Emërimi i kryeprokurorit të ri zvarrit ngritjen e aktakuzave

Aktuale May 14, 2018 - 09:24
Lexoni më shumë detaje

Zyrtarë të Gjykatës Speciale kanë thënë për “Zërin” se me emërimin e kryeprokurorit Jack Smith puna e kësaj Gjykate do të vazhdojë normalisht, pa ndonjë vonesë. Ndërsa njohësit e çështjeve juridike thonë që kryeprokurorit të ri do t’i duhen disa muaj deri kur mund të fillojë me ngritjen e aktakuzave të para

Përfundimi i mandatit të kryeprokurorit të Dhomave të Specializuara, David Schwediman, dhe procedurat për emërimin e kryeprokurorit të ri kanë bërë që puna e kësaj Gjykate të zvarritet edhe më tej.

Të paktën kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve juridike, të cilët thonë se kryeprokurorit Jack Smith do t’i duhet ndoshta edhe një vit deri te ngritja e aktakuzave të para.

Christopher Bennett, zëdhënës në Zyrën e Prokurorit Special, ka thënë për Zërin se Prokuroria do ta vazhdojë punën nën udhëheqjen e kryeprokurorit të ri Jack Smith me të njëjtin intensitet sikurse me ish-prokurorin Schwendiman.

LEXO EDHE: Shteti harxhon mbi një milion euro në muaj për të burgosurit

“Prokuroria Speciale ka vazhduar punën e saj nën udhëheqjen e Kwai Hong Ip që nga largimi i David Schwendimanit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë deri në ardhjen e Smithit, emërimi i të cilit sapo është shpallur. Detyra e prokurorit special është dhe gjithmonë ka qenë me zell, me integritet dhe me dinjitet të kryejë një hetim efektiv, të shpejtë dhe të sjellë çdo padi në gjykim menjëherë. Kjo nuk do të ndryshojë”, thuhet në përgjigjet e Bennettit.

Ndërkohë, i pyetur rreth kohës se kur mund të nisin aktakuzat e para, Bennett nuk ka dhënë detaje.

“Prokuroria Speciale nuk komenton statusin e hetimeve dhe nuk do të japë informacion në lidhje me kohën e akuzave të mundshme”, ka nënvizuar ai.

Ndërsa zyrtarë nga Dhomat e Specializuara për “Zërin” kanë thënë që nuk ka asnjë vonesë në punën e Speciales dhe i gjithë procesi është duke rrjedhur normalisht.

“Për sa i përket DHSK-së, ju kujtojmë se nuk ka asnjë vonesë në punën e Dhomave të Specializuara. Dhomat e Specializuara të Kosovës janë plotësisht funksionale në aspektin gjyqësor që nga korriku i vitit të kaluar, me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave e janë të gatshme për të pranuar çdo parashtresë, duke përfshirë aktakuzat e mundshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nrecaj: Kryeprokurori duhet t’i rishikojë dosjet

Anton Nrecaj, njohës i çështjeve juridike, ka thënë për “Zërin” që me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri Jack Smith do të vonohet ngritja e aktakuzave, pasi Smith ka nevojë që t’i rishikojë dosjet dhe provat për këto aktakuza.

“Në aspektin teknik dhe procedural gjithçka është në rregull dhe se nuk ka asnjë arsye të vetme që të mos fillojë punën Gjykata Speciale. Problemi qëndron në faktin se kryeprokurori i sapoemëruar para se të fillojë me aktakuzat ai duhet t'i shikojë nëse dosjet kanë prova të mjaftueshme dhe të bazuara në mënyrë që Gjykata të mos i hedhë poshtë në mungesë të provave”, ka thënë Nrecaj.

Sipas tij ngritja e aktakuzave duhet të fillojë sa më parë dhe se çdo vonesë drejt këtij procesi është e paarsyeshme.

“Konsideroj se prokurori tashmë duhet të fillojë me ngritjen e aktakuzave për të filluar procesi dhe se çdo vonesë mund të konsiderohet si joprofesionale dhe aspak serioze, si dhe mund të ndikojë shumë në besueshmërinë e Gjykatës Speciale. Edhe pse sipas informatave gjyqtarët të cilët janë emëruar në Gjykatë disa prej tyre kanë qenë si gjyqtarë në kuadër të misionit të EULEX-it dhe se kanë pasur afera korruptive në kohën sa kanë qenë gjyqtarë në misionin e EULEX-it”, ka theksuar ai.

BE-ja të merret me zvarritjen e punës së Gjykatës Speciale

Njësoj mendon edhe Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve juridike, i cili ka thënë se po bëhet zvarritje e vazhdueshme e punës së Gjykatës Speciale.

“Një nga çështjet që gjithsesi do të duhej të merret seriozisht nga BE-ja është zvarritja e kësaj Gjykate, fillimisht ishte vrapi i pashpjegueshëm i presioneve të pandara të BE-së dhe të segmenteve institucionale të saj ndaj institucioneve të Kosovës që me çdo kusht të miratohej Ligji për Gjykatën Speciale derisa ajo u bë tani pas kaq shumë kohësh ata zvarrisin formimin e saj”, ka thënë Baraliu.

Sipas tij të gjitha këto bëjnë të konkludohet se BE-ja nuk është serioze dhe se nuk do të ketë së shpejti aktakuza të reja.

“Duke u bazuar edhe në deklaratën e kryeprokurorit që ai ka kërkuar pra një kohë, nuk pres që të ketë aktakuza të reja dhe paraqitje aktive për fillimin e punës së kësaj Gjykate dhe kjo është vërtet për të ardhur keq sepse nga ne kërkohet që të plotësohen kushtet shpesh edhe absurde, ndërkohë që vetë BE-ja me problemet e saj të brendshme i zvarrit proceset për të cilat ata i konsiderojnë jetike që të ndodhin dhe të ndërmerren në Kosovë”, ka thënë Baraliu.

Dhomat e Specializuara të Kosovës gjatë javës së kaluar kanë shtuar në lista emrat e avokatëve të akredituar krahas atyre të mëhershmëve.