28 milionë euro buxhet, barna s’ka

Aktuale May 12, 2018 - 08:31
Spitalet pa barna

Institucionet publike shëndetësore edhe më tutje vazhdojnë të përballen me mungesë të theksuar të barnave, pavarësisht se për këtë qëllim nga buxheti i shtetit janë ndarë më shumë se 20 milionë euro. Aktualisht janë duke munguar insulinat, barnat për kimioterapi, por edhe ato më elementare që janë në listë esenciale, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Institucionet publike shëndetësore po ballafaqohen me mungesë të disa barnave nga lista esenciale, të cilat janë të nevojshme për trajtimin e pacientëve. Buxheti i ndarë për këto barna po del të jetë i pamjaftueshëm për përmbushjen e të gjitha kërkesave. Zyrtarë për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për gazetën “Zëri” se 28 milionë euro, të cilat janë ndarë për furnizim me barna të listës esenciale, nuk janë të mjaftueshme për përmbushjen e të gjitha nevojave për barna. Edhe drejtorë të spitaleve të përgjithshme në Kosovë janë shprehur se furnizimet me barna nuk po bëhen me kohë dhe se po ka mungesa të tyre. Ndërsa mungesa e këtyre të fundit tashmë po i shtyn pacientët që t’i blejnë vetë ato në barnatoret private.

LEXO EDHE: Konfiskohen salsiçe të prishura në Prizren

 Ankohen drejtorët e spitaleve

Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, Skender Dreshaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se buxheti i ndarë për spitale është i pamjaftueshëm dhe se ka nevojë për mjete shtesë. Sipas tij, ka mungesa të furnizimit me barna. “Buxheti ekzistues mund t’i sigurojë shërbimet bazë ekzistuese, por është i pamjaftueshëm për zgjerim kapacitetesh apo shërbimeve të reja. Ka mungesë në furnizim me barna dhe material shpenzues medicional”, ka thënë ai

Ndërsa edhe Shefajet Berisha, shef i Personelit dhe Komunikimit në Spitalin e Prizrenit, ka treguar se në këtë spital ka mungesa të barnave. “Kemi mosfurnizim me kohë me barna dhe me material shpenzues, si dhe mungesa të aparaturës. Ne i bëjmë kërkesat me kohë”, ka thënë ai.

Se ka mungesë të disa barnave nga lista esenciale në spitalet e përgjithshme në Kosovë këtë e ka pohuar edhe anëtari i Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Shemsi Veseli. Ai në një intervistë për gazetën “Zëri” kishte thënë se edhe pse këtë vit është rritur buxheti për barna, ai prapë nuk mund t’i përmbushë të gjitha nevojat e klinikave. “Buxheti total është më i madh sesa ka qenë. Sa u përket barnave dhe gjërave të tjera, janë diku 10 milionë euro më shumë, d.m.th. është një buxhet më i shtuar se vitin e kaluar që i dedikohet kryesisht Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, pra përfitimin më të madh e ka Qendra Klinike Universitare. Sa i përket materialit të jashtëm të listave esenciale, nuk është ndryshim shumë i madh, është një shumë simbolike më e lartë se vitin e kaluar, e cila është e pamjaftueshme ende për t’i mbuluar nevojat dhe kërkesat që janë në klinika”, ka thënë ai.

Për më shumë, edhe Fakiri Spahiu, drejtor i Shërbimit Klinik të Mjekësisë Nukleare në QKUK, ka treguar se në këto klinika mungesat kryesore janë materiali shpenzues dhe barnat e listës esenciale. “Mungesat kryesore në QKUK janë materiali shpenzues, si dhe barnat e listës esenciale. Besoj që shumë shpejt do të përmirësohet gjendja, sepse janë në procedurë të tenderimit dhe ne të mos kemi probleme në të ardhmen”, ka thënë ai.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe me farmacistë të barnatoreve private, të cilët kanë pohuar se pacientët shpesh blejnë vetë barnat nga lista esenciale, si dhe materialet shpenzuese.

 Prapë mungesa të insulinave

Dhjetëra qytetarë presin në qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë për ta marrë një insulinë, të cilën nuk e marrin rregullisht. Ata kanë treguar për “Zërin” se edhe pse po ka furnizime me insulina, ato nuk po i përmbushin të gjitha kërkesat e tyre. Një paciente, e cila ka dashur të mbetet anonime, derisa po priste në radhë për të marrë një insulinë për burrin e saj ka treguar për “Zërin” se ka pasur mungesa të tyre.

“Kam ardhur ta marr një insulinë për burrin tim. Ka ndodhur që nuk ka pasur insulina mjaftueshëm dhe më është dashur të shkoj në barnatore dhe të blej insulinë. Në barnatore po kushton 10 euro”, ka thënë ajo. Derisa pacientët janë ankuar se ka mungesa të insulinave, zyrtarë për Informim në MSH kanë thënë për “Zërin” se këto ditë është bërë shpërndarja proporcionale e një kontingjenti me insulina analoge, ndërsa nga java e ardhshme do të ketë furnizim të rregullt, i cili furnizim do t’i mbulojë kërkesat për insulinë analoge. 

Pas më shumë se një muaji pacientët marrin disa barna për kimioterapi

Pacientë të prekur me tumor ditë më parë kanë treguar për “Zërin” se qe më shumë se një muaj nuk kanë mundur të marrin kimioterapi për shkak të mungesës së disa barnave.

Zëri” ka kontaktuar prapë me këta pacientë dhe ata kanë treguar se dy ditë më parë janë furnizuar me barnat të cilat u nevojiteshin për terapi.

“Po, dje më kanë thirrur dhe i kam marrë ato kryesoret, që kushtojnë 2.500 euro. Të tjerat që m’i ka shkruar doktori duhet t’i blej vetë”, ka thënë njëri nga pacientët.

Ky pacient ditë më parë ishte ankuar se ka nevojë për kimioterapi, por që në QKUK doktorët i kanë thënë se ka mungesë të disa barnave. Ai ka treguar se kishte mungesë të produktit “Avastin” dhe “Tramadon”. E për këtë zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se do t’i furnizojnë spitalet me produktin “Avastin” për një periudhë njëvjeçare.

MSH: Buxheti për barna dhe material shpenzues është 28 milionë euro

Zyrtarë për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë për “Zërin” se janë rreth 28 milionë euro që shpenzohen për barna dhe material shpenzues. Sipas tyre, as ky buxhet nuk i përmbush të gjitha nevojat.

“Buxheti për barna dhe material shpenzues i MSH-së është 22 milionë euro, por ky buxhet prapëseprapë nuk i përmbush qind për qind nevojat e mbulueshmërisë me barna të listës esenciale. Janë edhe 6 milionë euro të tjera për barna dhe materiale shpenzuese për Kujdesin Parësor (komunat), që i bie se në total buxheti për barna dhe material shpenzues (për tri nivelet e kujdesit shëndetësor) është 28 milionë euro”, kanë thënë ata.

Ata kanë treguar se Ministria është duke bërë përpjekje t’i parandalojë kontratat me çmime të larta të barnave dhe siç kanë thënë ata, furnizimi me barna do të stabilizohet.

“MSH-ja bën furnizimet e rregullta të institucioneve shëndetësore publike në bazë të listës esenciale, por kjo varet edhe me mundësitë buxhetore që ka në dispozicion. Gjithashtu në sektorin farmaceutik janë duke u ndryshuar praktikat e furnizimeve dhe MSH-ja është në përpjekje që të parandalojë kontrata me çmime të larta të barnave, që dëmtojnë buxhetin e shtetit. Disa ndryshime që kanë filluar në sektorin farmaceutik janë përcjellë me vështirësi fillimisht, por në afat më të gjatë furnizimi do të stabilizohet në veçanti në programet më vitale, siç janë hemodializa, sëmundjet malinje-onkologjia, vaksinimi etj”, kanë theksuar ata.

Sipas tyre, rritja e buxhetit për barna ka ndikuar në zvogëlimin e mungesave të tyre.

“MSH-ja bën furnizimin çdo javë në bazë të kërkesave të vetë institucioneve të bazuara në listën e esenciale në fuqi, varësisht edhe në mundësitë tona buxhetore, por rritja e buxhetit për furnizim me barna dhe material shpenzues ka ndikuar dukshëm në zvogëlimin e mungesave dhe MSH-ja është duke punuar që në të ardhmen mbulueshmëria me barna dhe material shpenzues të jetë në nivel shumë më të lartë”, kanë thënë ata.

Zyrtarët për Informim në këtë ministri kanë treguar për “Zërin” se MSH-ja është duke bërë një listë të re të barnave esenciale. “MSH është duke krijuar listën e re të barnave esenciale sipas kërkesave të institucioneve, nevojave të tyre, disponueshmërisë financiare dhe zhvillimeve të reja në fushën e farmacisë e mjekësisë, meqë në ndërkohë në Kosovë janë regjistruar produkte të reja farmaceutike, si dhe është e kuptueshme që në mjekësi në kuadër të protokolleve të reja të mjekimit në qarkullim futen terapi të reja për sëmundje të ndryshme, andaj përditësimi i listës esenciale të barnave do t’i minimizojë mungesat në furnizim me barna në institucionet shëndetësore publike”, kanë thënë ata.

Ish-ministri Rrahmani: Ka rritje të buxhetit, por rënie të furnizimit

Ish-ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani po ashtu ka thënë se buxheti për furnizim me barna është i pamjaftueshëm.

“Sa i përket furnizimit me barna dhe materialit harxhues, mund të themi se masa buxhetore është e pamjaftueshme prej rreth 10 eurove për kokë banori. Ne patëm arritur me mjetet që dispononim ta arrijmë në shifra deri 70-80% në periudhën më të madhe të kohës”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, edhe pse ka rritje të buxhetit furnizimi me barna është më i ulët.

“Fatkeqësisht tash pavarësisht rritjes së buxhetit për 7-8 milionë euro për barna dhe material harxhues, nivelet e furnizimit kanë pësuar rënie drastike, gjë që ka sjellë shumë shërbime para kolapsit. Zgjidhja është zhvillimi i mëtejmë i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, menaxhimi më i mirë i mjeteve ekzistuese dhe planifikimi korrekt”, ka thënë ai.

Kadrijaj: Do të insistojmë që institucionet shëndetësore të furnizohen me barna

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj, ka thënë se pasi që Qeveria ka ndarë edhe buxhet shtesë për barna, do të duhej që paratë të menaxhohen mirë.

“Në Komision kur e kemi pasur ministrin i kemi parashtruar këto çështje. Janë edhe procedurat e prokurimit pak të komplikuara. Ministri megjithatë ka premtuar se do të merren masa që furnizimi me qenë me kohë. Qeveria e Kosovës kur është rishqyrtuar Ligji i Buxhetit ka ndarë edhe mjete shtesë për barna dhe besoj që ishte dashur që gjithë ato para të menaxhohen mirë dhe kërkesat të dorëzohen me kohë”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Sipas saj, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi do të kërkojnë që institucionet shëndetësore të furnizohen me barna.

“Ishte dashur të ketë përparime. Edhe nga përqindja e viteve të kaluara furnizimi me barna nga lista esenciale nuk ka qenë i mjaftueshëm. Ndërsa tani nuk kemi ndonjë përqindje, por do të monitorojmë, do të kërkojmë llogaridhënie prej ministrit dhe do të insistojmë që barna të ketë në institucione shëndetësore”, ka theksuar ajo. /ZERI