rëndësi kapitale për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më e rëndësishmja për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar. Duke pasur parasysh reagimet e vendeve kundërshtare, nga ky samit Kosova do të përfitojë në subjektivitetin e vet si faktor rajonal, do të përfitojë nga prania e barabartë dhe nga agjenda e “konektivitetit”, që nënkupton mbështetjen e Brukselit në përmirësimin e infrastrukturës, të arsimit etj.”, ka thënë Fetoshi.

Sipas tij, pikërisht ky samit do të sjellë rezultate edhe në fazën finale mes Serbisë dhe Kosovës.

“Kjo rëndësi lidhet me tri dimensione aktuale dhe sfiduese për të ardhmen paqësore e prosperuese të gjashtë shteteve të rajonit, qëndrimi kushtëzues ndaj Serbisë për një marrëveshje ligjërisht obligative me Kosovën, e cila do të çonte në njohjen reciproke të dy shteteve, e dyta; rikonfirmimi i vullnetit të Brukselit për mbështetjen e aspiratave integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht kundërshtimeve të forta ndaj zgjerimit dhe e treta; rikthimi i vëmendjes së Brukselit rikthimi i vëmendjes së Brukselit për shkak të mungesës së sundimit të ligjit dhe ndikimit në rritje të Rusisë, Turqisë e Kinës në rajon, që përbën shqetësim serioz gjeopolitik e gjeostrategjik për Perëndimin.”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Kosova në këtë samit do të përfaqësohet nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, të cilët sot pritet të udhëtojnë për në Sofje. Samiti i BE-së dhe i Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 17 maj në Sofje, është organizuar nga Presidenca bullgare e Këshillit të BE-së dhe tenton t’i bashkojë liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe homologët e tyre nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, me ç’rast do të diskutohet për lidhshmërinë e shteteve në aspektin e transportit, energjisë dhe infrastrukturës digjitale, arsimore e çështje të tjera.